Një 37-vjeçar, me inicialet F.I, ka vdekur sot si pasojë e një vetaksidenti që e pati në rrugën magjistrale Ferizaj-Prishtinë, në fshatin Prelezi i Jerlive.
Për medie Kanun Veseli, zëdhënës për media në Policinë e Kosovës në Ferizaj, ka pohuar se vetaksidenti ka ndodhur rreth orës 07:10 të mëngjesit.
Ai ka shtuar se vdekjen e viktimës e ka konstatuar një ekip i mjekëve nga Qendra Emergjente e Ferizajt që ishin në vendngjarje dhe shtuan se viktima ishte shoferi i automjetit.
“Në vendin e aksidentit menjëherë kanë dalë ekipe të policisë së Njësisë së Komunikacionit Rrugor, ndërsa hetuesit e aksidenteve kanë kryer ekzaminimin e vendit të ngjarjes”.
“Nga hetimet e para dyshohet se shoferi i veturës, derisa ishte duke qarkulluar nga Ferizaj në drejtim të Prishtinës, me të arritur në fshatin Prelez i Jerlive, e humb kontrollin mbi drejtimin e veturës dhe kalon në anën e majtë të rrugës, duke goditur fillimisht ulësen në pikëstacionin e busëve dhe ndalet në rrethojat e një autosalloni”, ka thënë Veseli.
Për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka dalë edhe ai në vendin e ngjarjes dhe me vendim të tij, trupi i pajetë i është liruar familjarëve.