Veç për 49 euro tregtohej një megavat energji elektrike më 20 tetor 2024 në tregjet ndërkombëtare, nga 490 euro sa shitej një megavat energji elektrike në vitin 2022, me të cilin arsyetim Kosova kishte shtrenjtuar rrymën në atë kohë.
Nga viti 2022 e deri më tani Kosova ka shtrenjtuar për 130% rrymën për shkak të mungesës së prodhimit të brendshëm dhe shtrenjtimit të energjisë së importuar. Një vendim të tillë e ka marrë Zyra e Rregullatorit të Energjisë, por kur energjia po shitet me “çmim për toke”në tregjet ndërkombëtare kjo e fundit nuk po e sheh të arsyeshme ta zbresë çmimin e rrymës.
Në blerje të shtrenjta të rrymës ka qenë i përfshirë edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj,i cili është konfirmuar se ka pranuar para nga kompania sllovene GEN me degë në Beograd. Për këtë skandal kanë raportuar fillimisht mediet sllovene, përderisa në mediet kosovare janë zbuluar tërheqjet e mëdha cash të ambasadorit Berishaj në Kosovë. Për këtë skandal ndërkombëtar është formuar edhe një Komision Hetimor në Kuvendin e Kosovës.
A do të shtrenjtohet rryma?Flasin nga ZRrE lidhur me tarifat
Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për FrontOnline sqaroi se, në përputhje me legjislacionin në fuqi, procesi i shqyrtimit tarifor përfshin disa hapa deri në marrjen e vendimeve finale nga Bordi i ZRRE-së, e cila pritet të ndodhë deri në fund të marsit 2025.
Kjo sipas ZRrE përfshin aplikimin e të licencuarve për përshtatjet e rregullta vjetore të hyrave të lejuara maksimale, analizën e aplikacionit nga ZRRE, dhe publikimin e raporteve për konsultim publik
“Ne përputhje me legjislacionin në fuqi, procesi i shqyrtimit tarifor ka disa hapa deri në marrjen e vendimeve finale (deri në fund të marsit 2025) nga Bordi i ZRRE-së për të hyra dhe tarifa si: aplikimi i të licencuarve të rregulluar për përshtatjet e rregullta vjetore të hyrave të lejuara maksimale, analiza e aplikacionit nga ZRRE dhe publikimi i raporteve për konsultim publik, pastaj në fund merren vendimet finale’’, thuhet në përgjigjen e ZRRE-së.
Deri në përfundimin e këtij procesi, është e vështirë të parashikohet se si do të jenë tarifat për vitin e ardhshëm, pasi ato varen nga faktorë të ndryshëm, përfshirë analizat e kostove. ZRRE theksoi se është e rëndësishme të pritet përfundimi i këtij shqyrtimi për të pasur një pamje më të qartë mbi tarifat e mundshme.
‘’Deri në përfundimin e këtij procesi është e vështirë të parashikohet se si do të jenë tarifat për vitin e ardhshëm, pasi ato varen nga faktorë të ndryshëm, përfshirë analizat e kostove. Kështu, është e rëndësishme të pritet përfundimi i këtij shqyrtimi për të pasur një pamje më të qartë mbi tarifat e mundshme’’, përfundon ZRRE.
Deputeti i PDK-së: Me Qeverinë “Kurti” s’ka zbritje të çmimit të rrymës
Ferat Shala, Kryetar i Komisionit Parlamentar për Ekonomi, kritikoi Qeverinë për shtrenjtimin e tarifave të energjisë elektrike në Kosovë, duke theksuar se variacionet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare nuk justifikojnë rritjen prej 130% që ka vendosur qeveria.
‘’Është e vërtete e madhe që variacionet e çmimeve në tregun e brendshëm dhe të jashtëm kanë ndryshuar nga periudha në periudhë por nuk ka ndryshuar tarifa e energjisë elektrike që qeveria e ka marrë vendim brenda mandatit të vet 4 vjeçar ta ngrisë deri në 130% ‘’, tha Shala për FrontOnline.
Ai theksoi se kjo rritje ka dëmtuar qytetarët dhe konsumatorët dhe shprehu dyshime se qeveria do të reflektojë në politikat e saj energjetike për të ulur çmimet.
‘’ Pra në këtë relacion ngritja ka qenë jo e bazuar mbi bazën e argumentit dhe çmimeve të tregut dhe në këtë rast është dëmtuar secili qytetar ose secili konsumator.
Nuk pres ulje të çmimit të energjisë elektrike sepse nuk pres që kjo qeveri të reflektojë sa i përket politikave në sektorin e energjisë ‘’, përfundoi Shala.
