Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se ka lëshuar aktvendim për ndalimin e dy personave si të dyshuar në rastin e vdekjes së një punëtori që ishte lënduar në vendin e punës në Lipjan.
Këtë për Klankosova.tv e bëri të ditur Laureta Ulaj, zëdhënëse për media në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
“Rastit të cilit i referoheni, ju njoftojmë se viktima (mashkull) si pasojë e lëndimeve të marra pasi është rrëzuar nga objekti ku punonte, fatkeqësisht nuk ka mundur t’iu mbijetojë plagëve, ku me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë është dërguar në IML, për obduksion”.
“Prokuroria ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e dy (2) personave, për shkak të veprës penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, sipas KPRK-së. Të njëjtit ndodhen nën masën e ndalimit prej 48 orësh”.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë në koordinim me njësitë relevante është duke marrë veprime hetimore lidhur me këtë rast”, ka thënë Ulaj