Nuk duam t’ju frikësojmë, realisht. Por disa gjendje të rënda shëndetësore, padashur pa kujtuar mund të jenë duke ju rrezikuar jetën dhe ju mund të mos jeni në dijeni për të, duke qenë se shumë prej tyre nuk shfaqin simptoma derisa të jetë shumë vonë ose ju thjesht jeni duke i injoruar ato.
Tension i lartë i gjakut
Sipas një studimi kanadez të publikuar në vitin 2013 tek revista “American Medical Association”, thuajse gjysma e njerëzve me tension të lartë të gjakut nuk janë në dijeni se vuajnë nga ky problem.
Mund ta injoroni atë për një kohë të gjatë dhe krejt papritur mund të përfundoi duke pësuar ndonjë atak në zemër, goditje në tru apo duke u prekur nga ndonjë sëmundje e veshkave. Sëmundja vazhdon të marshojë në heshtje, duke ju dëmtuar kështu enët e gjakut.
Mbroni veten: Kontrolloni tensionin e gjakut njëherë në vit, edhe nëse e dini se nuk keni ndonjë faktorë rreziku.
Në qoftë se tensioni juaj i gjakut është më poshtë se 120/80mmHg atëherë ju·
keni një presion normal të shëndetshëm të gjakut. Mbani këtë tension dhe kontrollojeni përsëri mbas një viti.
Në qoftë se tensioni juaj i gjakut është mbi 120/80 mmHg dhe më pak se 140/90·
mHg jeni në rrezik për t’u bërë hipertensivë, prandaj duhet të merrni menjëherë disa hapa për të përmirësuar stilin e jetës suaj të tilla si: ndalimi i pirjes së duhanit nëse jeni një duhanpirës; reduktimi i peshës së trupit tuaj në nivel të shëndetshëm; të jeni më aktivë; të përfshini në ushqyerjen tuaj më shumë perime dhe fruta, të zvogëloni sasinë e marrjes së kripës dhe të kufizoni sasinë e marrjes së yndyrës – me fjalë të tjera çdo ditë duhet të ushqehemi shëndetshëm; si dhe çdo vit duhet të kontrolloni presionin e gjakut tek mjeku.
Në qoftë se tensioni juaj i gjakut është rreth apo mbi 140/90 mmHg, ju duhet të kontaktoni me personelin e kujdesit shëndetësor për të parë nëse keni tension të lartë të gjakut, apo nëse keni nevojë të filloni trajtimin me mjekime për të parandaluar infarktin e zemrës dhe goditjen në tru.
Apnea e gjumit
Nuk është vetëm për mbipeshën, djema. Gjysma e grave mes moshës 20-70 vjeç vuajnë nga apnea obstruktive e gjumit, sipas një studimi suedez të publikuar në vitin 2012. Kjo gjendje – ku njerëzit përjetojnë bllokim të frymëmarrjes ndërsa flenë – lidhet me një rrezik më të lartë të zhvillimit të sëmundjeve të zemrës dhe diabetit të tipit 2. Gratë janë më të rrezikuara të diagnostikohen me apnea të gjumit, duke qenë se simptomat e tyre janë më delikate. Në vend që të gërhasin ose të jenë të përgjumura gjatë ditës, ata kanë dhimbje koke në mëngjes, luhatje të humorit dhe plogështi, simptoma këto që mund të injorohen nga gratë.
Një tjetër simptomë e mundshme: pagjumësia. Gratë mund të zgjohen në mes të natës duke qenë për shkak të problemeve me frymëmarrjen.
Mbroni veten: Konsultohuni me një mjek nëse keni shenjat e përmendura më sipër. Trajtimi i ” apnea e gjumit ” (OSAS) mund të bëhet nëpërmjet modifikimit të stilit të jetës dhe trajtimit kirurgjikal.
Përdoret dhe CPAP që është një aparaturë që siguron futjen e ajrit të pasuruar me oksigjen me presion pozitiv nëpërmjet hundës, me qëllim që mushkëritë, dhe për rrjedhojë gjaku dhe truri, të marrin sasinë e duhur të oksigjenit dhe gjumi të bëhet pa ndërprerje.
Modifikimi i stilit të jetës përfshin: uljen e peshës në rastin e mbipeshës, pozicionin e gjumit (Disa pacientë me ” apnea e gjumit ” shfaqin përmirësim të ndjeshëm nëse arrijnë të flenë në pozicion lateral) dhe higjienën e gjumit (fjetja dhe zgjimi duhet të bëhet në të njëjtën orë, duhet fjetur në një dhomë gjumi të qetë, me pak dritë dhe me temperaturë normale).
Duhet të dallohet ” apnea e gjumit ” (OSAS”) nga gërhitja. Kjo e fundit nuk shkakton zgjim dhe pagjumësi, por vetëm shqetësim për personat që flenë në të njëjtën dhomë. Faktorët predispozues janë të njëjtë në të dy rastet (mbipesha, lodhja gjatë ditës, alkooli, duhani).
Glaukoma
Glaukoma është një grup sëmundjesh të syrit që shkaktojnë dëmtim progresiv të nervit optik në pikën ku ai lejon syrin të transportojë informacionin vizual në tru.