Gazetari Gjata: Nuk pres ulje të çmimit të energjisë elektrike, të lutemi mos të shtrenjtohet sërish
Gazetari që për disa dekada ka mbuluar sektorin e energjisë, Mehmet Gjata, tha për FrontOnline se në Kosovë do të kishte qenë e nevojshme një ulje e çmimit të energjisë elektrike që më herët, por përkundrazi, çmimi ka vazhduar të rritet. Ai thekson se nuk pret ulje të çmimit të energjisë, duke u shprehur se duhet të lutemi të mos ketë ngritje të reja.
‘’ Ne po jetojmë në Kosovë, realisht do të duhej më herët të ulej pak çmimi i energjisë elektrike, por vetëm ka shkuar duke u rritur edhe unë personalisht nuk pres ulje të çmimit të energjisë elektrike , duhet të lutemi të mos ketë ngritje të reja të çmimit të rrymës elektrike’’, tha Gjata për FrontOnline.
Sipas tij, kompanitë KEDS dhe KESCO vazhdojnë të bombardojnë me kërkesa për rritjen e çmimeve, duke depozituar kërkesat e reja çdo ditë, çdo javë dhe çdo muaj.
‘’KEDS dhe KESCO bombardojnë me kërkesa për ta rritur çmimin e energjisë elektrike vazhdimisht, ata I deponojnë çdo ditë, çdo javë dhe çdo muaj kërkesat e reja’’, tha Gjata për FrontOnline.
Gjata kritikon ZRRE-në, rregullatorin e energjisë, për tolerancën e tij ndaj kërkesave të këtyre kompanive. Ai shprehet se, pavarësisht që ky vit ka parë një ulje simbolike shumë t ulët të çmimit, në të tjera raste ZRRE ka miratuar të gjitha kërkesat për rritje. Ai nuk pret që çmimi të ulet, por lutet të mos ketë ngritje.
‘’ ZRRE si rregullator edhe I çmimeve është treguar gjithmonë shumë tolerant ndaj kërkesave të këtyre, vetëm këtë vit e ka ulur pak rrymën simbolikisht sa mos me thënë hiq se në të tjera raste gjithmonë u a ka miratuar të gjitha kërkesat prandaj nuk pres që t ulet çmimi I rrymës elektrike unë lutem të mos ngritët’’, tha Gjata.
Ai thekson se çmimi i energjisë elektrike në Kosovë varet nga dimri, koha, temperaturat, dhe reshjet. Gjithashtu, ai thekson se konsumi dhe nevoja për importim energjie ndikojnë në çmimet. Rritja e konsumit dhe kërkesave për energji, sipas Gjatas, gjithmonë çon në rritjen e çmimit të rrymës.
‘’ Çmimi tek ne varet nga dimri ,koha ,temperaturat, të ulëta apo të larta a ka shumë të reshura dhe sa zgjasin , nga konsumi përkatësisht a do të mund ti përmbushim nevojat nga prodhimi vendor apo do të jemi të detyruar të importojmë , çmimi I energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare absolutisht lëviz lart, absolutisht është rregull e shkruar praktikisht shtohet konsumi ,shtohen kërkesat për energji dhe rritet çmimi I rrymës ‘’, përfundoi Gjata.
Eksperti i energjetikës: KESCO mos t’i penalizojë konsumatorët
Vezir Rexhepi, njohës i çështjeve energjetike, theksoi se ZRRE merr vendime vetëm një herë në vit, gjatë muajit prill, dhe vetëm në raste emergjente mund të diskutohen ndryshimet e tarifave.
‘’ Gjithmonë në kuptimin kohor edhe në kuptimin normal ZRRE merr vendime gjatë muajit prill do të thotë një herë në vit , vetëm në rast shumë emergjente mund të diskutohen për tarifa apo ndryshim të tarifave prandaj nuk mendoj që mund t ketë ulje por mbledhjet e zakonshme për ndryshim të tarifave merren në prill’’, tha Rexhepi.
Ai shprehu skepticizëm për mundësinë e uljes së çmimeve, duke theksuar se vitin e kaluar çmimi ka qenë shumë i lartë dhe ka pasur rritje të çmimeve në të gjitha sektorët.
‘’Dihet se më herët ka qenë një çmim shumë i lartë vitin e kaluar përveç kësaj ka pasur edhe rritje të çmimeve gati në të gjitha sektorët , në këtë kontekst edhe KESCO e sheh problemin e ngritje së çmimit’’, tha Rexhepi për FrontOnline.
Rexhepi theksoi se KESCO, e cila merr rreth 80% të energjisë nga termocentralet që shesin me çmime të volitshme, duhet të gjejë mënyra për të mos penalizuar konsumatorët, duke pasur parasysh koston e standardit të jetesës.
‘’KESCO gati 80% të energjisë elektrike e merr nga termocentralet të cilat e shesin me çmim të volitshëm dhe duhet shikuar që në këtë mënyre konsumatori të mos penalizohet sepse e dimë koston e standardit jetësor’’, përfundoi Rexhepi.
/FrontOnline/