×
  • Kronika
  • Kronika

    Vrasja e rëndë në Ferizaj/ I akuzuari thotë se këtë vepër nuk e ka kryer ai por e kishte marrë përsipër

    FrontOnline
    08 Mars 2022

    I akuzuari për vrasjen e B.Q, Leonit Muhaxheri në mbrojtjen e tij të dhënë të martën në Gjykatën Themelore në Ferizaj, deklaroi se i akuzuari Eugen Bajralia e kishte këshilluar që këtë vepër ta merrte mbi vete pasi që ishte më i ri dhe nuk do të dënohej shumë, ndërsa tha se i akuzuari Eugen e kishte therë tani të ndjerin B.Q.

    Në këtë rast, së bashku me Leonit Muhaxherin akuzohen edhe Albin Balia e Eugen Bajralia për pjesëmarrje në rrahje, Rinor Jashari për kanosje e moslajmërim të veprave penale apo kryesve të tyre, si dhe Mërgim Atanasova për dhënie të ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    I pyetur nga mbrojtësi i tij, avokati Jeton Berisha, i akuzuari Muhaxheri deklaroi se më 4 shtator 2020, kishte dalë së bashku me të akuzuarin Eugen Bajralia në Ferizaj, në kafenenë “Mon Bar”, ndërsa Eugeni më pas i kishte ftuar Albin Balinë dhe Rinor Jasharin.

    I akuzuari Leonit tha se në këtë kafene, më vonë kishte vërejtur se Alorin Leka së bashku me tani të ndjerin B.Q, kishin qenë në lokal.

    “Ndërkohë, unë nuk kam vërejtur asgjë, mirëpo Eugeni më tha po na shikojnë këta dy persona, fjala ishte për Alorin Lekën dhe tani të ndjerin, unë prap nuk vërejta asgjë, ndërsa Albin Balia më tha po na shikojnë”, rrëfeu i akuzuari Muhaxheri.

    I njëjti shtoi se nga ajo tavolinë ishte larguar Albin Balia, për të cilin i akuzuari Leonit tha se fillimisht kishte menduar se po shkonte në tualet, mirëpo Albini kishte shkuar tek tavolina e Alorin Lekës dhe tani të ndjerit.

    “Pastaj shkova edhe unë me Eugenin e zëmë bisedën kur Albini po ju thoshte pse po na shikoni, pastaj unë reagova ju thash që ne nuk duam probleme, po që keni probleme ju hajdi pak ma naltë bisedojna, edhe aty jemi ngrit të gjithë”, rrëfeu tutje i akuzuari Muhaxheri.

    I njëjti deklaroi se të gjithë pas kësaj bisede ishin mbledhur në rrugë në formë të rrethit dhe shtoi se duke biseduar, tani i ndjeri i kishte vendosur krahun në sup të të akuzuarit Albin Balia.

    Ndërsa, i akuzuari Balia sipas tij, në mënyrë të vrazhdë ia kishte hequr krahun nga supi i tij duke e sharë dhe më pas i akuzuari Leonit tha se në ato momente e kishte nxjerrë thikën dhe e kishte goditur tani të ndjerin në faqe me pjesën e prapme të thikës, pastaj këtu tha se kishte filluar përleshja mes tyre.

    “Pasi filloi përleshja më nuk më kujtohet asgjë tjetër, nuk mundem me përshkru asgjë, veç e di se e kam pa tu vrapu tani të ndjerin dhe Eugen Bajralinë”, deklaroi i akuzuari Leonit Muhaxheri.

    I akuzuari Muhaxheri gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor ka deklaruar se për këtë rast i akuzuari Eugen Bajralia i kishte thënë se e kishte therë tani të ndjerin B.Q., ndërsa këtë rrethanë nuk e kishte deklaruar në prokurori.

    “Eugeni më tha e kam therë, kur kanë qenë tu vrapu i ndjeri me Eugenin, tani i ndjeri kishte provu me kapë në shpinë, e pastaj Eugeni me dorë nga mbrapa kishte thikën, më ka thënë se i kishte dhënë shtyrje thikës drejt tani të ndjerit”, tha i akuzuari Leonit.

    I njëjti ka rrëfyer se vet ai së bashku me Eugenin dhe Albinin, natën kritike e kishin kaluar në fshatin Mramor afër Prishtinës, ku aty kishte një shtëpi të pa banuar.

    Ai theksoi se në atë shtëpi i kishte dërguar vëllai i të akuzuarit Albin, ndërsa i njëjti i kishte thënë tani të akuzuarit Leonit që këtë rast ta merrë mbi vete, ngase ishte më i ri dhe se nuk do të dënohej shumë.

