Ndërmarrja publike “Trepça” viteve të fundit ka pasur probleme të mëdha financiare, përderisa vitin e kaluar dhe këtë̈ vit kriza financiare është thelluar.
Kjo ka bërë që punëtorët disa herë ta bojkotojnë punën pasi që kishte vonesa në marrjen e pagave.
Përveç problemeve financiare dhe rrezikut për falimentim, kjo ndërmarrje tani e një muaj ka mbetur edhe pa bord, pasi që bordit të përkohshëm me 18 prill i ka skaduar mandati.
Pas dorëheqjes së kryeshefit, Enes Muzaqi, “Trepca” ka mbetur me ushtrues të detyrës së kryeshefit, pozitë të cilën tani e mban, Rafet Ibishi.
Lidhur me emërimin e anëtarëve të bordit të Trepçës, nga Qeveria e Kosovës për FrontOnline kanë thënë se janë duke i analizuar dokumente e konkursit për anëtarë të bordit të Trepçës që është hapur në vitin 2020 dhe se shpejti do të marrin një vendim.
“Ministria e Ekonomisë është duke i analizuar me kujdes dokumentet e konkursit të shpallur në gusht 2020d he mbarëvajtjen e tij. Në bazë të asaj analize do të marrim një vendim shpejtë “, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë Përparim Kryeziu.
Ndërsa emërimi i kryeshefit të ri të kësaj ndërmarrje pritet që të bëhet pas zgjedhjes së anëtarëve të bordit të cilët me shumicë votash zgjedhin kryshefin e ri./Front Online/