Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, së bashku me drejtoreshën e Drejtorisë së Administratës së Përgjithshme, Brikenë Ramabaja, kanë pritur sot në një takim kreun e Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava.
Në këtë takim të pranishëm ishin edhe kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Kamenicë, Ferit Dërmaku, sekretari i BIK-ut, Ahmet Sadriu, këshilltari Vedat Sahiti si dhe përfaqësues të tjerë.
I pari i komunës, Qëndron Kastrati, ka falënderuar myftiun Tërnava si dhe Këshillin e Bashkësisë Islame në Kamenicë, për kontributin që kanë dhënë gjatë gjithë kësaj kohe.
“Bashkësia Islame në Kamenicë ka kontribuar mjaft shumë gjatë kohës së pandemisë si dhe në rrethana të tjera. Ju falënderoj për bashkëpunimin që edhe ju si Bashkësi Islame keni pasur me ne”, ka thënë Kastrati.
Myftiu Tërnava tha se kontributi i Bashkësisë Islame të Kosovës do të vazhdojë ende aty ku është e nevojshme.
“Më vjen shumë mirë për kontributin që ka dhënë Bashkësia Islame në Kamenicë. Unë ju falënderoj për korrektësinë që keni pasur si me Bashkësinë Islame këtu, por edhe me ne. Ne do të vazhdojmë kontributin tonë këtu dhe kudo që ka nevojë”, ka thënë ai.