Nëse lihet pa trajtuar, shumë tipa të glaukomës zhvillohen (pa paralajmëruar simptoma të dukshme tek pacienti) drejt përkeqësimit gradual të shikimit, që mund të çojnë edhe deri në verbërim. Për sa kohë që nuk trajtohen, dëmtimi i shikimit është përgjithësisht i pakthyeshëm, prandaj shpesh glaukoma përshkruhet si “sëmundje e heshtur e verbërisë” ose si “hajdute e qetë e shikimit”.
Mbroni veten: Ekspertët rekomandojnë që të bëni kontrolle të syve, sidomos pas moshës 40 vjeç duhet të bëni kontroll çdo 2-4 vjet, në varësi edhe të faktorëve personal të rrezikut. Pas moshës 65 vjeç duhet të bëni kontrolle të përvitshme.
Diabet
Shumë njerëz që preken nga diabeti i tipit 2 nuk ia kanë idenë që janë të sëmurë derisa analizat e gjakut të tregojnë për nivele jonormale të sheqerit në gjak, apo derisa sëmundja të përparojë dhe të fillojnë të shfaqen ndërlikime serioze.
Në pjesën më të madhe rasteve nuk shfaqen që në fillim simptomat e diabetit. Në disa raste janë “shenja tinëzare”, që mund të ngatërrohen lehtësisht. Disa nga simptomat e para të diabetit që njihen mirë janë: etje e shtuar, urinim të shpeshtë, humbje ose shtim në peshë. Të tjerat, si problemet me mishrat e dhëmbëve, vijat e errëta në lëkura (gjendje e quajtur ndryshe “acanthosis nigrican”), mpirjet e duarve apo këmbëve, rënia e dëgjimit dhe shikimit, mund të ngatërrohen lehtësisht, si nga profesionistët e mjekësisë ashtu edhe pacientët.
Mbron veten: Nëse po përjetoni një nga këto simptoma, siguroheni të konsultoheni me një mjek. Pas moshës 45 vjeç duhet të kontrolloheni të paktën çdo 3 vite për diabetin. Nëse jeni mbipeshë ose keni faktorë të tjerë rreziku, si tension të lartë të gjakut apo nivele të larta të kolesterolit, duhet të kontrolloheni më shpesh.
Sindroma e vezores policistike
Shumë femra që kanë probleme me ciklin menstrual i anashkalojnë ato, pasi e kanë të vështirë të flasin me të tjerët në lidhje me këto tema, përfshirë edhe gjinekologen.
Por, ka probleme që në dukje nuk janë shqetësuese, por që nëse lihen pa trajtuar mund të bëhen më serioze.
Një problem që lidhet me çrregullimet e ciklit menstrual është sindroma e vezores policistike (PCOS).
Edhe pse kjo sindromë lidhet me çrregullim të ciklit apo mosardhje të menstruacioneve, mund të ngatërrohet shumë lehtë. Për ciklin e çrregullt ndoshta mund të fajësoni faktorë të tjerë. Ose, meqë sindroma policistike e vezores karakterizohet nga shumë pak simptoma (dhe nuk diagnostikohet me një test të thjeshtë), mund të ngelet e pa diagnostikuar.
Sipas ekspertëve, 5-10% e femrave vuajnë nga kjo sindromë.
Ashtu siç nuk ka vetëm një test për të diagnostikuar sindromën e vezores policistike, nuk është edhe një simptomë e vetme që tregon për prezencën e kësaj sëmundjeje. Periodat e çrregullta ose mungesa e tyre mund të jetë një shenjë. Aknet, rënie të shumta të flokëve, infertiliteti dhe shtimi në peshë lidhen gjithashtu me sindromën policistike të vezores.
Të tilla janë edhe problemet metabolike, si kolesteroli i lartë, tensioni i lartë i gjakut, madje edhe diabeti.
Mbroni veten: Nëse keni ndonjërën nga këto shenja, është mirë që të konsultoheni me një gjinekologe.
Shumicën e rasteve, mjekët do t’ju rekomandojnë të bëni një test gjaku për të parë nivelet e hormoneve, për shembull të testosteronit. Vezoret dhe gjëndrat e veshkave prodhojnë testosterone në sasi normale, por, nëse vuani nga sindroma e vezores policistike, mund të keni nivele më të larta të këtyre hormoneve.
Kanceri i mushkërisë
Kanceri i mushkërive është një ndër sëmundjet më vdekjeprurëse, duke ia kaluar edhe kancerit të gjirit, prostatës dhe zorrës së trashë së bashku.
90% personave që preken nga kanceri i mushkërive janë duhanpirës. Shenjat e këtij lloj kanceri fillojnë të bëhen më të dukshme vetëm kur sëmundja ka avancuar dhe rreziku i vdekjes është shumë i lartë.
Mbroni veten: Nëse jeni duhanpirës apo keni qenë më parë përdorues i duhanit dhe jeni mbi 55 vjeç, duhet të bëni kontroll të përvitshëm të mushkërive. Duhet të shqetësoheni gjithashtu nëse keni një kollë të thatë që nuk zhduket pas rreth 2 javësh, ngulçim, dhimbje të gjoksit, probleme me frymëmarrjen ose ngjirje të zërit./FrontOnline/