Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Emilja Rexhepi ka kërkuar nga Banka Botërore mbështetje më të madhe financiare për komunitetet joshumicë në vend.
Ajo u ndal veçmas te ndihma në fushën e agrokulturës, mbështetja për të rinjtë, gratë si dhe organizatat joqeveritare e shoqatat e ndryshme.
Kërkesën ajo thotë ta ketë artikuluar gjatë takimit që pati të mërkurën me drejtoreshën e zyrës së Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, Xiaoqing Yu, drejtoreshën rajonale për zhvillim social, Fadia Saadah, si dhe menaxherin e zyrës së Bankës Botërore për Kosovë, Massimiliano Paolucci.
Treshes, Rexhepi u prezantoi edhe strategjinë kombëtare të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik e synime të tjera që kanë si qeveri.
“Zhvillimi i barabartë njerëzor (arsim cilësor që në moshë të hershme të fëmijëve, shëndet dhe mirëqenie më të mirë, kulturë krijuese dhe shoqëri aktive, fuqizim i bujqësisë). Siguria dhe sundimi i ligjit (gatishmëri e lartë për paqe dhe siguri, drejtësi efikase). Qeverisja e mirë (qeveri efikase dhe e përgjegjshme, forcimi i subjektivitetit ndërkombëtar)”, u shpreh ajo.