×
  • Bota/Rajoni
  • Bota/Rajoni

    Xhaçka: Lufta në Ukrainë po kërcënon sigurinë e ardhshme globale të ushqimit

    FrontOnline
    19 Maj 2022

    Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Olta Xhaçka deklaroi sot se, lufta në Ukrainë po kërcënon sigurinë e ardhshme globale të ushqimit dhe se nuk duhet lejuar të shohim njerëz që vdesin nga uria në shekullin e 21-të.

    Ministrja Xhaçka me ftesë të Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken, mori pjesë sot në punimet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, mbi “Konfliktin e Sigurisë Ushqimore dhe Urinë”.

    “Dje patëm një diskutim të rëndësishëm rreth lançimit të “Thirrjes për Veprim Global për Sigurisë Ushqimore”, së cilës Shqipëria i bashkohet pa hezitim. Ne e vlerësojmë shumë kontributin tuaj personal dhe udhëheqjen e SHBA-së në fokusimin e vëmendjes së Këshillit të Sigurimit në faktorët, që nxisin sigurinë ushqimore në mbarë botën”, u shpreh ministrja Xhaçka në fjalën e saj.

    Sipas saj, konfliktet e sotme, kriza afatgjatë dhe përsëritja e pasigurisë kronike ushqimore janë më komplekse dhe po zgjasin shumë.

    “Është e pamohueshme që konflikti është tani shtytësi kryesor i urisë dhe pasigurisë ushqimore. Siç dëgjuam gjatë diskutimit të djeshëm, por edhe këtë mëngjes, numri i njerëzve që përjetojnë uri në mbarë botën dhe vuajnë nga pasiguria ushqimore është rritur që nga viti 2014. Në vendet e prekura nga konflikti, civilët janë sulmuar dhe vazhdojnë të sulmohen, vriten dhe zhvendosen me forcë. Shkatërrimi i infrastrukturës civile dhe aspekte të tjera të domosdoshme për mbijetesën e popullatës civile, reduktojnë në mënyrë drastike aftësinë për të prodhuar ushqim ose për të fituar të ardhura”, tha ajo.

    Ministrja vuri në dukje se konfliktet kontribuojnë në thellimin e pabarazive ekzistuese dhe prej dy vitesh tashmë, COVID-19 dhe ndryshimet klimatike, e kanë përkeqësuar edhe më tej situatën.

    “Afro 193 milionë njerëz janë jashtëzakonisht të pasigurt për ushqim dhe ka nevojë për ndihmë urgjente në 53 vende. Në Jemen, Siri, Afganistan, Republikën Demokratike të Kongos, Sudanin e Jugut, Haiti dhe gjetkë, miliona njerëz kanë nevojë për ushqim; miliona nuk e dinë se kur do të vijë vakti i tyre i ardhshëm”, tha ministrja.

    Ministrja Xhaçka më tej theksoi se agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës po përkeqëson më tej sigurinë globale ushqimore, e cila po prek gjithë botën.

    Bllokada, shkatërrimi i porteve dhe infrastrukturës të saj në Detin të Zi, vijoi ministrja, po prish furnizimin jetik me mallra ushqimore dhe produkte kryesore bujqësore, që janë thelbësore për sigurinë globale ushqimore.

    “Në Ukrainë ka ushqim, por nuk lejohet të dalë jashtë vendit. Kjo është e papranueshme dhe duhet të ndalet. Ndërprerja e madhe e prodhimit, tregtisë dhe rritja e çmimeve globale të karburantit, ushqimit dhe energjisë si pasojë e luftës, po përkeqësojnë pabarazitë ekzistuese në rajonet e prekura, duke rrezikuar sigurinë ushqimore, përkeqësuar krizat ekzistuese humanitare dhe duke shtyrë më shumë njerëz në varfëri. Lufta në Ukrainë mund të çojë deri në 40 milionë njerëz të tjerë në varfëri dhe uri dhe po kërcënon sigurinë e ardhshme globale të ushqimit. Ky është realiteti i trishtë; kjo është e vërteta”, theksoi ajo.

    Sipas Xhaçkës, viti 2022 parashikohet të sjellë pasiguri ushqimore.

    “Ne nuk duhet të lejojmë të shohim njerëz, që vdesin nga uria në shekullin e 21-të. Përmes Rezolutës 2417, Këshilli i Sigurimit ka pranuar se uria dhe konflikti ushqejnë njëra-tjetrën në një rreth vicioz dhe ka deklaruar se kërcënimi i urisë së civilëve si një metodë lufte, mund të përbëjë një krim lufte”, deklaroi ministrja.

    Rezoluta, sipas saj, është një thirrje për veprim, bazuar në parimet humanitare.

