Tarifat e energjisë u rritën njëherë. Por ato mund të shtrenjtohen prapë për kosovarët, varësisht prej krizës energjetike dhe importit në muajt e dimrit.
Mundësinë e la të hapur Kryesuesi bordit të ZRrE-së, Ymer Zejnullahu.
“Aktualisht deri më tani nuk janë plotësuar kërkesat ose kriteret ligjore për një shqyrtim tjetër të jashtëzakonshëm. Prandaj kjo është përgjigja që mundem me dhënë deri në këtë moment. Por përjashtim nuk bëhet kurdo herë, pasi nuk varen prej ZRrE-së dhe prej çmimeve të energjisë dhe gazit”, deklaroi ai.
Me të nuk u pajtua grupi parlamentar i AAK-së.
Shefi i deputetëve të kësaj partie, Besnik Tahiri ia tha para medieve, por edhe në takimin sy me sy që patën sot ku diskutuan për krizën e mundshme energjetike.
“Si grup parlamentar e kemi kundërshtuar çfarëdo ngritje të çmimit të energjisë. Qytetari i Kosovës më nuk ka mundësi me përballu një ngritje të energjisë. Ajo çka jemi informuar është se planifikimi me këto tarifa dhe subvencionimin që vjen nga qeveria, që ende nuk është disburusar, rrjedhimisht këto tarifa të rrinë dhe mos të ketë ngritje të çmimit të energjisë”, tha Tahiri.