Nga: Rafael Behr / The Guardian
Zgjedhjet nuk i ndryshojnë vendet brenda natës. I zbulojnë ndryshimet që ishin të fshehura – ose të dukshme, por të shpërfillura – nën shtresat e vetëkënaqësisë politike dhe zakoneve kulturore. Ngjarja sizmike që ua ka dhënë laburistëve një mori të madhe të ulëseve në Parlament, flet për presionin tektonik që nisi të ndërtohej shumë kohë përpara fillimit të fushatës së lodhtë të Rishi Sunak gjashtë javë më parë.
Megjithëse sondazhet e bënë të pashmangshme humbjen e konservatorëve, ka një ndryshim midis parashikimit të ndryshimit të regjimit dhe zgjimit në një Britani që ka dërguar shumë deputetë konservatorë në harresë politike – dhe që ka zgjedhur Keir Starmerin që të jetë kryeministër me një shumicë vendimtare.
Është e vështirë të matet se deri në çfarë mase rezultatet shprehin miratimin pozitiv për laburistët dhe për udhëheqësin e tyre. Ishte i qartë imperativi për të ndëshkuar konservatorët për vitet e gjata të keqpërdorimi politik. Por, nuk përputhen kurrë saktësisht përbuzja për një qeveri në detyrë dhe entuziazmi për të vetmin zëvendësues të disponueshëm. Moria e numrave të liberaldemokratëve në disa ish-bastione konservatore, është pjesërisht miratim për partinë e Ed Daveyt, por votuesit e luhatshëm në ato zona e dinin se dëbimi i konservatorëve lokalë do të ndihmonte në dërgimin e Starmerit në Kryeministri [Downing Street]. Ata ishin të lumtur që e shfrytëzuan këtë shans.
Aleanca de facto taktike e votimit që ka shtypur konservatorët në atë që mund të jetë niveli i tyre më i ulët i përfaqësimit parlamentar, zbulon një forcë të moderuar, gjerësisht liberale dhe të qendrës, që ka qenë e fshehtë në politikën britanike, por e demoralizuar dhe e ndarë.
Starmeri mund të mos ketë dashur të flasë për Brexit-in gjatë fushatës (përveç pohimit se ai kurrë nuk do ta kthejë prapa atë), por fryma e tërbimit që ka shkatërruar konservatorët në disa nga bastionet e tyre, paraqet tendosjen e hakmarrjes që kishte mbetur.
I njëjti gabim kulturor shfaqet në disa vende që ka fituar Reforma, dhe në shumë të tjera ku partia e Nigel Farageit i ka shtyrë konservatorët në vendin e tretë. Në terrenin e përgatitur nga votimi për largim më 2016, Reforma e ka ngulitur veten si depo e natyrshme e pakënaqësisë nga status quo-ja. Vetë Farage, duke arritur përfundimisht depërtimin në Parlament, pas shtatë përpjekjeve të dështuara, do të veprojë si fanar i reagimit anti-Uestminster, anti-emigracion, si nacionalist. Do ta shfrytëzojë vendin e tij të ri parlamentar – pasi e përdori platformën të cilën e kishte si deputet i Parlamentit Evropian – duke sabotuar institucionin nga brenda, duke shijuar privilegjet që i ofron, ndërsa denoncon gjithë sistemin si të kalbur.
Dështimi i Sunakut për të kuptuar se ai nuk mund të konkurrojë me qëndrimin faragist, ndërkohë që përpiqej të drejtonte një qeveri serioze dhe të besueshme, ishte gabimi strategjik i kohës së tij në Kryeministri.
Kryeministri në largim pati mundësinë të paraqitet si kundërhelm ndaj stilit të pamatur të qeverisjes së mishëruar nga Boris Johnsoni. Rehabilitimi i besueshmërisë ekonomike mund të mos ishte i realizueshëm pas mbretërimit të shkurtër katastrofik të Liz Trussit, por nuk ishin të pamundshme disa rivendosje të “integritetit, profesionalizmit dhe llogaridhënies” që Sunaku i premtoi kur hyri në Kryeministri.
Por, kjo nuk mund të bëhej me një axhendë të politikave të formuara sipas tekave të një fraksioni konservator të djathtë. Shumëkush do të vëzhgojë aksionet e kombinuara të votave të Reformës dhe të konservatorëve dhe do të imagjinojnë rrugën drejt rinovimit me anë të bashkimit. Rezistenca ndaj tyre do të jetë fraksioni konservator i moderuar dhe prej kohësh i qetë, i cili e njeh marrëzinë e largimit nga çdo përpjekjeje për të kundërshtuar votuesit që e shohin faragizmin si të neveritshëm.
