Gjuajtje me armë si në filmat aksion kishte ndodhur në fund të marsit të këtij viti jo shumë larg ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, përkatësisht në Hotelin “Familja Rezidenc”, ku ishin shkrepur plumba jo vetëm nga revolet, por edhe nga pushka e gjatë dhe kallashnikovi.
Portali “Front Online” posedon videon ekskluzive, ku shihen skenat e gjuajtjeve me armë, madje edhe plagosja në sy e njërit nga të përfshirët në këtë rast të rëndë, për të cilin Prokuroria Themelore e Prishtinës, përkatësisht Departamenti i Krimeve të Rënda, më 11 tetor 2019 ka ngritur aktakuzë ndaj katër të dyshuarve, ku njëri prej tyre është edhe palë e dëmtuar.
“Front Online” poashtu posedon edhe aktakuzën e Prokurorisë të ngritur kundër Remzi Beqirit (1994) nga Prishtina, i cili gjindet në paraburgim për vepër tjetër penale të natyrës së njejtë, Labinot Beqirit (1995) nga Prishtina, i cili gjindet në paraburgim nga 1 prilli 2019, Fitim Dodës (1998), që gjindet në paraburim nga 1 prilli 2019 dhe Arben Qupevajt (1975) nga Prishtina. Ky i fundit mbrohet në liri.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë të pandehurit Remzi Beqiri, Labinot Beqiri dhe Fitim Doda më 26 mars 2019 rreth orës 23:40 , tek hoteli “Familja Rezidence”, që gjendet në rrugën “Dem Ahmeti” në Prishtinë, pas një marrëveshje paraprake dhe në bashkëpunim edhe me dy persona tjerë, NN, persona të panjohur për Prokurorinë, me dashje kanë dashur ta privojnë nga jeta të dëmtuarin Elvis Qupevaj për shkak të një konflikti të mëhershëm që kishin pasur, raporton “Front Online”.
Rreth orës 22:00 të së njejtës ditë ata shkojnë me veturë të tipit “Golf V” tek hamburger “Aba” në Prishtinë, ngjyri hiri dhe pa targa, pronë e të pandehurit Remzi Beqiri, të cilën e drejtonte i pandehuri Labinot Beqiri, ku ishin sjellur dy-tri herë para hotelit “Familja Rezidenc”, ndonëse, sipas aktakuzës, i dëmtuari dhe i pandehuri Arben Qupevaj e kishte njoftuar tri herë Policinë e Kosovës se janë të rrezikuar nga këta persona.
Të pandehurit (Remzi Beqiri, Labinot Beqiri dhe Fitim Doda) pas pak çastesh së bashku me dy persona të tjerë, të panjohur për Prokurorinë, shkojnë përballë Hotelit, dalin nga vetura dhe me shpejtësi shtijnë me arm me armë zjarri shumë herë në drejtim të Hotelit.
I pandehuri Fitim Doda, sipas prokurorisë kishte gjuajtur me pushkë të gjatë, ndërsa të pandehurit Remzi Beqiri dhe personat NN, kishin gjuajtur me revole, duke rrezikuar kështu jetën e familjarëve që kanë qenë të pranishëm në hotel.
Ndërsa i pandehuri Arben Qupevaj, me qëllim që ta shmang sulmin, nga brendia e hotelit gjuan disa herë me armën e tipit AK47 në drejtim të pandehurve, të cilët pas shumë të shtënave me shpejtësi ikin nga vendi i ngjarjes dhe posa e vërejnë Policinë se janë afruar tek vendi i ngjarjes braktisin veturën e tipit “Golf V” dhe ikin në drejtim të panjohur. Ndërsa i pandehuri Arben Qupevaj me këtë rast kishte pësuar lëndim trupor në syrin e djathtë dhe i është shkaktuar dëm material në hotel, që është pronë e tij.
Prokuroria i akuzon të pandehurit Remzi e Labinot Beqirin dhe Fitim Dodën në bashkëkryerje dhe NN personat se kanë kryer veprën e rëndë penale: Vrasje e rëndë në tentativë nga neni 179, paragrafi 1, pika 1.5 lidhur me nenin 31 dhe 28 të KPRK-së.
Ndërsa të pandehurit Fitim Doda dhe Remzi Qupeva pa autorizim kanë poseduar armë, me të cilat kanë kryer veprën penale si në pikën 1 të dispozitivit të kësaj aktakuze dhe atë: I pandehuri Fitim Doda me armë të gjatë, ndërsa i pandehuri Remzi Beqiri me revole të tipit të panjohur, të cilat pas kryerjes së veprës penale i kanë fshehur në një vend të paidentifikuar deri më tani nga prokuroria, ndërsa i pandehuri Arben Qupevaj ka poseduar pa autorizim armën e tipit AK47, e cila është sekuestruar së bashku me një karikator dhe 20 fishekë të kësaj arme nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
/FrontOnline/
Më poshtë mund ta gjeni videon ekskluzive nga gjuajtja me armë nga ky hotel i Prishtinës: