×
  • Opinione
  • Opinione

    Zgjohu! Pas këtyre zgjedhjeve, Evropa është sërish në rrezik

    Timothy Garton Ash
    13 Qershor 2024

    Nga: Timothy Garton Ash / The Guardian

    Evropa e cila në plazhet e Normandisë sapo festoi 80-vjetorin e Ditës-D të fillimit të çlirimit të saj nga lufta, nacionalizmi dhe fashizmi, sërish përballet me fashizmin, nacionalizmin dhe luftën.

    Kërkoj të mos qetësoheni nga deklarata e vetëkënaqur e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, se “qendra po mbahet” – gjatë asaj që mund ta quajmë Dita-E [election/zgjedhjeve], pra 9 qershori 2024 kur u shpallën rezultatet e 27 zgjedhjeve të ndryshme kombëtare për Parlamentin Evropian. Kjo është e vërtetë në shpërndarjen totale të ulëseve midis grupeve kryesore partiake në Parlamentin Evropian, me grupin e saj të Partisë Popullore Evropiane [European People’s Party – EPP] të qendrës së djathtë që del e qetë në krye. Por, BE-ja drejtohet nga qeveritë kombëtare edhe më shumë sesa nga Parlamenti i saj i zgjedhur drejtpërdrejt, ndërsa Dita-E prodhoi suksese të së djathtës ekstreme – në shtetet kryesore anëtare – që variojnë nga të rëndësishmet deri tek ato tronditëse.

    Asnjëra nga këto parti euroskeptike nuk do të jetë aq e çmendur sa të mbrojë ndjekjen e Breksitit të Britanisë, duke provuar Freksitin [daljen e Francës nga BE!], Deksitin [fjala është për Gjermaninë] apo Neksitin [Holanda]. Në vend të kësaj, do të vazhdojnë ta tërheqin BE-në djathtas, nga brenda, në një linjë edhe më të ashpër për imigracionin, për kundërshtimin e këmbëngulës ndaj masave të gjelbra që kanë nevojë urgjente për të adresuar krizën klimatike, uljen e mbështetjes për Ukrainën dhe – nacionalistë siç janë që të gjithë – për të marrë mbrapshtë kontrollin kombëtar nga Brukseli. Pra, mos e lejoni askënd t’ju thotë se “nuk është aq keq”. Është keq dhe kjo mund të përkeqësohet.

    Rasti më dramatik është me Francën. Isha në Normandi për përvjetorin e Ditës-D dhe pashë presidentin Emmanuel Macron kur përpiqej të përdorte ngjarjen përkujtimore ndërkombëtare (rastin të cilin e humbi kryeministri britanik, Rishi Sunak) për të treguar një histori frymëzuese se si ai çlirim ia hapi rrugën Bashkimit të sotëm Evropian. Por, në fshatrat përreth pashë kryesisht posterët zgjedhorë për Tubimin Kombëtar [Rassemblement National] të Marine Le Penit dhe dëgjova histori të mbështetjes së gjerë për të. Sigurisht, Tubimi Kombëtar në Ditën-E shënoi fitore mahnitëse, duke fituar më shumë se 30 përqind të votave dhe duke mposhtur Rilindjen [Renaissance] liberale centriste të Macronit. Në qytetin e vogël të Ver-syr-Merit, ku babai im zbarkoi së bashku me shumë ushtarë të tjerë britanikë për të filluar çlirimin e Evropës Perëndimore më 6 qershor 1944, Tubimi Kombëtar ka marrë rreth 33 përqind të votave. Një pjesë tjetër e rëndësishme e votave në Ver-syr-Mer shkoi për Marion Maréchalin, mbesën edhe më ekstreme e Le Penit, emri i partisë të së cilës, Reconquête, sugjeron “ripushtimin” e Evropës nga banorët e dyshuar të huaj dhe veçanërisht nga myslimanët, siç është thënë haptazi nga themeluesi i saj Éric Zemmour.

