Asnjë person i dyshuar deri me tani nuk është arrestuar për vrasjen e Engjëll Smërqakut.
I riu 19 vjeçari nuk arriti t`u bëjë ballë plagëve që mori nga therrja me thikë mëngjesin e së premtes në rrugën “Gjon Sereqi” në Gjilan.
Policia e Kosovës thekson se po punon intensivisht në zbardhjen e këtij rasti.
“Nuk ka ende informacione për arrestimin e ndonjë të dyshuari”, tha policia për Gazetën Express.
Për ngjarjen tragjike që ndodhi në hyrje të ndërtesës ku i ndjeri jetonte, familjarët nuk kanë pranuar të flasin.
Për këtë arsye motivet e vrasjes mbeten akoma të paqarta dhe nuk dihet nëse i riu kishte telashe me dikë në të kaluarën.
Rioshit iu dha lamtumira e fundit dje në varrezat e qytetit të Gjilanit.