×
  • Lajme
  • Lajme

    ​Brenda laboratorëve të IKSHPK-së, aty ku heronjtë e heshtur zbulojnë armikun e padukshëm

    FrontOnline
    30 Gusht 2020

    Tash e shtatë muaj në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës po kryhen testime për COVID-19. Deri më tani, laborantët e Mikrobiologjisë Molekulare në këtë institucion kanë testuar mbi 50 mijë mostra tek personat e dyshimtë me virusin SARS-CoV-2, e brenda një ditë në këtë laborator me metodën RT-PCR po testohen mbi 500 mostra.

    KosovaPress sjell pamje nga brenda të laboratorëve të IKSHPK-së dhe procedurën e punës që ndjek sistemi shëndetësor deri te diagnostikimi i sëmundjes me COVID-19.

    Pikërisht ky institucion është shndërruar në një nga më të rëndësishmin e vendit, ku qytetarët janë gjithë “sy e vesh” në publikimin e rezultateve të testimit.

    Me kritika për vonesa të publikimit të rezultateve janë përballur punëtorët e këtij institucioni, por puna e përditshme që bëjnë nuk është fare e lehtë. Ata janë heronjtë e heshtur që bëjnë një punë të jashtëzakonshme në identifikimin e armikut të padukshëm.

    Zana Kaçaniku Deva, specialiste e Mikrobiologjisë në IKSHPK, tregon të gjithë procedurën që ndiqet për zbulimin e koronavirusit. Pas pranimit të mostrave nga terreni, ato etiketohen dhe më pastaj regjistrohen në data bazë.

    Deva: Në këtë pjesë e kemi dhomën ku vijnë mostrat

    “Në këtë pjesë e kemi dhomën ku vijnë mostrat, do të thotë prej terrenit, qoftë prej qyteteve tjera, të Prishtinës, qoftë prej klinikave, Klinikës Infektive, Pulmologjike, prej Qendrës së Mjekësisë Sportive. Të gjitha këto mostra së pari vijnë në këtë vend për t’u renditur, për t’u etiketuar, më pastaj do të thotë çdo mostër është me udhëzimin e cila etiketohet duhet në hapin tjetër të regjistrohet në data bazën tonë, pra në këtë pjesë i kemi kompjuterët ku i regjistrojmë. Më pastaj ato do të procedohen më tutje për testim”, thotë ajo.

    Me pastaj, ajo tregon se mostrat dërgohen për ekstrahim të materialit gjenetik në dhomat që njihen si “të ndotura” për shkak të rrezikut të madh për t’u infektuar.

    Deva: Mostrat procedohen më tutje për analizë të mëtutjeshme me PCR

    “Hapi i ardhshëm është ekstrahimi i materialit gjenetik nga mostra, e cila bëhet në hapësirat e destinuara vetëm për këtë qëllim. Për ndryshe këto dhoma njihen si dhomat e ndyra apo të ndotura sepse këtu është rreziku më i madh i infektimit me koronavirus, pasi që mostra do të thotë e cila përmban virusin nëse e përmban nëse pacienti është infektuar duhet më tutje të merret të punohet në ato hapat derisa të nxjerrët materiali gjenetik për analizë të mëtejshme përmes PCR. Kjo është një prej dhomave të destinuara për ekstrahim, i kemi ekipet që punojnë”, thotë ajo.

    Doktoresha Deva tregon hapin e fundit që bëhet deri tek arritja e rezultateve të mostrave. E rezultatet e tyre më tutje procedohen nga Departamenti i Epidemiologjisë në IKSHPK.

    Deva: Vendosen për lexim dhe pasi të kryhet testimi i marrim rezultatet

    “Pasi të vendoset mostra krijohet ai plani i punës se si do të renditen mostrat në ato pllakat për testim. Pra, i shihni këtu një formë të planit të punës e keni këtu… dhe vendosen për lexim dhe pasi të kryhet testimi i marrim rezultatet ato të cilat kanë rezultuar pozitive i shënojmë në këtë planin ku i kemi të gjitha mostrat e evidentuara në bazë të numrit të tyre qysh kanë hyrë në aparaturë dhe vendosen të dhënat në data bazë dhe rezultatet të gjitha i raportojmë në Departamentin e Epidemiologjisë në IKSHPK. Departamenti i Epidemiologjisë më tutje merret me menaxhimin e rasteve që dalin pozitive”, thotë ajo.

