Kufizimi i lëvizjeve dhe mbyllja e kufijve për shkak të pandemisë Covid-19 ka shkaktuar një situatë dramatike për turizmin, pasi sipas Instat gjatë gushtit, që përkon edhe me kulmin e sezonit hyrjet e shtetasve të huaj kanë pësuar një tkurrje të fortë.
Rreth 980 mijë më pak të huaj kanë hyrë në vend muajin e kaluar sipas Institutit të Statistikave duke pësuar një rënie prej 63% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, shkruan Top channel.
Nga totali prej 575.5 mijë vizitorëve të huaj, pjesa më e madhe rreth 356 mijë janë shtetas nga Kosova, duke konfirmuar edhe atë që operatorët turistikë kanë deklaruar që krye të herës, që turizmi patriotik do të shpëtonte sezonin këtë vit, transmeton Front Online.
Rënie të fortë si pasojë e masave kufizuese kanë shënuar edhe vizitorët e huaj nga vendet europiane si Spanja , Italia dhe Polonia. Polakët që për vite janë konsideruar një ndër shtyllat kryesore të turizmit të huaj këtë vit kanë parë një tkurrje me rreth 18.6 mijë shtetas, ose 63.3% më pak se një vit më parë.
Por, pandemia ka frenuar edhe daljet e shtetasve shqiptarë jashtë vendit. Të dhënat tregojnë se vetëm 310 mijë shqiptarë kanë dalë jashtë kufijve gjatë Gushtit, në rënie me 57.2% krahasuar me vitin e kaluar.
Për 8-mujorin e këtij viti bilanci i turizmit hyrës në Shqipëri rezultoi negativ me 3.1 milionë vizitorë të huaj me pak, teksa paralelisht edhe daljet e shqiptarëve jashtë për këtë periudhë ranë ndjeshëm me 1.9 milionë ose sa rreth gjysma e daljeve të regjistruara një vit më parë./Top Channel/ Front Online/