Një pjesë e këtij zhgënjimi u dha nga Robert Buckland, i sapo dëbuar nga vendi i tij në Suindonin e Jugut, kur u kërkoi kolegëve të tij t’ia jepnin fundin “politikës së artit të performancës” dhe “të ndalonin me marrëzirat”. Por, nxitja më e mirë kundër akteve të marrëzisë së pahijshme politike, duhet të jetë përgjegjësia që vjen me postin ministror. Konservatorët nuk ishin të detyruar nga ai kufizim kur kishin pushtet, gjë që është arsyeja kryesore se pse ata e gjetën veten kaq të dëbuar.
Në një farë mase, dështimi i Sunak u rrënjos në koalicionin e paqëndrueshëm elektoral të cilin Johnsoni e mblodhi më 2019, me premtimin për të “përfunduar Brexit-in”. Zbatimi i një axhende në qeveri që mund të kënaqte interesat divergjente të një blloku votues jokoherent, kulturalisht dhe gjeografikisht – ish-klasa punëtore e veriut dhe ishujt tradicionalë konservatore jugorë – ishte akt i pamundur e alkimisë politike.
Sfida ekuivalente tani i bie Starmerit. Madhësia e mazhorancës laburiste ofron fuqi të madhe legjislative, por vijat e kuqe në hartë mbulojnë një pabarazi komplekse të interesave dhe kërkesave konkurruese që qeveria e re do të luftojë për t’i kënaqur. Vendet që janë rimarrë në atë që dikur quhej “muri i kuq”, nuk do të kthehen përsëri në besnikërinë e vjetër fisnore.
Ka marrë fund epoka e përkatësisë automatike partiake, e transmetuar ndër breza dhe e veshur si simbol i identitetit të palëkundur kulturor. Nga shpërbërja e kësaj force përfitoi Johnsoni më 2019. Tashmë e ka lehtësuar triumfin shumë më të madh të Starmerit. Por, një sekuencë e animeve drastike nga njëra palë në tjetrën sugjeron se paqëndrueshmëria dhe përkatësia e cekët janë normalja e re.
Ulësja e sigurt është kthyer në koncept të rrezikuar. Britania mund të ketë kaluar te laburistët, por diçka nga disponimi politik dhe presionet mbi Starmerin do të ndihen në margjina.
Ky efekt nuk kufizohet në grindjen konvencionale të laburistëve. Shumë nga deputetët e rinj të Starmerit do ta kenë Reformën si sfiduesin e tyre lokal. Të Gjelbërit janë ngritur mbi fitimet e fundit të zgjedhjeve lokale, për t’u shfaqur si forcë që mund t’i pengojë laburistët nga e majta. Kishte gjithashtu paralajmërim për paqëndrueshmëri me dëbimin e Jonathan Ashworthit nga Lesteri i Jugut, nga një kandidat i pavarur i cili e mobilizoi zemërimin e komunitetit lokal mysliman ndaj pozicionit të laburistëve mbi Gazën.
Me rritjen e përfaqësimit në Parlament, liberaldemokratët do të duan të ushtrojnë një rol për veten, si diçka ndryshe nga bashkudhëtarët dhe bashkëpunëtorët elektoralë të Qeverisë Starmer.
Kur një parti ka shumicë të madhe, ajo tenton të inkubojë opozitën e brendshme. Një nga pikat e forta organizative të projektit Starmer, ishte përzgjedhja e kandidatëve të bindur. Dhe, një sërë vendimesh jashtëzakonisht të vështira që janë përpara – për kufizimin e shpenzimeve publike, për strehimin, për politikën e jashtme – mund t’i bëjë disidentë disa deputetë të cilët u verifikuan për besnikëri.
Këto janë goxha probleme të cilat një kryeministër i ri do t’i mendojë në ditën e tij të parë në Kryeministri. Dhe, ka arsye për të pritur që Starmeri do të menaxhojë më mirë se Sunaku partinë e vet, si dhe fiset fraksionale elektorale që përfaqëson.
Para së gjithash, lideri laburist vjen në detyrë në kohën kur konservatorët që zëvendëson kishin petkun e papërshtatshëm të veshur nga Johnsoni dhe pastaj Trussi. Më e rëndësishmja, Starmeri nuk është ideolog. Në thelb është laburist – emri Keir thuhet se u zgjodh nga prindërit e tij si nderim për liderin e parë të partisë.
Kompleksiteti i figurës nuk e justifikon përsëritjen e pretendimit të Tony Blairit se i ka bërë laburistët “krahun politik të popullit britanik”. Por, nga aritmetika e thjeshtë e demokracisë parlamentare, Britania brenda natës ka treguar se është shumë më tepër vend i Starmerit sesa i konservatorëve.
Karakteri i ndryshimit nuk është thjesht lëvizja e lavjerrësit nga e djathta në të majtë, por e etikës politike. Mbaroi epoka e Kryeministrisë së kapur nga mania ideologjike. Ai ia hapi rrugën diçkaje që as që duhet të jetë e jashtëzakonshme, por megjithatë do të vijë si ndryshim freskues, si perspektivë – pavarësisht nga paqëndrueshmëria e mëtejshme që do të vijë – për një qeveri që në fakt qeveris. /Telegrafi/