Shkruan: Thomas Fazi/Unherd
Që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës nga Rusia, publikut perëndimor i është shitur historia e një fronti ukrainas të bashkuar në angazhimin e tij të palëkundur, për një fitore ushtarake totale ndaj Rusisë. Megjithatë gjatë javëve të fundit, kjo narrativë ka filluar që të shkërmoqet.
Pavarësisht dështimit të kundërsulmit ukrainas të mbështetur nga NATO, një fakt që tani pranohet nga të gjithë, Zelenskyy vazhdon që t’i përmbahet narrativës maksimaliste të fitores me çdo kusht. Ai thotë se Ukraina duhet të vazhdojë të luftojë derisa të rimarrë çdo centimetër të territorit të humbur, përfshirë Krimenë, dhe nënvizon se nuk duhet të negociohet me Putinin.
Kjo qasje është e kuptueshme: ai ka investuar gjithçka për arritjen e këtij objektivi, dhe me gjasë çdo gjë më pak se kaq, do të nënkuptonte fundin e karrierës së tij politike. Por nga ana tjetër, është e vërtetë që ai duket të jetë gjithnjë e më i izoluar. Siç e theksoi së fundmi Simon Shuster në revistën Time “vetë bashkëpunëtorët e Zelenskyy-t janë shumë skeptikë në lidhje me politikën aktuale”, duke e përshkruar besimin e presidentit tek një fitore totale ndaj Rusisë si “në kufijtë e një mrekullie”.
Në fillim të nëntorit, komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së Ukrainës, gjenerali Valery Zaluzhny, tha për “The Economist” se lufta me Rusinë ka hyrë në një ngërç, dhe se po ajo evoluon në një luftë të gjatë rrënuese, në të cilën Rusia është e avantazhuar.
Shumë zyrtarë dhe analistë e analizuan këtë deklaratë si një mesazh të nënkuptuar, se ka ardhur koha të negociohet një marrëveshje me Rusinë. Por një qëndrim i tillë shkaktoi një përplasje publike midis Zaluzhny dhe Zelenskyy. Ky i fundit e qortoi vlerësimin e gjeneralit, dhe përsëriti refuzimin e tij për të negociuar çfarëdolloj marrëveshje armëpushimi me Moskën.
Që nga ai moment, rivaliteti midis të dyve është zgjeruar në një luftë gjithëpërfshirëse për pushtet. Sipas faqes ukrainase të lajmeve Ukrainska Pravda, Zelenskyy e sheh si një kërcënim politik popullaritetin e Zaluzhny. Dhe ngjarjet e fundit vetëm sa e kanë shtuar frikën e presidentit.
Në fakt ushtria, raporton portali, është e ndarë midis atyre që janë në varësi të Zaluzhny dhe atyre që janë besnikë të komandantit të Forcave Tokësore Oleksandr Syrskyi, një aleat i Zelenskyy. Por Zaluzhny nuk është i vetëm në kritikat ndaj Zelenskyy-t.
Javën e kaluar, kryebashkiaku i Kievit Vitali Klitschko mbështeti publikisht komentet e Zaluzhny për luftën, duke deklaruar se Zelenskyy “po paguante për gabimet që bëri”. Në fillim të këtij muaji, doli në plan të parë një konflikt i vjetër midis Zelenskyy dhe ish-presidentit Petro Poroshenko, kur autoritetet ukrainase e ndaluan ish-kreun e shtetit të largohej nga vendi për një takim të planifikuar me kryeministrin hungarez Viktor Orbán.
Sipas kritikëve të tij, kjo është dëshmi e një pushteti gjithnjë e më autoritar të Zelenskyy-t.
“Në një moment, ne nuk do të jemi më ndryshe nga Rusia, ku gjithçka varet nga tekat e një njeriu”, tha Klitschko për Der Spiegel. Ndërkohë edhe Ivanna Klympush-Tsintsadze, ish-zëvendëskryeministre në kohën e Poroshenkos, foli për “një rrëshqitje të vendit drejt autoritarizmit”.
