Ka më shumë se një javë që Tuna Sejdiu u nis drejt Sirisë për t’ju dalë në ndihmë fëmijëve në nevojë, në kuadër të organizatës “For Children Smile”.
Këngëtarja nga Shkupi tani është rikthyer, dhe përmes një shkrimi në Instagram ajo ka thënë se po ndjehet njeri tjetër, më e formësuar.
Sejdiu ka përshkruar emocionet që ka përjetuar gjatë qëndrimit disa ditor atje.
Shkrimi i plotë i Tunës:
Kur ka qenë hera e fundit që jemi ndjerë falënderues për jetën që kemi, shtratin ku e shtrijmë kokën çdo natë, tryezat me ushqime…
Udhëtimi në Siri, udhëtimi më emotiv në jetën time, nxiti në mua qindra pyetje dhe hapi dhjetëra dilema për njeriun, për njerëzimin. Përjetova emocione që shkojnë përtej mundësisë për t’i përshkruar me fjalë. Dhembje që të ngjitet për shpirti dhe të trishton, të bën të ndjehesh fajtor për skamjen, trishtimin dhe frikën me të cilën jetojnë çdo ditë. Familje që jeton me ëndrrën: të ketë kulm mbi kokë, një nënkresë ku do ta venin kokën… Sy të pikëlluar fëmijësh nga ngarkesa mbi supet e njoma.
U ktheva e riformësuar. Jam një Tuna tjetër që sapo ka filluar rrugën për të dhënë kontributin minimal që Tiani dhe Zeni të rritet në një botë me më shumë buzëqeshje fëmijësh. Në një botë më të mirë.