    Të njëjtën procedurë të punës e kanë tash e sa muaj, e që është karakterizuar me punë edhe jashtë orarit me qëllimin e vetëm që qytetarët të marrin rezultatet në kohën më optimale të mundshme.

    Por, e gjithë kjo punë, doktoresha Deva thotë se nuk ka qenë e lehtë dhe se gjithmonë janë të rrezikuar nga mundësia e infektimit me koronavirus.

    Në fillim të muajit shkurt, kur kanë filluar testimet për COVID-19, ajo tregon se kanë qenë një numër më i vogël i punëtorëve e ka pasur vështirësi më të madhe në punë. Por, me kalimin e muajve ky numër i punëtorëve tashmë është shtuar dhe është mundësuar puna në dy ndërrime.

    Rastet e para me COVID-19, Kosova i ka shënuar me 13 mars, e që më pastaj ky numër në vazhdimësi ka shkuar duke u rritur, e tashmë të infektuar me koronavirus janë mbi 13 mijë persona. Doktoresha Deva kujton ditën kur vendi shënoi numrin rekord prej 276 rasteve pozitive me COVID-19, e që thotë se për të gjithë personelin ishte një ditë mjaftë e rëndë.

    Deva: Sigurisht se ka qenë ditë mjaftë e rëndë

    “Sigurisht se ka qenë ditë mjaftë e rëndë, edhe pse ne ditë të tilla kemi pasur mjaftë shumë. Ka edhe raste të vdekjeve në mesin e personelit shëndetësor dhe ato ditë ndonëse ne jemi të mbyllur këtu, nuk jemi në Klinika, për ne ato ditë kanë qenë përjetim mjaftë i rëndë. Mirëpo, ne mundohemi që prapë se prapë të jemi të përkushtuar në punën tonë të japim rezultatin sa më parë që mundemi dhe nuk mund t’i lëshohemi dëshpërimit për momentin”, thotë ajo.

    Duke parë punën e madhe që i priste punëtorët e Laboratorit të Mikrobilogjisë Molekulare në IKSHPK, Blend Jerliu, bachelor i biokimisë laboratorike, qysh në mars kishte vendosur t’i bashkohet vullnetarisht ekipit të IKSHPK-së.

    Ai tregon arsyen që e ka shtyrë të marrë këtë vendim, derisa thekson se ambientimi me punën nuk ka qenë shumë i vështirë, për shkak se ka përfunduar disa praktika në këtë Institut, por që thotë se këtë radhë ai përballej me një virus më misterioz.

    Jerliu: Desha t’i shërbej vendit

    “Nuk kam marrë në konsideratë kurrgjë përpos t’i shërbej vendit dhe t’i ndihmoj Institutit që të jepen rezultatet sa më të sakta dhe shërbime sa më korrekte për secilin qytetar. Kjo ka qenë një ndër arsyet pse kam ardhur këtu, t’i ndihmoj vendit, t’i shërbej Institutit dhe atdheut”, thotë ai.

    Jerliu, që është angazhuar në pjesën ku bëhet ekstrahimi i mostrave, thotë se as ai nuk i shpëtoi infektimit me COVID-19. Mirëpo, ai këtë virus nuk e mori në vendin e tij të punës, por u infektua nga nëna e tij, e shprehet i lumtur që virusin nuk e ka transmetuar tek asnjë koleg i punës.

    Jerliu: Fillimisht nëna i ka pasur simptomat e para, pastaj edhe anëtarët e tjerë të familjes

    “Fillimisht nëna i ka pasur simptomat e para, pastaj edhe anëtarët e tjerë të familjes. Simptoma kam pasur, nëna gjithashtu ka pasur me ethe, temperaturë dhe simptoma të ngjashme që janë të njohura që i atakon ky virus. Babi ka pasur më shumë probleme, bile ka marr terapi dyjavore edhe kështu e kemi kaluar, pas dy jave pastaj gjithçka ka shkuar në rregull. Shyqyr Zotit jemi të gjithë mirë dhe e kemi kaluar, jo ta quaj lehtë, po me pak vuajtje, po megjithatë në fund kemi triumfuar ndaj virusit… Ka qenë një ndjenjë e përzier, fillimisht me thënë shyqyr që ndoshta po e kryej se tu u merr që një kohë me këtë virusin të paktën e zura unë. Por, megjithatë jo mirë kur vetëm filloj me pas më shumë efekt në babin dhe me pas gjendje më të rëndë Klinike”, shprehet ai.