    “Vëllai i Albinit më këshilloi ta merrja rastin mbi vete, unë nuk pata reaguar sepse isha i tronditur, kështu më tha edhe Eugeni, e pastaj kemi fjetur, të nesermen duke u kthyer në Ferizaj, Eugeni ka bisedu me dikë në telefon, pastaj në një vend jemi ndal ka ardhë një person me veturë dhe Eugeni ia ka dhënë thikën e tij, i ka thënë zhduke”, shtoi tutje i akuzuari Muhaxheri.

    Po ashtu, i akuzuari tha se atë natë përmes rrjetit social Facebook kishte kuptuar se tani i ndjeri kishte ndërruar jetë, kështu i njëjti në seancën e sotme i ka shprehur keqardhje dhe ngushëllime familjes së të ndjerit.

    Prokurori Valdet Avdiu e ka pyetur të akuzuarin Leonit nëse i njëjti qëndron pranë deklaratave të tij të dhëna në prokurori dhe në polici.

    Për këtë, i akuzuari Leonit tha se sa i përket deklararës në prokurori i qëndron në tërësi, ndërsa nuk qëndron pranë deklaratës së tij të dhënë në polici, me arsye se aty sipas tij nuk është shkruar çfarë ka deklaruar.

    Seancat e radhës për këtë rast u caktuan më 1 , 13 dhe 14 prill 2022.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj të përpiluar më 19 mars 2021, Leonit Muhaxheri, më 4 shtator 2020, rreth orës 20:08, në rrugën “Çesley Clark” në Ferizaj, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin B.Q, me ç’rast ka vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarit Alorin Leka.

    Në aktin akuzues thuhet se pas një mosmarrëveshje në mes tyre në kafenenë “Mon-Bar“, i pandehuri Leonit së bashku me të pandehurit Albin Balia dhe Eugen Bajralia kishin shkuar tek tavolina e tani të ndjerit, i cili ishte duke qëndruar me Alorin Lekën.

    Aty thuhet se i pandehuri Albin i ishte drejtuar tani të ndjerit me fjalët “Çka po më kqyr, çfarë problemi ke”, e më pas me tu ngritur nga tavolina, i ndjeri së bashku me Alorin Lekën kishin dalë jashtë kafenesë dhe diku pas rreth 15 metra, përkatësisht përballë kafenesë “Escobar”, tek qoshi i banesës ndalohen nga të pandehurit.

    Tutje, sipas aktakuzës, pas një fjalosje mes tyre, për një moment i pandehuri Leonit me një mjet të përshtatshëm për shkaktimin e lëndimit të rëndë trupor – thikë, e kishte goditur njëherë tani të ndjerin në pjesën majtë të veshit, e më pas në përleshje e sipër, e kishte goditur edhe disa herë me thikë në pjesë vitale, përkatësisht në regjionin e shpinës, në anën e majtë.

    Pas këtyre goditjeve, thuhet se tani i ndjeri ishte larguar duke vrapuar në drejtim të rrugës “12 Qershori”. Mirëpo, aty thuhet se si pasojë e plagëve të marra ai ishte rrëzuar në tokë dhe nga disa kalimtarë ishte dërguar për tretman mjekësor në Qendrën Emergjente në Ferizaj, me ç’rast si pasojë e plagëve të marra kishte ndërruar jetë.

    Në aktin akuzues thuhet se sipas raportit të autopsisë, të 6 shtatorit 2020, kishte rezultuar se vdekja e tani të ndjerit ishte vdekje e dhunshme, që kishte ndodhur për shkak të gjakderdhjes së brendshme dhe të jashtme, e cila gjakderdhja ishte shkaktuar si pasojë e traumës së pësuar dhe dëmtimit (shpimit) të zemrës (atriumit të majtë) dhe të mushkërisë së majtë, të shkaktuara nga mjeti shpues-thika.

    Tutje, aty thuhet se përderisa i dëmtuari Alorin Leka ishte duke u përleshur me të pandehurin Albin tek parkingu i banesës, i pandehuri Leonit me thikë në dorë kishte vrapuar në drejtim të të dëmtuarit Alorin me qëllim që ta godasë, mirëpo ishte penguar nga një qytetar, ndërsa i dëmtuari kishte arritur që të largohet.

    Me këtë, Leonit Muhaxheri akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.5 të KPRK-së.

    Sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, të pandehurit Albin Balia dhe Eugen Bajralia, më datë, kohë dhe vend të njëjtë si në dispozitivin e parë të kësaj aktakuze, kanë marrë pjesë në rrahje, e cila kishte rezultuar me vdekjen e tani të ndjerit B.Q.

    Aty thuhet se pasi i ndjeri ishte goditur me thikë në pjesën e majtë të veshit nga i pandehuri Leonit, të pandehurit Albin dhe Eugen kishin marrë pjesë në rrahje duke goditur të ndjerin disa herë me grushte në pjesë të ndryshme të trupit, e po ashtu kanë sulmuar fizikisht edhe të dëmtuarin Alorin Lekën, duke e goditur me grushte në pjesë të ndryshme të trupit.

