Pas qëndrimit në Kosovë, emisari special i presidentit Donald Trump për dialogun, Richard Grenell ka arritur sonte për një vizitë në Beograd.
Ai dhe pjesa tjetër e delegacionit të qeverisë amerikane, në aeroportin e Beogradit janë pritur nga kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiq dhe ambasadori i SHBA-së Anthony Godfrey.
Grenell, së bashku me drejtorin ekzekutiv të DFC, Adam Boler, do të takohen nesër me presidentin Aleksandar Vuçiq dhe kryeministren Ana Bërnabiq.
Përfaqësuesit e dy delegacioneve do të nënshkruajnë deklaratën e përbashkët pas takimit, dhe më pas do të mbajnë deklarime për media.
Në dy ditët e ardhshme, delegacioni i lartë i DFC do të ketë takime me përfaqësues të Dhomës të Tregtisë dhe Ministrive të Financave dhe Transportit, Ndërtimit dhe Infrastrukturës të Serbisë.
Me ardhjen e Grenell dhe Boler, fillon realizimi konkret i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis Beogradit dhe Prishtinës, e cila u nënshkrua më 4 shtator në Uashington.
Marrëveshja parashikon hapjen e një zyre rajonale të DFC-së në Beograd.