Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla dënon ashpër aktin e shëmtuar të djegies së flamurit të Greqisë në një nga sheshet e Prishtinë.
Djegia e flamurit është bërë nga një grup tifozësh pas humbjes në ndeshjen e parë para kualifikuese të Ligës së Evropës me ekipin qipriot Apoel.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës konsideron se djegia e flamurit të cilitdo shtet është akt i papranueshëm dhe kërkon nga organet e rendit që t’i sjellin para drejtësisë personat që kanë bërë këtë veprim.
“Dënojmë fuqishëm çdo lloj akti fyes të simbolit kombëtar të cilitdo shtet, në rastin konkret të Greqisë. Kosova dhe Greqia kanë vendosur dialog praktik, kanë zyra ndërlidhëse në kryeqendrat e tyre dhe të dyja palët punojnë për të thelluar dialogun edhe më tej”, ka deklaruar kryediplomatja e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj Stublla, duke e konsideruar të papranueshëm aktin e ulët të disa tifozëve.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës pret që organet e rendit të reagojnë shpejtë dhe të vendosin para drejtësisë autorët e këtij akti, pasi konsideron se shprehja e pakënaqësisë duke djegur flamurin e një vendi në një ndeshje sportive, është akt i shëmtuar dhe në kundërshtim të plotë me vlerat dhe idealet e përqafuara nga populli i Kosovës, si shoqëri demokratike.