
Qeveria Kurti i ka mbushur të mërkurën 100 ditët e saj.
E për ato që bëri në këtë periudhë, kryeministri në detyrë Albin Kurti, i thuri lavde vetës dhe kabinetit të tij.
Në ekspozenë për 100 ditëshin e punës kryeministrore, Kurti i përmendi si punë të mira: luftën kundër korrupsionit, ndaljen e shpenzimit të parasë publike dhe ndaljen e “gjakderdhjes” financiare.
Por, gjatë fjalimit, ai nuk e tha asnjë fjalë për marrëdhëniet me SHBA-të, për prishjen e të cilave u akuzua disa herë.
Pikërisht vënia në pikëpyetje e këtyre marrëdhënieve me aleatin më të madh të vendit është çështja për të cilën, sipas analistit Blerim Burjani, do të mbahet mend kjo qeveri.
“Përpjekje për te prishur raportet, nuk po them se ia ka arritur qëllimit. Por Kuvendi me 82 vota ia ka treguar vendin dhe e ka shkarkuar për shkak të frikës që e ka pasur që mund t`i prish raportet me ndërkombëtarët – miqtë tonë. Kjo është ajo për te cilën do të mbahet mend kjo qeveri për një kohe kaq shumë të shkurt që mund ta quajmë si praktikë – kur ushtrojmë studentët sikur praktikë”, theksoi ai.
Një qasje e tillë e Kurtit ndaj aleatit më të madh të shqiptarëve e ka befasuar analistin politik, Ramush Tahiri.
Ai thotë se ka pritur se do të ishte pikërisht Kurti, ai i cili do t`i rregullonte raportet me Amerikën të cilat, sipas tij, ishin prishur në kohën sa Ramush Haradinaj kishte timonin e Qeverisë.
“Kjo qeveri, kaq pak ditë, ka pasur shumë zhurmë. Është fakt që marrëdhëniet me Amerikën kanë qenë në pikën më të ulët dhe shtetet e tjera. Marrëdhëniet kanë filluar të prishën edhe gjatë qeverisë “Haradinaj”, shkaku i qëndrimit të tij të ngurtë rreth taksës dhe rreth raporteve të tjera të Kosovës me shtetet e tjera te Bashkimit Evropian, në takimin me kancelaren Merkel dhe presidentin francez, Macron. Këtë trend e ka zhvilluar Albin Kurti. Unë kam prit që ai do ta ndërpresë dhe që do t`i zhvillojë brenda diskutimit dhe jo përmes opinionit”, u shpreh Tahiri për Front Online.
Kjo qeveri tani është qeveri në detyrë, meqë pas 51 ditësh bashkëqeverisje, LDK-ja inicioi mocion mosbesimi në Kuvendin e Kosovës për të shkarkuar qeverinë e kryeministrit, Albin Kurti, pjesë e të cilës ishte.
Përkrahje, mocionit, i dhanë të gjitha partitë e tjera opozitare.