×
  • Opinione
  • Opinione

    Zhgjëndrra e skëterrshme dhe ëndrra shpëtimtare

    Blerim Shala
    03 Qershor 2024

    Shkruan: Blerim Shala

    Sipas Nenit 1 të Konventës së Montevideos (1933, 1934), një shtet si subjekt në të Drejtën Ndërkombëtare duhet t’i ketë këto cilësi për t’u kualifikuar si shtet:

    Së pari, popullatën e përhershme; Së dyti territorin e definuar; Së treti Qeverinë dhe së katërti, kapacitetin të hyjë në marrëdhënie me shtetet e tjera.

    Palestina e sotme, nga pikëshikimi i Konventës së Montevideos e plotëson realisht vetëm një kriter, atë të parin: Ka popullatë të përhershme.

    Të tri kriteret e tjera nuk ekzistojnë, edhe pse shumëkush këtu mund të thirret në Rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Palestinën, pastaj në faktin që ekzistencën e shtetit të Palestinës e kanë njohur 145 shtete nga 193 shtetet anëtare të OKB-së, në historikun e Marrëveshjes së Oslos (1993), në mes të Autoriteteve palestineze dhe shtetit të Izraelit, etj. etj.

    Megjithatë, aktualisht, nuk dihet se cili do të jetë territori i shtetit të Palestinës, nuk dihen pra kufijtë e tij, por çka është më e keqja, në Palestinë nuk ka një qeveri të përbashkët që është autoritet si në Bregun Perëndimor ashtu edhe në Gaza. Edhe për këtë shkak, nuk e plotëson as kriterin e katërt të Konventës së Montevideos, sepse nuk dihet se kush në emër të Palestinës mund të hyjë në marrëdhënie dhe në marrëveshje me shtetet e tjera, para se të gjithash me vet Izraelin.

    Por, mbi të gjitha, për ta njohur një shtet, ai duhet të ekzistojë në kuptimin e mirëfilltë, gjë që nuk është aspak rasti me Palestinën.

    Sidoqoftë, këto ditë tri shtete evropiane, Norvegjia, Spanja dhe Irlanda, morën vendimin që ta njohin shtetin e Palestinës, pikërisht tani, në kulminacionin e luftimeve finale (siç është paralajmëruar nga Qeveria e Izraelit), në Gaza.

    Edhe Qeveria e Sllovenisë këtë të enjte (30 maj), i ka propozuar Kuvendit të këtij shteti të njëjtën gjë. Për më shumë, ka shenja që edhe shtete të tjera evropiane, do t’i bashkohen Norvegjisë, Spanjës, Irlandës dhe Sllovenisë.

    Kjo nuk do të ndodhë me SHBA-në, Britaninë e Madhe, Gjermaninë dhe Italinë, për shkaqe të njohura.

    Diçka e tillë ka qenë e paimagjinueshme tash një vit, ta zëmë. E të mos flasim për atë periudhën e parë disamujore pas aktit terrorist të Hamasit brenda shtetit të Izraelit.

    Çfarë ndodhi atëherë në ndërkohë që ndërroi aq shumë mendjen dhe bindjet shumicës së shteteve evropiane?

    Ndodhi TV. Apo, transmetimi live i të gjitha tmerreve të përditshme në Gaza por edhe në Bregun Perëndimor.

    Pastaj, nuk ndodhi ajo që pritej, supozohej dhe shpresohej nga Administrata e Presidentit Biden dhe nga kryeqytetet e tjera perëndimore. Qeveria e Izraelit nuk ka shprehur gatishmëri që të arrijë së pari një armëpushim të mirëfilltë, i cili do të pasohej me një Marrëveshje ndërkombëtare (midis SHBA-së/ Perëndimit, Izraelit dhe shteteve arabe, përfshirë këtu edhe Autoritetin aktual palestinez), bazuar në atë ‘Kodin’ e kamotshëm për ‘two state solution’ (zgjidhjen me dy shtete), i cili ka rrënjët e veta në Marrëveshjen e Oslos.

