Diskutime të ashpra po vazhdojnë në Kuvendin e Kosovës pas raportimit të kryeministrit Hoti për 100 ditëshin e qeverisë.
Pas akuzave të deputetit të VV-së, Fitim Uka, se Kosova ka vdekshmëri të lartë nga COVID-19, dhe se shifrat po manipulohen, reagoi edhe ministri Zemaj.
Zemaj e akuzoi madje deputetin Uka se po i referohet statistikave të “Sputnikut” rus.
“Situata pandemike në Kosovë është e qetë, dhe debati është më i relaksuar. Këtu më bije ndërmend se kah referohen shtetet që nuk janë dashamirëse në Kosovë, sepse statistikat që i paraqiti një deputet këtu kanë qenë në Sputnikun rus, dhe kjo është për të ardhur keq, kur një deputet i Kuvendit i veshur me petkun e mjekut i gëzohet vdekjeve”, tha ai.
“Kosova në përballje të saj me pandeminë së bashku me kryetarët e komunave, shtabet e të tjera, mjekët e infermierët që ishin pranë, ky bashkim ky front i përbashkët tregoi që ne mund t’ia dalim në situata kur e tërë globi ishte përfshirë nga pandemia COVID-19”, tha Zemaj.
Ministri tutje foli për menaxhimin e pandemisë prej që LDK mori kryesimin e qeverisë dhe MSH-së, duke vënë në pah lehtësimin e masave.