Por Zelenskyy nuk po përballet vetëm me kritikat në lidhje me të ardhmen e luftës. Tani disa po thonë se e gjithë strategjia e tij ishte e dështuar që në krye të herës. Oleksii Arestovych, ish-këshilltari presidencial i Zelenskyy-t i kthyer tani në një kritik të tij, shkroi kohët e fundit se “lufta mund të kishte përfunduar me Marrëveshjet e Stambollit, dhe qindra mijë njerëz do të ishin ende gjallë”, duke iu referuar një raundi bisedimesh për paqen që u zhvilluan në fund të marsit dhe fillim të prillit 2022, me ndërmjetësimin e Turqisë.
Në atë kohë, negociatorët rusë dhe ata ukrainas arritën një marrëveshje paraprake mbi skicat e një zgjidhjeje të përkohshme të negociuar, ku Rusia binte dakord të tërhiqte trupat përgjatë linjave përpara 24 shkurtit 2022 në këmbim të neutralitetit të Ukrainës.
Por thuhet se marrëveshja thuhet se u bllokua nga kryeministri britanik Boris Johnson dhe përfaqësues të Departamentit Amerikan të Shtetit dhe Pentagonit. Edhe David Arakhamia, lideri i grupit parlamentar të partisë së Zelenskyy, Shërbëtori i Popullit, që udhëhoqi delegacionin ukrainas në bisedimet e paqes me Moskën, pretendoi disa kohë më parë se Rusia ishte “e gatshme t’i jepte fund luftës nëse ne pranonim neutralitetin”, por në fund bisedimet dështuan për disa arsye, përfshirë vizitën e Johnson në Kiev që u kërkoi ukrainasve të vazhdojnë të luftojnë.
Por Zelenskyy nuk po përballet vetëm me kritikat në rritje nga politikanët rivalë dhe ushtria, por edhe nga ukrainasit e zakonshëm. Në mbarë vendin, familjet e ushtarëve kanë filluar të dalin të protestojnë në rrugë, duke kërkuar një kufi për kohën e shërbimit ushtarak dhe rikthimin në shtëpi të atyre që kanë shërbyer për 18 muaj ose më shumë, por edhe informacione për më shumë se 15.000 ushtarët që rezultojnë të zhdukur në front.
Ndërkohë, një peticion që kërkon ndryshimin e rregullave të mobilizimit, ka arritur të marrë gati 25.000 firma, sa është edhe kufiri për t’u marrë nën shqyrtim nga presidenti, duke e vështirësuar më tej planin e Zelenskyy për të hedhur më shumë trupa ne luftime, që ishte sabotuar tashmë nga shmangia masive e mobilizimit të fundit.
Kjo valë armiqësie në rritje ndaj presidentit – dhe ndaj strategjisë së luftës së Ukrainës në përgjithësi – nënkupton se e ardhmja e tij politike duket gjithnjë e më e dyshimtë. Sipas një sondazhi të fundit, vlerësimet e Zelenskyy dhe Zaluzhny në sondazhe janë tani thuajse identike.
Ndërkohë “The Economist” raportoi se besimi popullor tek presidenti ka rënë në vetëm 32 për qind. Një sondazh tjetër e tregon ende Zelenskyn si kandidatin e preferuar, por me një mbështetje në rritje si për Poroshenkon – në vendin e dytë – ashtu edhe për Zaluzhny (i cili,duhet theksuar se nuk ka shfaqur ende ndonjë ambicie politike).
Prandaj, nuk është për t’u habitur pse Zelenskyy përjashtoi mbajtjen e zgjedhjeve të reja presidenciale, të planifikuara fillimisht për në marsin të vitit të ardhshëm, duke përmendur problemet e sigurisë dhe financimit. Shumica e ukrainasve thuhet se e mbështesin këtë vendim, por kjo s’do të thotë se problemet e Zelenskyy mbarojnë këtu.