    Me këtë, Albin Balia dhe Eugen Bajralia akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje” nga neni 187, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

    Sipas dispozitivit të tretë të aktakuzës, Rinor Jashari akuzohet se me datë, kohë dhe vend të njëjtë të cekura si më lartë, kishte kanosur seriozisht me fjalë të dëmtuarin Alorin Leka, në atë mënyrë që pas privimit nga jeta të të ndjerit B.Q. nga ana e të pandehurit Leonit, i pandehuri Rinor i ishte drejtuar të dëmtuarit me fjalët se “ty kena me ta ba ma zi”. Si pasojë e këtyre fjalëve thuhet se tek i dëmtuari është shkaktuar një ndjenjë e frikës dhe e ankthit.

    Me këtë veprim, Rinor Jashari akuzohet se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181, paragrafi 1 të KPRK-së.

    Kurse sipas dispozitivit të katërt, Rinor Jashari akuzohet se më 4 shtator 2020, në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Ferizaj, duke qenë në dijeni se i pandehuri Leonit Muhaxheri ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, një gjë të tillë nuk e kishte lajmëruar tek organet kompetente. Aty thuhet se i pandehuri Leonit, menjëherë pas ngjarjes i kishte treguar atij se tani të ndjerin e kishte goditur disa herë me thikë.

    Me këtë, Rinor Jashari akuzohet se ka kryer veprën penale “Moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre” nga neni 378, paragrafi 1, nën paragrafi 1.1 të KPRK-së.

    Kurse sipas dispozitivit të pestë të aktakuzës, Mërgim Atanasova akuzohet se më 4 shtator 2020, rreth orës 20:20 në rrugën “Riza Goga” në Ferizaj, me dashje kishte ndihmuar në shmangien e zbulimit dhe mosarrestimin e të pandehurve Leonit Muhaxheri, Albin Balia dhe Eugen Bajralija.

    Aty thuhet se i njëjti kishte bërë organizimin e ikjes së të pandehurve nga vendi i ngjarjes, ku fillimisht kishte marrë çelësin e veturës nga i pandehuri Eugen, i cili paraprakisht e kishte lënë veturën në parkingun e rrugës “Zenel Hajdini“, e më pas me të marrë veturën nga parkingu, kishte marrë të pandehurit Leonit dhe Eugen dhe së bashku kishin shkuar të marrin të pandehurin Albn me qëllim që t’ua pamundësojë organeve të ndjekjes arrestimin e tyre.

    Me këtë, Mërgim Atanasova akuzohet se ka kryer veprën penale “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale” nga neni 380, paragrafi 2, nënparagrafi 2.1 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

    Me rastin e Black Friday, 28 Nëntorit dhe 32 vjetorin e kompanisë, Petrol Company me çmime marramendëse në derivate dhe…
    Nga Rubrika
    Kronika09 Tetor 2024
    Policia në Ferizaj ka arrestuar një të dyshuar pasi kishte sulmuar fizikisht një femër me të cilën bashkëjeton. Viktima nuk ka pranuar...
    Kronika09 Tetor 2024
    Policia në Prishtinë ka arrestuar një të dyshuar pasi që gjatë kontrollit në rrugën “1 Tetori” i është gjetur dhe sekuestruar një...
    Kronika09 Tetor 2024
    Dy persona janë arrestuar në Gjakovë pasi që të njëjtit pas një mosmarrëveshje kanë sulmuar një burrë. Policia bën të ditur se...
    Të tjera
    Lajme09 Tetor 2024
    Deputeti i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Haxhi Avdyli, ka thënë se për të heronj janë të gjithë ata që kanë luftuar,...
    Bota/Rajoni09 Tetor 2024
    Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan zhvillon nesër një vizitë në Tiranë. Sipas informacioneve, ai pritet të mbërrijë në Tiranë në orën 11:00...
    Sport09 Tetor 2024
    Opinioni i futbollit në Kosovës është habitur mbrëmë kur doli lajmi se Drenica e pakënaqur me rezultatet, ndau rrugët me Megzon Visokën...
    Lajme09 Tetor 2024
    Kryetari i Lidhjes Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka folur për bisedat e publikuara në media të shefes së deputetëve të VV-së,...
    Lajme09 Tetor 2024
    Sekretari i “Nisma Socialdemokrate”, Bilall Sherifi i ka komentuar për “Front Online” përgjimet e publikuara ndërmjet Kusari-Lilës dhe Radojçiqit. Sherifi ka deklaruar se...
    Lajme09 Tetor 2024
    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u takua ditën e sotme me kryetarin e Bashkësisë Islame për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë,...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.