Ministri i Arsimit, Ramë Likaj e ka lutur kryetarin e Kamenicës, Qëndron Kastrati të pauzojë çështjen e riorganizimit të shkollave atje. Ministri kërkoi që nxënësit e Busavatës të kthehen në shkollën e fshatit.
Likaj theksoi se riorganizim i shkollave do të ndodhë në nivel vendi në të ardhmen.
“Baza ligjore është përgatitur dhe nënshkruar me datën 14 që e rregullon këtë çështje, ku askush nuk mund të jetë i anashkaluar dhe ofenduar. Aty i lejohet edhe riorganizim dhe vazhdim i punës së institucioneve shkollore. Ne kemi kërkuar në formën më të mirë mundshme ku i kemi ofruar ndihmën profesionale dhe ndihmën financiare që për shkak të pandemisë nxënësit, sidomos të Busavatës të kthehen në shkollën e fshatit”, tha ai.
Likaj në Kuvend ku është thirrur në interpelancë, tha se për shkak të pandemisë duhet të pauzohet ky riorganizim në Kamenicë.
“E kisha lut edhe kryetarin e komunës së Kamenicës që të ketë mirëkuptim për shkak të situatës, por riorganizimi ka me ndodhë. Por njëherë të pauzohet kjo çështje, e ajo do të ndodhë në nivel të Kosovës sipas një riorganizimi të cilin ministria është duke bërë”, tha ai.
Sot gjatë ditës kanë protestuar banorët e disa fshatrave në Kamenicë pikërisht për çështjen e riorganizimit të shkollave.