Derivatet e naftës, automjetet, e duhani vazhdojnë të jenë mallrat më të importuara nga kosovarët për vitin 2021.
Rreth dy miliardë euro është vlera e tyre gjatë gjithë vitit.
Më saktësisht janë gjithsej 1 miliardë e 776 milionë e 854 mijë e 648 euro.
Këto të dhëna janë bërë të ditura për FrontOnline nga Dogana e Kosovës.
Sipas këtyre të dhënave vlerën më të madhe të importit e kapin vajrat e naftës me gjithsej 375 milionë e 18 mijë e 570 euro.
Pas derivate të naftës vlerën prej 291 milionë e 593 mijë e 664 euro e kapin automjetet.
Vendin e tretë e zënë shufrat dhe shkopinjë e tjerë prej gize dhe çeliku me një vlerë prej 129 milionë e 949 mijë e 267 euro, shkruan FrontOnline.
Energjia elektrike zë vendin e katërt në importin e Kosovës
Kriza energjetike tashmë pothuajse ka përfshirë gjithë Evropën.
E, në mesin e këtyre vendeve hiq më mirë nuk qëndron as Kosova.
Për shkak të kësaj dje Kuvendi i Kosovës ka shpallë gjendjen e emergjencës për energjinë elektrike.
Masat emergjente në furnizim me energji përfshijnë: vendosjen e kufizimeve në furnizim me energji për konsumatorët dhe vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë, shkruan FrontOnline.
Që nga 22 dhjetori, konsumatorët në Kosovë po përballen me reduktime të energjisë elektrike.
Situata energjetike është përkeqësuar pasi konsumi i energjisë nuk po mund të mbulohet nga kapacitetet prodhuese të Korporatës Energjetike të Kosovës.
Sipas Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Kosova aktualisht prodhon deri në 600 megavatë rrymë në orë, kurse konsumi ka arritur deri në 1,400 megavatë në orë.
Siç duket kjo ka ndikuar edhe në import të saj.
Nga 69 euro për megavatë sa ishte çmimi vitin e kaluar, në këtë periudhë çmimi i importit të rrymës arriti deri në 600 euro për megavat, ka thënë zëdhënësi i Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike, Viktor Buzhala.
Sipas të dhënave të Doganës të dërguara për FrontOnline, importi i energjisë elektrike radhitet në vendin e katërt.
Ndërsa, vlera e importit kap shifrën prej 107 milionë e 195 mijë e 391 euro.
Kurse, në vendin e pestë radhitet importi i duhanit.
Vlera e importit kap shifrën prej 85 milionë e 722 mijë e 59 euro.
Pas duhanit radhiten medikamentet, ujërat, buka, çimento e produkte të tjera.
Eksporti në Kosovë shumë më i vogël se importi, kap vlerën e 477 milionë e 404 mijë e 895 euro
Për një miliardë e 299 milionë e 449 mijë e 753 euro është më pak vlera e eksportit në Kosovë në krahasim me importin gjatë vitit 2021.
Kosova ka eksportuar më së shumti mbajtës të dyshekëve, ku hyjnë artikujt e krevatëve dhe të ngjashëm( psh, dyshekët, jorganët me pambuk e të tjera).
Vlera e këtyre artikujve kap shifrën prej 120 milionë e 99 mijë e 499 euro.
Pas tyre, sipas të dhënave të Doganës së Kosovës të dërguara për FrontOnline, më së shumti gjatë vitit 2021 janë eksportuar ferro-lidhjet me një vlerë prej 77 milionë e 162 mijë e 994 euro.
35 milionë e 795 mijë e 457 euro është shuma e eksportit të tubave dhe tubacioneve të tjera, të cilat radhiten në vendin e tretë në tabelën e eksportit.
Kthimet dhe mbetjet ferrike kapin vlerën prej 35 milionë e 99 mijë e 357 euro, për tu pasuar nga pajisjet e ndërtimit prej plastikës shifra e të cilave kap vlerën prej 29 milionë e 491 mijë e 245 euro.
Pas pajisjeve të ndërtimit të plastikës vijnë ujërat, mobileri të tjera dhe pjesët e tyre e artikuj të tjerë./FrontOnline