    Pastaj erdhi bomba. Macroni, vetëbesimi gjithmonë i madh i të cilit tani dukshëm po bie në mendjemadhësi, njoftoi se do ta shpërndajë Parlamentin francez dhe do të thërrasë zgjedhjet e reja më 30 qershor, me një raund të dytë më 7 korrik. “Unë veç mund ta përshëndes këtë vendim”, u përgjigj Le Pen. Ky është një bast i madh, duke llogaritur në sistemin e shkëlqyeshëm zgjedhor francez me dy raunde, ku votuesit në shumicën e zonave zgjedhore mund të preferojnë një kandidat tjetër në vend të Tubimit Kombëtar në raundin e dytë vendimtar. Por, duke pasur parasysh thellësinë e zemërimit popullor, ekziston rreziku serioz që – vetëm tre ditë pasi Britania në zgjedhjet e 4 korrikut do të marrë qeveri të qendrës së majtë pragmatike, shumë të kujdesshme dhe pro-evropiane – Franca mund të ketë qeveri të fortë të euroskeptikëve të të djathtës ekstreme, duke ia lidhur duart Macronit, avokatit kryesor të kontinentit për një Evropë më të fortë. Nëse po, ky do të ishte momenti i Breksitit të Francës, edhe pse dalja nuk rezulton.

    Veç më pak shqetësues është rasti me Gjermaninë. Teksa CDU-CSU-ja [Christlich Demokratische Union Deutschlands – Christlich-Soziale Union in Bayern] e qendrës së djathtë ishte fituesja e qartë, Alternativa për Gjermaninë [Alternative für Deutschland – AfD] e ekstremit të djathtë doli e dyta me më pak se 16 përqind të votave, më shumë sesa u mblodhën nga cilado nga tri partitë në koalicionin qeverisës të vendit, duke përfshirë socialdemokratët [Sozialdemokratische Partei Deutschlands] e kancelarit Olaf Scholz. Dhe, AfD-ja është parti aq ekstreme saqë edhe Le Peni vendosi se nuk dëshiron të jetë në të njëjtin grup parlamentar evropian me të, pasi Maximilian Krah – kandidati kryesor i saj – tha në një intervistë se jo të gjithë anëtarët e SS-it ishin kriminelë.

    Ndërkohë, në Itali në krye doli Vëllazëria Italiane [Fratelli d’Italia] e kryeministres post-neofashiste të vendit, Giorgia Meloni, ashtu si edhe Partia Liria e ekstremit të djathtë në Austri [Freiheitliche Partei Österreichs]. Në Holandë, Partia për Lirinë [Partij voor de Vrijheid] e islamofobit Geert Wilders, është veç pakëz më mirë se qendra e majtë. Gjëja më shqetësuese është se shumë prej këtyre partive qëndrojnë mirë mes votuesve të rinj dhe veçanërisht rinisë. Sipas një sondazhi të kryer përpara zgjedhjeve, rreth 36 përqind e 18-24-vjeçarëve në Francë e mbështetën Tubimin Kombëtar.

    Po, ka rezultate më inkurajuese nga Polonia dhe Hungaria; por, nëse mësimi nga këto vende (si dhe nga Britania) është se në fakt duhet të keni nacionalistët tuaj populistë në pushtet për disa vjet përpara se ata të refuzohen, ky është vetëm një ngushëllim i vogël.

    Edhe nëse e djathta ekstreme nuk e formon qeverinë e ardhshme franceze këtë verë, këto rezultate e komplikojnë shumë marrjen e veprimit të bashkuar dhe vendimtar nga BE-ja për çështjet si tranzicioni i gjelbër. Kryesorja, do të bëhet edhe më i vështirë ndryshimi thelbësor pozitiv në mbështetjen ushtarake për Ukrainën në momentin kur ai vend është – të jemi të qartë – në rrezik serioz për të humbur përfundimisht luftën më të madhe në Evropë që nga viti 1945.

