Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Vlora Dumoshi, ka zhvilluar sot një takim me drejtorin ekzekutiv të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, me të cilin ka biseduar për bashkëpunim në nisma të përbashkëta me interes të dyanshëm dhe në dobi të promovimit të projekteve dhe aktiviteteve të ndryshme.
Dumoshi tha se është e gatshme të bashkëpunojë me OEAK-un në projekte që ndërlidhen ngushtë me fushat që mbulon ministria. Ajo e njoftoi drejtorin Zeka për angazhimet që po ndërmerr MKRS-ja në kohën e pandemisë, duke realizuar aktivitete në distancë në pamundësi për të konkretizuar shumë pjesë që janë paraparë në programin e sivjetmë të ministrisë.
Ndërkaq, përfaqësuesi i OEAK-ut, Arian Zeka, e njoftoi ministren Dumoshi për realizimin e një ekspozite me fotografi për përvjetorin e vizitës së parë senatorit amerikan Robert Dole në Kosovë, me ç’rast kërkoi edhe mbështetjen e MKRS-së.
Ministrja Dumoshi tha se senatori Dole ka bërë aq shumë për Kosovën sa që meriton çdo respekt, mirënjohje dhe falënderim.
“Një ekspozitë për vizitën e tij në Kosovë do të ishte e mirëpritur dhe do ta përkrahim pa hezitim”, tha ajo.
Dumoshi dhe Zeka u pajtuan se do të konkretizojnë veprimet për realizimin e ekspozitës në mënyrë artistike e profesionale, e cila planifikohet të realizohet në Prishtinë.