Raportime për zjarre të shumta mbrëmë pati edhe nga rajoni i Mitrovicës
Zjarret përfshinë mbrëmë edhe pyllin e fshatit Cërrnushë të Mitrovicës, ku u rrezikuan edhe disa objekte banimi.
Lidhur me këtë situatë pati një deklarim edhe nga Policia e Kosovës.
Sipas policisë, banorët e dy shtëpive të cilët rrezikoheshin nga zjarri janë evakuuar.
“Raportohet se në rrethana të panjohura është kapluar nga zjarri një pjesë e pyllit ku zjarri kishte rrezikuar edhe disa shtëpi në fsh. Zasell. Banorët e dy shtëpive janë larguar”, thuhet në raport.
Gjithashtu u theksua se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore si dhe ekipet e zjarrfikësve.
E në ndihmë për të shuar këto zjarre dolën edhe FSK dhe KFOR-i.
“Në vend-ngjarje kanë dalë njësitet e zjarrfikësve, FSK-së dhe KFOR-i me helikopter. Zjarri është lokalizuar pjesërisht por vazhdon në përmasa më të vogla. Nuk raportohet për të lënduar”, thuhet në raport.