
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka kujtuar masakrat në fshatrat e Pejës, duke thënë se krimet e asaj dite janë krime kundër njerëzimit që ende nuk janë shpaguar dhe shumë nga kriminelët që i kanë shkaktuar ende janë të lirë.
Veseli në një postim në Facebook shkruan se ato janë krime lufte që peshojnë edhe në ndërgjegjen ndërkombëtare, prandaj siç tha ai nisma e tij për tribunalin që do t’i vendosi ata kriminelë para drejtësisë, duhet të përkrahet nga të gjithë e të materializohet sa më shpejtë.
Lexoni të plotë postimin e Veselit në Facebook:
Më 14 maj 1999 forcat kriminale policore dhe ushtarake të Serbisë kanë masakruar mizorisht 138 shqiptarë civile në fshatrat Qyshk, Zahaq, Llabjan e Pavlan të Pejës. Kjo ka qenë njëra nga ngjarjet më tragjike të vuajtura nga populli ynë gjatë luftës së Kosovës.
Në mes viktimave të pafajshme ishte edhe babai i mikut dhe bashkëluftëtarit tim Agim Çekut, një nga më meritorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Agimi e përballoi këtë ngjarje të rëndë heroikisht, dhe dhimbjen e ktheu në forcë për të luftuar edhe më fuqishëm kundër armiqve.
Krimet e asaj dite janë krime kundër njerëzimit që ende nuk janë shpaguar dhe shumë nga kriminelët që i kanë shkaktuar ende janë të lirë. Ato janë krime lufte që peshojnë edhe në ndërgjegjen ndërkombëtare, prandaj nisma ime për tribunalin që do i vendosi ata kriminelë para drejtësisë, duhet të përkrahet nga të gjithë e të materializohet sa më shpejtë.