
Një ankesë e ka çuar Inspektoratin Farmaceutik në barnatoren “CFO Green Njësia 39” në Vushtrri. Ajo që inspektorët kanë gjetur aty ka ngritur disa probleme njëherësh mungesë të farmacistit, dokument të kontestueshëm për zëvendësim dhe dispensim të një produkti që i nënshtrohej recetës së mjekut. Inspektimi është kryer më 4 maj 2026 në bashkëpunim me Inspektoratin e Tregut, raporton Front Online.
Kliko këtu për ta shkarkuar të plotë raportin e Inspektoratit Farmaceutik
Raporti i Inspektoratit Farmaceutik per barnatoren CFO Green – Njesia numer 39
Në momentin kur inspektorët kanë hyrë, barnatorja ishte e hapur, por shërbimet po ofroheshin nga dy teknike farmacie: Diellza Kamberi dhe Arjana Ismaili. Farmacistja përgjegjëse, Rozanë Spahiu, nuk ishte e pranishme. Pas fillimit të inspektimit në subjekt është paraqitur farmacistja Gentianë Rama-Rrustemi. Sipas raportit, ajo fillimisht nuk ka paraqitur dokument apo autorizim që dëshmonte angazhimin e saj si farmaciste zëvendësuese. Më vonë është printuar një dokument që pretendohej se ishte autorizim për praninë e saj. Por Inspektorati evidenton një problem: dokumenti kishte mangësi përmbajtësore, nuk përcaktonte periudhën kohore për kryerjen e detyrave gjatë mungesës së farmacistit përgjegjës dhe disa rubrika ishin plotësuar manualisht. Një element tjetër i rëndësishëm doli nga kontrolli i kuponit fiskal të datës 28 mars 2026. Nga verifikimi rezultoi se ishte dispensuar një produkt medicinal që i nënshtrohej recetës së mjekut. Kur inspektorët kërkuan të dinin se kush e kishte bërë dispensimin, stafi i pranishëm nuk deklaroi se kush e kishte kryer atë. Sipas raportit, Inspektorati konstatoi se barnatorja kishte vepruar në kundërshtim me Ligjin për Produkte dhe Pajisje Medicinale, Ligjin për Shëndetësi dhe Udhëzimin Administrativ për qarkulluesit farmaceutikë me pakicë. Raporti shoqërohej me Vendimin me gjobë nr. 10/KT-005-26. Inspektorati kërkoi që barnatorja të operonte vetëm sipas legjislacionit dhe që për plotësimin e rekomandimeve të njoftohej me shkrim.
Front Online ka siguruar dosjen e plotë të inspektimeve të Inspektoratit Farmaceutik në barnatoret në gjithë Kosovën, për periudhën 1 janar 2025 – 30 qershor 2026, dhe do ta publikojë atë në tërësi – Vazhdimi 66