    Në anën tjetër, mikrobiologia Rrezarta Bajrami, tregon për ditët e punës gjatë kësaj periudhe kur vendi po përballet me pandeminë COVID-19.

    Punë pa orar, e shumë sfiduese e quan ajo këtë periudhë të punës në laboratorin e IKSHPK-së ku zbulohet koronavirusi.

    Bajrami që është nënë e tri vajzave, thotë se për të është shumë e vështirë mbajtja e distancës më to.

    Bajrami: Ju kam munguar shumë fëmijëve se në fillim kemi punuar disa muaj pa orar

    “Rrisku normalisht që ka ekzistuar, mirëpo duke i respektuar ato masat mbrojtëse, rrobat dhe uniformat, maskat, të gjitha protokollet sipas standardeve dhe mundësitë shumë të vogla dhe nuk kemi pasur infeksione brenda në laborator…Unë jam nënë e tri vajzave, ju kam munguar shumë fëmijëve se në fillim kemi punuar disa muaj, diku katër muaj kemi qenë pa orar. Ju kam munguar, e kanë vërejtur çdo ditë mungesën time, çdo ditë më kanë thënë ‘nanë a ki me shku edhe sot në punë’. Mirëpo, jemi munduar në një farë mënyre t’i ruajmë dhe me t’i kursejmë”, rrëfen ajo.

    Ndonëse tashmë me ardhjen e stafit shtesë, puna është lehtësuar pak, ajo thotë se vazhdon të jetë e kujdesshme sepse nuk dëshiron që të rrezikojë të infektohet me COVID-19.

    Në luftë për të zbuluar koronavirusin punëtorët e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës janë qysh nga muaji shkurt, e nga 13 marsi kur janë shfaqur rastet e para me COVID-19 janë testuar mbi 50 mijë persona të dyshimtë me SARS-CoV-2. Me këtë virus janë infektuar mbi 13 mijë persona, ndërsa kanë vdekur mbi 500 persona.

    Nga Rubrika
    Lajme17 Nëntor 2024
    Kandidati për kryeministër i koalicionit AAK, Nisma, Lista Konservatore dhe Forumi Intelektual E-30, Ramush Haradinaj, po qëndron për vizitë në Gjermani. Haradinaj...
    Lajme17 Nëntor 2024
    Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, në një konferencë për media, ka kërkuar shkarkimin e deputetes Fitore Pacolli...
    Lajme17 Nëntor 2024
    Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, sot ka pasur një takim me kryetarin dhe kryesinë e Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë në...
    Të tjera
    Lajme17 Nëntor 2024
    Vetëm gjatë muajit gusht të këtij viti rreth 140 qifte vendosën t’i ndajnë rrugët e tyre. Sipas të dhënave të Agjencisë së...
    Lajme17 Nëntor 2024
    Njohësi i Çështjeve të Sigurisë, Bedri Elezi për Front Online, thotë se nuk ka besuar në premtimin e kryeministrit Albin Kurti për...
    Lajme17 Nëntor 2024
    Nesër, Qeveria e Kosovës do të jetë nikoqire e një takimi të përbashkët me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut. Sipas kryetarit të...
    Lajme17 Nëntor 2024
    Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, për FrontOnline, ka folur për premtimin e kryeministrit Albin Kurti, për shërbimin ushtarak të detyrueshëm. Për të...
    Kronika17 Nëntor 2024
    Ka vdekur sot në spital gruaja që pësoi lëndime në aksidentin mes trenit të udhëtarëve dhe një veture të ndodhur më 2...
    Lajme17 Nëntor 2024
    Sot shënohet dita e themelimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. E deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti bashkë me Nait Hasanin dhe Bislim...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.