Vjena do të dëbojë një diplomat rus, tha të hënën Ministria e Jashtme e Austrisë.
Mediet austriake raportuan se ai ishte i përfshirë në spiunazh ekonomik për vite me radhë.
Deklarata nuk bëri të ditura detaje tjera.
Raportet e medieve, thanë se diplomatit i ishte dhënë kohë deri më 1 shtator për të lëshuar vendin.
Tabloidi Kronen Zeitung tha se ai, për vite me radhë, kishte spiunuar me ndihmën e një qytetari austriak në një ndërmarrje të teknologjisë së lartë.
Ambasada Ruse në Vjenë dënoi urdhrin e dëbimit.
“Jemi të indinjuar nga vendimi i pabazuar i autoriteteve, i cili është i dëmshëm për marrëdhëniet konstruktive”, tha ambasada ruse.
Austria ka zhvilluar lidhje të ngushta me Rusinë vitet e fundit.
Në vitin 2018, Austria tha që nuk do të mbështes një numër vendesh të tjera të BE në dëbimin e diplomatëve rusë për helmimin e një ish-spiuni rus në Britani, duke theksuar pozicionin e saj neutral. /REL/