    “Rezoluta kërkon zbatimin efektiv të së Drejtës Ndërkombëtare Humanitare dhe llogaridhënies për ata që e shkelin atë. Gjithashtu, thekson rëndësinë e aksesit humanitar, si një nevojë thelbësore. Ne i kemi mjetet, ne duhet t’i përdorim ato. Ne bëjmë thirrje, për një rol më aktiv të Këshillit, në shqyrtimin dhe trajtimin e “urisë” së shkaktuar nga ky konflikt. Paralajmërimi dhe veprimi i hershëm, çojnë në parandalim. Parandalimi i “urisë” së shkaktuar nga konflikti, imponon respektimin e ligjit ndërkombëtar, humanitar nga të gjitha palët në konflikt. Veprimet humanitare dhe respektimi i të Drejtës Ndërkombëtare Humanitare mund të zbusin vetëm efektet e një konflikti në sistemet ushqimore, por nevojiten urgjentisht zgjidhje politike për t’i dhënë fund konflikteve”, u shpreh Xhaçka.

    Ministrja në fjalën e saj ndër të tjera tha se trajtimi i pasigurisë ushqimore në mbarë botën kërkon veprim urgjent dhe të koordinuar shumëpalësh, në disa aspekte kyçe.

    “Së pari, ne duhet të adresojmë shkaqet e krizave ushqimore, humanitare, të zhvillimit, problemet strukturore të kahershme që i bëjnë sistemet ushqimore të cenueshme dhe të rrisim qëndrueshmërinë. Së dyti, duhet të ketë një reagim të koordinuar multi-sektorial të zhvillimit, iniciativave humanitare dhe paqes në mënyrë, që të zvogëlohet rreziku i konfliktit të ardhshëm. Së treti, veprimet përmes sistemit të OKB-së dhe institucioneve financiare ndërkombëtare, duhet të çojnë drejt investimeve në sisteme të qëndrueshme ushqimore dhe barazi gjinore. Financimet për sigurinë ushqimore janë një komponent i rëndësishëm. Së katërti, nevojitet raportim më i mirë dhe në kohë. Këshilli i Sigurimit ka aftësinë unike për të kërkuar dhe siguruar raportim periodik, të dhëna dhe veprim në kohë, për situatat e pasigurisë ushqimore. Në këtë kontekst, Shqipëria mbështet caktimin e një të dërguari të posaçëm të OKB-së ose krijimin e një pike kontakti, për zbatimin e rezolutës 2417”, deklaroi Xhaçka.

    Ministrja nënvizoi se askush nuk duhet të jetë i uritur.

    “Nëse duam t’i japim fund urisë, të garantojmë sigurinë ushqimore, duhet të veprojmë për të parandaluar dhe ndaluar konfliktet, duke zgjedhur paqen dhe zhvillimin”, tha Xhaçka./ATSH

    Prince Caffe: Hape dhe fito preminë kryesore, çdo muaj nga një Fiat 500
    Nga Rubrika
    Bota/Rajoni26 Prill 2024
    Zv/kryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi ka reaguar pas rritjes së çmimit të polisës së sigurimit të detyrueshëm nga kompanitë e sigurimeve....
    Bota/Rajoni26 Prill 2024
    Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë armë dhe pajisje në Ukrainë këtë javë, ka thënë të premten presidenti amerikan Joe Biden. Duke...
    Bota/Rajoni26 Prill 2024
    Mund të nevojiten rreth 14 vjet për ta pastruar Rripin e Gazës nga mbeturinat, përfshirë mjetet e pashpërthyera, që janë lënë nga...
    Të tjera
    Sport26 Prill 2024
    Mbrojtësi i Barcelonës, Pau Cubarsi, ka bërë shpejt rrugën e tij nga debutuesi  surprizë në titullar të rregullt të ekipit, në tre...
    Sport26 Prill 2024
    Trajneri i Chelseat, Maurico Pochettino e ka pranuar se janë të varur nga mesfushori anglez Cole Palmer. Pochettino, mes tjerash ka thënë...
    Lajme26 Prill 2024
    Fondacioni “Përkrahje për Mbrojtjen Juridike të Hashim Thaçit” ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për mbrojtjen e duhur për ish-presidentin e Kosovës, Hashim...
    Lajme26 Prill 2024
    Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mori pjesë në takimin e radhës ministerial...
    Lajme26 Prill 2024
    Pas pajises së Klinikës së Mjekësisë Bërthamore me aparaturën SPECT/CT/PET ministri i shëndetësisë Arben Vitia është shprehur i lumtur që kanë arritur...
    Vip26 Prill 2024
    Jemi mësuar ta shohim në projekte dhe skeçe televizive e filmike aktoren Fiza Ramadani e cila ndërvite ka luajtur bashkë me humorist...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.