Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, ka njoftuar se do të kërkojë vullnetarë për të testuar një vaksinë kundër koronavirusit, e cila është zhvilluar nga Rusia.
Rusia ishte shteti i parë që zyrtarisht e regjistroi vaksinën kundër koronavirusit. Këtë e bëri më 11 gusht, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.
Megjithatë, ekspertët kanë shprehur dyshime se kjo vaksinë nuk i është nënshtruar testimit të mjaftueshëm.
Qeveria e Venezuelës, e cila ka marrë miliarda dollarë hua nga Rusia, tha se ka vullnet për të marrë pjesë në testimin e vaksinës në njerëz.
“Në ditët e ardhshme, ne do të kërkojmë vullnetarë për t’u vaksinuar”, tha Maduro të dielën.
Deklarata e tij lë të kuptohet se Venezuela ende nuk i ka siguruar vullnetarët që do ta marrin vaksinën ruse, ndonëse një ministër tha para dhjetë ditëve se vendi i tij ia ka ofruar Rusisë 500 vullnetarë.