Presidenti i vendit Hashim Thaçi, pasditen e së shtunës ka bërë homazhe te Varrezat e Dëshmorëve në Prekaz të Skenderajt.
Thaçi ka thënë se ka ardhur këtu për të nderuar komandantin legjendar Adem Jashari dhe të gjithë luftëtarët e UÇK-së.
Ai nga Prekazi ka thënë se po ashtu ka ardhur këtu për të ritheksuar fuqishëm se “dielli do të lindë përsëri”.
“Jam sonte këtu në Prekaz për të bërë nderime bashkëluftëtarit dhe komandantit Adem Jashari. Për t’u bërë nderime të gjithë luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, heronjve të kombit. Jam këtu në këtë muzg veror, por edhe për të ritheksuar fuqishëm se dielli do të lindë përsëri”, ka thënë Thaçi për KosovaPress.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të hënën do të udhëtojë për në Hagë për t’u intervistuar nga Prokuroria Special
Me 24 qershor, Prokuroria Speciale ka bërë publike propozim-aktakuzat e ngritura ndaj Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, të ngritura zyrtarisht ndaj tyre në 24 prill 2020.
Ndaj këtyre propozim-aktakuzave kanë reaguar shumë personalitete vendore e ndërkombëtare duke i cilësuar si politike, të padrejta dhe të njëanshme.