Ish-presidenti i Indisë, Pranab Mukherjee, ka vdekur 21 ditë pasi konfirmoi se është infektuar me koronavirusin e ri, që po e shkakton sëmundjen e njohur si Covid-19.
Ish-politikani 84-vjeçar ishte duke qëndruar në spital për një operacion në tru, kur gjithashtu u diagnostikua me Covid-19, shkruan BBC
Para se të shërbente si president nga viti 2012 deri në vitin 2017, Mukherjee i mbajti edhe disa pozita tjera të rëndësishme gjatë karrierës politike që i zgjati 51 vjet.
Ai më parë ka shërbyer edhe si ministër i Financave, ministër i Jashtëm dhe ministër i Mbrojtjes.
Lajmin për vdekjen e tij e bëri të ditur i biri i vet përmes një postimi në rrjetin social, Twitter.
Posti i presidentit në Indi ka kryesisht karakter ceremonial, por ka rol të rëndësishëm gjatë zgjedhjeve, sepse presidenti vendos cilën parti apo koalicion ta ftojë për formimin e qeverisë, nëse rezultati mes pjesëmarrësve në zgjedhje është i ngushtë.
Mukerjee më parë ka qenë anëtar në bordet e Fondit Monetar Ndërkomëbëtar dhe Bankës Botërore.