×
  • Opinione
  • Opinione

    ‘TikTok’-u apo TikTaku i vetëvrasjeve

    Lutfi Dervishi
    14 Shkurt 2024

    Nga: Lutfi Dervishi

    Një nënë e re i dha fund jetës (siç raportohet deri më tani) pasi nuk e përballoi dot turpin pas publikimit të një fotografie intime, që disa media/individë sot po e ripublikojnë masivisht. Të thuash kriminale është pak, të thuash më shumë se kriminale prapë mbetet e pamjaftueshme përballë makabritetit virtual. Ana e errët e mediave sociale dhe e një pjese të portaleve u rishfaq sot me ripublikimin e një fotografie që për 27-vjeçaren përkthehej në vetëvrasje, ndërsa për punëtorët e klikimeve përkthehet në para. Një tjetër fatkeqe pre e listës së viktimave të “TikTok”, një tjetër “balenë blu” që këtë herë ka si kreatorë ca mendje të sëmura, që përveç maskarallëkut, kanë edhe internet.

    Nuk mjaftoi vendimi tragjik i nënës së re për t’u arratisur me dëshpërim nga kjo jetë, por gjyqi ndaj saj vijon nga dhjetëra idiotë që hedhin “gurë dixhitalë” mbi të vdekurën si të ishin kryetarë të gjykatës së moralit. Megjithatë, nuk mund të presësh që idiotë interneti (ii) të tregohen njerëz dhe të bëjnë dallimin mes jetës dhe vdekjes mes privates dhe publikes, mes dinjitetit dhe poshtërsisë, por ajo që është shqetësuese është roli i medias në raportimin e gjëmave/kobeve.

    Ndërkohë që është i stërprovuar efekti domino i raportimit të detajuar të vetëvrasjeve, në një kohë që është vërtetuar se sensacionalizmi i rasteve fatkeqe çon në dëme afatgjata edhe për shoqërinë, sërish e sërish sillemi njëlloj deri në tragjedinë e radhës, që sërish do të kryhet për të njëjtat shkaqe dhe me të njëjtat mënyra. Të bësh thirrje për etikë dhe vetëpërmbajtje në raportimin e ngjarjeve tragjike rrezikon t’i ngjash njeriut që merr shatin dhe prashit në det.

    Shpërndaja e shpejtë e informacionit dhe mundësia që informacionin ta prodhojë dhe shpërndajë kushdo, nevoja për të pasur të shenjtë lirinë e shprehjes dhe dëmi që vjen nga shpërndarja pa kriter e materialeve private/të dëmshme ka krijuar një realitet të ri, që nuk mund të përballohet me instrumentet e kohës para internetit. Krimi në internet nuk mund të luftohet me të njëjtat mjete dhe burime njerëzore si krimi i rrugës. Në kohën kur sa vjen dhe bëhet më i vështirë dallimi mes jetës reale dhe asaj virtuale, problemet e shëndetit mendor dhe krimi kibernetik sa vijnë dhe agravohen për shkak të zhvillimit të shpejtë të teknologjisë. Problemet dhe sfidat epokës digjitale nuk përballohen me instrumente dhe mendësi analoge.

    Sot, si kundërpërgjigje ndaj ngjarjes tragjike, Policia e Shtetit publikoi një video nga momenti i ndalimit të personit të dyshuar si shkaktar i humbjes së jetës së 27-vjeçares. Krimi modern luftohet me ligj, struktura dhe vullnet, jo me videoklipe. Institucionet ligj zbatuese (policia/ prokuroria) nuk janë të pajisura siç duhet as në teknologji dhe as në burime njerëzore për t’u përballur me kriminelët e dukshëm dhe të padukshëm në hapësirën virtuale. Çdo vonesë do të na sjellë viktima të reja dhe videoklipin e radhës. Forcimi i legjislacionit dhe strukturave do të ishte vetëm njëra anë e medaljes. Media vetë mund të luajë një rol pozitiv me kusht që klikimet mbi fatkeqësi t’i konsiderojë “krim”. Është në dorën tonë nëse do të duam të mbetemi njerëz dhe të respektojmë zinë e tjetrit apo të kthejmë në spektakël edhe vdekjen. Deri më tani gjithçka ka mbetur vetëm fjalë, duke numëruar viktimat deri sa të vijnë veprat që mungojnë!

    Nga Rubrika
    Opinione09 Janar 2025
    Shkruan: Christiaan Alting Von Geusau Duket se arritja legjislative më e spikatur e Bashkimit Europian në vitin 2024 ka qenë detyrimi që...
    Opinione08 Janar 2025
    Kushtëzimi i certifikimit të Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet dhe institucionet e Kosovës me njohjen e shtetit, simboleve dhe dokumenteve të...
    Opinione07 Janar 2025
    Nga Adri Nurellari  Vendimi për të ndaluar “TikTok”-un në Shqipëri është një shfaqje e ludite e ngutshme dhe e cekët, që shmang...
    Të tjera
    Lajme10 Janar 2025
    Kandidatja për deputete nga radhët e LDK’së, Sibel Halimi ka komentuar bojkotimin e disa mediave nga Vetëvendosje. Halimi përmes një shkrimi në...
    Lajme10 Janar 2025
    Moti gjatë kësaj fundjave në Kosovë pritet të jetë i vranët e me reshje bore. Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, temperaturat do...
    Vip10 Janar 2025
    Sot, me nisjen e spektaklit të Big Brother VIP Kosova, një nga temat më të diskutuara ishte pa dyshim Gjesti, i cili...
    Vip10 Janar 2025
    Opinionisti Milaim Zeka, ka hedhur dyshime sot në ‘Prime’ se Driloni dhe ish banorja Lela, janë njohur nga jashtë. “Për secili prej...
    Lajme10 Janar 2025
    Zyrtarët policorë në koordinim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj, në zbatim të një plani operativ, kanë kryer kontrolle në një shtëpi dhe...
    Lajme10 Janar 2025
    Në Selinë e NATO-s, nën drejtimin e ShBA-së, u mbajt takimi i 15-të i radhës/konferenca e drejtorëve të armatimeve kombëtare, në kuadër...

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.