Edon Zhegrova e ka komentuar ndeshjen e mbrëmshme me Qipron, të cilën Kombëtarja e Kosovës e fitoi me rezultat të pastër, 3:0.
Për dallim nga ndeshja paraprake, ylli kosovar nuk ishte në nivelin e duhur, por për të më e rëndësishme është fitorja, derisa i përgëzoi bashkëlojtarët që shënuan gola, shkruan “Gazeta Express”.
“Besoj se e kemi bërë një ndeshje mjaft të mirë, të gjithë u angazhuan dhe e kemi pritur këtë fitore.”
“Tash duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës, që është mjaft e rëndësishme, kundër Rumanisë. Besoj se i gjithë publiku ka qenë i lumtur, e po ashtu edhe ne.”
“Ndihem po ashtu mirë kur bashkëlojtarët e mi shënojnë gola, kjo e ndihmon ekipin shumë. Gjithashtu edhe për ta është e mirë sepse do të fitojnë vetëbesim për ndeshjet e ardhshme dhe kjo është në të mirë të ekipit për ndeshjet e radhës.”
Tutje, Zhegrova për faqen zyrtare të FFK-së foli edhe për ndeshjen e nëntorit ndaj Rumanisë, e cila do të jetë përcaktuese për vendin e parë në grup.
Aktualisht, rumunët janë tri pikë përpara dhe kanë fituar 3:0 ndaj Kosovës, e cila duhet të fitojë 4:0 në Bukuresht në muajin e ardhshëm nëse e do vendin e parë.
“Pas kartonit të verdhë gjatë gjithë kohës e pata mendimin, se pata shumë provokime në fillim, tek ndeshja ndaj Rumanisë dhe besoj që ndeshja kundër Rumanisë do të jetë një finale dhe do të shkojmë për fitore”, përfundoi Zhegrova.