    Më në fund, shtetet perëndimore, duke u nisur këtu nga SHBA-ja, janë goditur brenda vetes, nga opinioni i tyre publik, më shumë se asnjëherë më parë që nga Lufta e Vietnamit, për shkak të pafuqisë për të ndikuar që katastrofa e Gazës të ndalet dhe që të gjendet një solucion politik për këtë luftë që është kryelajmi ndërkombëtar në Botë në gati tetë muajt e kaluar.

    Kredibiliteti politik dhe moral i Perëndimit, i mbrojtur goxha mirë në fushëbetejat e Ukrainës, që nga shkurti i vitit 2022, ka rënë përtokë (si thuhet), në rastin e Gazës, që prej fillimit të këtij viti e këndej.

    Nuk është aspak e qartë se cilat do të jenë pasojat afatshkurtra në Izrael dhe në Luftën e Gazës, në vijim të këtyre akteve politike dhe diplomatike të shteteve evropiane.

    Tel Avivi zyrtar është i shokuar me këtë nismë të kryeqyteteve evropiane. Kjo është e sigurt. Por, nuk ka shenja, së paku në rrethanat aktuale, që Qeveria e Izraelit do ta kuptojë dhe pranojë hisen e vet të përgjegjësisë për këtë zhvillim në Evropë.

    Pasojat afatmesme dhe afatgjata, të synuara nga shtetet evropiane që njohën Palestinën (dhe që do ta bëjnë këtë gjë në ditët dhe javët vijuese), por mbi të gjitha nga ShBA-ja, është paqja e përhershme në Lindje të Mesme me modelin e dy shteteve, Izraelit dhe Palestinës, që jetojnë në fqinjësi të mirë.

    E tëra mund të duket iluzion dhe ëndërr. Por zhgjëndrra e sotme është aq e skëterrshme, saqë shtegdalje tjetër pos sendërtimit të kësaj ëndrre nuk mund të ketë.

    Nga Rubrika
    Opinione09 Janar 2025
    Shkruan: Christiaan Alting Von Geusau Duket se arritja legjislative më e spikatur e Bashkimit Europian në vitin 2024 ka qenë detyrimi që...
    Opinione08 Janar 2025
    Kushtëzimi i certifikimit të Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet dhe institucionet e Kosovës me njohjen e shtetit, simboleve dhe dokumenteve të...
    Opinione07 Janar 2025
    Nga Adri Nurellari  Vendimi për të ndaluar “TikTok”-un në Shqipëri është një shfaqje e ludite e ngutshme dhe e cekët, që shmang...
    Të tjera
    Artikull i Sponsoruar11 Janar 2025
    Prishtina Ticket ofron fluturime direkte tri herë në javë nga Nürnberg drejt Prishtinës, të hënën,të mërkurën dhe të shtunën, duke siguruar fleksibilitet...
    Lajme11 Janar 2025
    Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka bërë të ditur se gjendja e rrugëve është e kalueshme pas reshjeve të mëdha...
    Lajme11 Janar 2025
    Qeveria e Kosovës mbrëmë e ka mbajtur mbledhjen e 244-të, e cila u zhvillua në formë elektronike. Në njoftimin e lëshuar për...
    Lajme11 Janar 2025
    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se ekipet përgjegjëse janë angazhuar që rrugët të jenë të kalueshme pas reshjeve të borës. Ai...
    Lajme11 Janar 2025
    Sot, më 11 janar 2025, rreth orës 11:00, kanë filluar kërkimet për Arban Hisarin, 26 vjeç, nga Prizreni, i cili është raportuar...
    Vip11 Janar 2025
    Xuxi e ka komplimentuar Sarën për dukjen. “O Zogu im i vogël. Zogu më i mirë prej krejtve, Zaraaaa. Khu allah po...

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.