    Edhe pse partitë e së djathtës ekstreme janë të ndara sa i përket Ukrainës, me Melonin që aktualisht është ndër mbështetëset e fuqishme të vendit në luftë, ndikimi neto i këtyre rezultateve do të jetë negativ. Në Gjermani, afërsisht një e katërta e votave shkuan për partitë – e së djathtës së ekstreme (AfD), të së majtës ekstreme [Die Linke] dhe një përzierjeje interesante populiste të të dyjave (Sahra Wagenknecht Alliance) – që mbrojnë versionin e “paqes” që në mënyrë efektive do të thotë kapitullim ukrainas. Fatkeqësisht, socialdemokratët e Scholzit japin shenja të qarta të tundimit për t’i qetësuar këta paqësues. Pasojat kontinentale dhe globale e fitores së Rusinë fashiste të presidentit Vladimir Putin, do ta afronin Evropën edhe më pranë kthimit në ditët e saj të këqija të vjetra.

    Gjithë kjo po ndodhë para se të arrijmë në zgjedhjet më të rëndësishme të Evropës këtë vit – që nuk ndodhin në Evropë. Fitorja e Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale të nëntorit në ShBA, do të dobësonte dhe ndoshta do ta ndante më tej Evropën, pasi nacionalistët populistë të djathtë – me shumë gjasa duke përfshirë Melonin – do të rreshtohen si partia evropiane e Trumpit.

    Pra, a është koha për të qenë të dëshpëruar dhe për të emigruar në Zelandën e Re? Sigurisht qe jo. Ka ende një shumicë të madhe të evropianëve që nuk duan të humbin Evropën më të mirë që kemi pasur. Por, ata duhet të mobilizohen, të galvanizohen, të binden se Bashkimi me të vërtetë po përballet me kërcënime ekzistenciale.

    Tani e tutje me paksa frikë i pres javët e pazareve në BE: cila parti bie në shtrat me cilën palë tjetër? Kush merr çfarë në punët kryesore? Duke i rënë fyellit në Bruksel teksa Harkivi dhe planeti ynë digjen flakë. Ajo që na nevojitet është kombinimi i qeverive kombëtare dhe institucioneve evropiane që së bashku të ofrojnë strehimin të cilin të rinjtë aktualisht nuk mund të përballojnë, vendet e punës, shanset për jetë, sigurinë, tranzicionin e gjelbër, mbështetjen për Ukrainën. A do të zgjohet Evropa para se të jetë tepër vonë? /Telegrafi/

    Nga Rubrika
    Opinione22 Nëntor 2024
    GJNP ka nxjerrë urdhër-arreste kundër kryeministrit të Izraelit Netanjahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes Gallant. Çfarë do të thotë kjo dhe çfarë pasojash...
    Opinione21 Nëntor 2024
    Nga Hisen Berisha: Kështu veprojnë tradhtarët e të shiturit tek armiqtë e vendit. Në një shtet të konsoliduar me sistem juridik të...
    Opinione20 Nëntor 2024
    Shkruan: Bekim Çollaku Fitorja e presidentit Donald Trump në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) ka ndezur një debat...
    Të tjera
    Lajme23 Nëntor 2024
    Departamenti i Tregtisë i Shteteve të Bashkuara po përpiqet ta ndihmojë Kosovën në fushën e energjisë së ripërtritshme në kohën kur Kosova...
    Lajme23 Nëntor 2024
    Ministri i Bujqësisë Faton Peci, ka reaguar pasi Kooperativa Bujqësore “Krusha”, ka thirrur konferencë për media për demantimin e ‘shpifjeve’ të tij,...
    Vip23 Nëntor 2024
    Leo dhe Gresa kanë debatuar lidhur me puthjet brenda shtëpisë. Aktorja i the Leos se puthje më me pasion se ajo nuk...
    Vip23 Nëntor 2024
    Gresa ka thënë se nuk mund t’i flas Edit pas deklaratës së tij për të. “Çka muj me fol me të kur...
    Lajme23 Nëntor 2024
    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në Forumin e Sigurisë në Halifax, ka vijuar traditën e takimit me delegacionin bipartizan të Kongresit Amerikan,...
    Lajme23 Nëntor 2024
    Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, ka lavdëruar presidenten Vjosa Osmani për “rol tejet pozitiv” në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ai tha se...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.