Një person është arrestuar lidhur me rastin tragjik të vdekjes së 23-vjeçares ukrainase, Olena Kozii në autostradën “Arbën Xhaferi”, në muajin shkurt. Personi që u prangos dyshohet se natën kritike ka qenë me viktimën në veturën e tij.
Sinjali ka mësuar se i arrestuari nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Mos evitimi i rrezikut” është Hazir Gashaj, 36-vjeçar.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit tashmë ka lëshuar urdhër për ndalim policor.
Burimet e mediumit kanë bërë me dije se si rezultat i hetimit të nisur nga Hetimet Rajonale në Ferizaj në koordinim me Prokurorin e Shtetit, u zbulua se i dyshuari e kishte lënë viktimën në autostradë dhe më pas të njëjtën e ka goditur një automjet.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.