×
  • Lajme
  • Lajme

    ​Osmani: Vetëvendosjen e kam partnere të pakontestueshme, mocionin ende nuk e kemi diskutuar

    FrontOnline
    14 Shtator 2020

    Deputetët e Kuvendit të Kosovës do t’iu rikthehen seancave plenare këtë të enjte. Dy javë pasi është arritur marrëveshja e Uashingtonit për normalizimin ekonomik me Serbinë, kryeministri Avdullah Hoti do të raportojë para të zgjedhurve të popullit. E këtij të fundit, kryeparlamentarja Vjosa Osmani ia atribuon dështimin në miratimin e ligjeve gjatë sesionit pranveror.

    Në një konferencë për medie pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Osmani theksoi edhe se partner të vetëm në rast të zgjedhjeve të parakohshme e ka partinë e Albin Kurtit, por tha se nuk ka vendosur ende se a do të nënshkruajë mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Hoti.

    Osmani e largoi barrën nga Kuvendi për dështimin e miratimit të pakos për rimëkëmbje ekonomike, teksa tha se është obligim i shumicës parlamentare të sigurojë votat e 61 deputetëve.

    Osmani: Është obligim për shumicën parlamentare të sigurojë 61 deputetët e vet

    “Është obligim i shumicës parlamentare siç ka qenë në çdo legjislaturë para kësaj të ketë vota të mjaftueshme për t’i kaluar ligjet. Pra kërkohet shumicë e thjeshtë në qoftë se vetëm e marrim si shembull projektligjin për rimëkëmbje ekonomike që ka qenë një prej ligjeve të fundit që është trajtuar në sesionin paraprak aty shumica parlamentare i ka pasur 42 deputetë. Obligim parësor është mbi shumicën parlamentare të sigurojë 61 deputetët e vet që të jenë në seancë dhe të marrim pjesë në votim”, tha ajo.

    Osmani foli edhe për seancën e radhës të Kuvendit, ku bëri të ditur se përveç raportimit të kryeministrit, në interpelancë do të jenë ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu për çështjen e Karaçevës dhe ai i Arsimit, Ramë Likaj për fillimin e procesit mësimor në kohë pandemie.

    Osmani: Të enjten kryeministri raporton në Kuvend

    “Çështja e parë ka të bëjë me raportimin e kryeministrit për dialogun. Kryeministri e ka obligim kushtetues t’i raportojë Kuvendin edhe për çështje të politikës së jashtme. E në veçanti këtu për dialogun bazuar në Kushtetutë, por edhe një sërë rezolutash që janë miratuar në Kuvendin e Kosovës. Ne kemi vendosur si kryesi e Kuvendit që kryeministrinë të ftojmë të raportojë të enjten si pikë e parë e rendit të ditës në seancën e re. Para se të vazhdojmë me atë seancë, ne do të votojmë disa pika për të cilat nuk ka pasur kuorum në seancat e mëparshme”, tha ajo.

    E pyetur nga KosovaPress se a do ta nënshkruajë mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Hoti, kryeparlamentarja Osmani tha ende nuk kanë diskutuar me Lëvizjen Vetëvendosje.

    Osmani: Ende nuk e kam diskutuar me LVV-në çështjen e mocionit

    “Sa i përket çështjes së mocionit, ne nuk e kemi diskutuar këtë çështje me VV dhe as nuk e kam parë tekstin. Në momentin që ulem dhe e shqyrtojë do të vij me një përgjigje konkrete për ju”, tha Osmani.

    Duke folur rreth partneritetit të mundshëm në rast të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ashtu sikurse po kërkon Lëvizja Vetëvendosje, Vjosa Osmani ka bërë të ditur se partinë e ish-kryeministrit Kurti e sheh si partnerin e vetëm.

    Osmani: Lëvizjen Vetëvendosje e shoh partner të vetëm dhe të pakontestueshëm

    “Për momentin partner të vetëm dhe pakontestueshëm sa i përket koalicioneve parazgjedhore e shoh vetëm Lëvizjen Vetëvendosje”, u shpreh Osmani, e cila ka paralajmëruar formimin e një iniciative të re politike, pas daljes nga Lidhja Demokratike e Kosovës, për shkak të kundërshtimeve ndaj qëndrimeve të partisë.

    Kryeparlamentarja po ashtu tha se ajo nuk ka lobuar asnjëherë ndaj projektligjeve që Qeveria e Kosovës ka dorëzuar në Kuvend për miratim, por për çështje të interesit nacional i ka shtyrë ato përpara./

    Nga Rubrika
    Lajme09 Prill 2025
    Komuna e Gjakovës ka bërë të ditur se sot ka nderuar trimat e Betejës së Koshares, një ndër betejat më të rëndësishme...
    Lajme09 Prill 2025
    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka reaguar pas vdekjes së 15 personave nga shembja e çatisë në një klub nate në Republikën...
    Lajme09 Prill 2025
    Kaja Kallas erdhi për herë të parë në rajon që kur u vu në krye të diplomacisë së Bashkimit Europian me paralajmërimet...
    Të tjera
    Lajme09 Prill 2025
    Agjencia e Statistikave të Kosovës publikon Statistikat e Hotelerisë për muajin shkurt 2025. Në shkurt 2025, numri i vizitorëve (vendorë dhe të...
    Lajme09 Prill 2025
    Një person ka pësuar lëndime trupore si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur sot në fshatin Nabërgjan të Klinës. Rastin e...
    Lajme09 Prill 2025
    Ushtarët italianë të Komandës Rajonale në perëndim të misionit të KFOR-it kryen patrullime përgjatë vijës kufitare me Serbinë në veri të Istogut....
    Lajme09 Prill 2025
    Nga data 7 deri më 11 prill 2025, në Shkodër të Shqipërisë po zhvillohet ushtrimi rajonal “FloodNorthAlb”, një aktivitet i rëndësishëm që...
    Sport09 Prill 2025
    Paul Pogba i vitit 2025 është një person ndryshe nga e kaluara. Flet me zë të ulët, me qetësi dhe një buzëqeshje...
    Lajme09 Prill 2025
    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, refuzoi të përgjigjej në pyetjet e gazetarëve për refuzimin e ftesës nga ana e Lidhjes Demokratike të...
    -->

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.