Sepse dështimi i kundërofensivës, po shkakton një reagim kritik edhe midis mbështetësve të tij perëndimorë. Këta të fundit po e kuptojnë se Ukraina nuk ka gjasa të përmirësojë pozicionin e saj në fushën e betejës. Disa analistë perëndimorë japin një panoramë edhe më të zymtë, duke vënë në dukje se Ukraina nuk është as në pozicionin e duhur për të mbrojtur statuskuonë territoriale aktuale.
“Çdo aspekt është në favor të Rusisë, dhe do të vazhdojë të anojë në favor të saj”, thotë ish-nënkoloneli i ushtrisë amerikane Daniel Davis. Edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha së fundmi se NATO “duhet të jetë e përgatitur për lajme të këqija”.
Me një pesimizëm të tillë të madh, premtimet e reja për ndihmë për Ukrainën kanë rënë në nivelin e tyre më të ulët që nga fillimi i luftës. Vendet anëtare të BE-së po grinden prej muajsh, dhe nuk kanë rënë ende dakord mbi një paketë ndihme prej 50 miliardë eurosh për Ukrainën, kryesisht për shkak të kundërshtimit të Hungarisë.
Dhe nuk është i panjohur fakti që liderët evropianë janë të “lodhur” nga lufta në Ukrainë, ashtu siç e pranoi së fundmi edhe Georgia Meloni para 2 humoristëve rusë që iu prezantuan si zyrtarë të Unionit Afrikan. Ngërçi ushtarak po përforcon pikëpamjen në Gjermani – por edhe në qarqet diplomatike britanike – se negociatat me Moskën do të jenë në interesin më të mirë të Ukrainës.
Ndërkohë edhe përtej Atlantikut, mbështetja për strategjinë e Zelenskyy-t është në nivelin më të ulët që nga fillimi i pushtimit. Përpjekjet gjithnjë e më të dëshpëruara të administratës Biden për ta bindur Kongresin të miratojë një raund të ri financimi emergjent për Ukrainën dështuan sërish javën e kaluar, kur Senati bllokoi një tjetër projekt-ligj për ndihmën ndaj Kievit.
Në disa aspekte, Biden është në një pozicion të ngjashëm me Zelenskyy:ai ka premtuar sistematikisht një fitore të plotë të Ukrainës dhe ka refuzuar të negociojë me Putinin, ndaj është e kuptueshme që ai është i shqetësuar se mos bëjë figurë të keqe para zgjedhjeve të ardhshme presidenciale. Megjithatë, në qarqet e mbrojtjes në SHBA-së, po rritet vetëdija se një konflikt i zgjatur do të rrezikonte seriozisht interesat e Amerikës.
Nga perspektiva e SHBA-së, një ndryshim demokratik i regjimit në Ukrainë do të ishte ndoshta zgjidhja e preferuar. Por për momentin zgjedhjet e reja nuk mund të mbahen. Gjithsesi kjo nuk do të thotë se ndryshimi nuk po vjen, dhe kjo vetëm sa rrit rrezikun që kundërshtarë ta rrëzojnë Zelenskyy-n me mjete të tjera.
Në fakt, vetë Zelenskyy shprehu kohët e fundit shqetësimin se në vend po komplotohet një grusht shteti i ri i tipit “Maidan”. Por për këtë ai akuzoi Rusinë, dhe jo kundërshtarët brenda vendit. Pavarësisht se sa i besueshëm mund të jetë ky skenar, ai flet për ndryshimin e statusit të Zelenskyy-t në skenën botërore:ndërsa vendet perëndimore dhe segmente të rëndësishme të establishmentit ukrainas, kërkojnë një strategji dalje nga lufta, Zelenskyy nuk shihet më si një aset por si një barrë./Përshtati Gazeta Si