×
  • Lajme
  • Ekonomi
  • Ekonomi

    “Tensione” e “kërkesa ekstreme”, çka planifikuan e çka vendosën naftëtarët pas vendimit të Qeverisë

    FrontOnline
    10 Shkurt 2023

    Shteti ka vendosur që sërish ta rikthejë kontrollin mbi çmimin e naftës. Sipas Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ky vendim vjen meqë janë evidentuar mospërshtatje të çmimeve vendore me lëvizjet e mëdha të çmimeve në tregun botëror. Naftëtarët janë mbledhur dje urgjentisht për të diskutuar për këtë vendim dhe situata duket se ka qenë shumë e tensionuar.

    Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve ka treguar  se u propozua edhe mbyllja e pompave dhe protesta para objektit të Qeverisë. Në fund, kanë dalë me një vendim tjetër.

    Çmimet e derivatave në vend do të caktohen sërish me “tavan”, që do të përcaktohet nga vendosë Ministria e Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Industrisë. Vendimin e ka marrë Ministrja Rozeta Hajdari, me arsyetimin se janë evidentuar mospërshtatje të çmimeve vendore me lëvizjet e mëdha të çmimeve në tregun botëror.

    “Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, nga monitorimi i rregullt i tregut të produkteve të naftës dhe bazuar në evidencën ditore të pranuar nga Dogana e Kosovës lidhur me çmimet e furnizimit/importit të produkteve të naftës si dhe raportin e Inspektoratit të Tregut lidhur me çmimet e shitjes me pakicë të produkteve të naftës, ka evidentuar mospërshtatje të çmimeve vendore me lëvizjet e mëdha të çmimeve në tregun botëror, çka përbën bazë/shkas për rregullimin e çmimeve dhe caktimin e masave të tjera mbrojtëse”, thuhet në vendim.

    Sipas këtij vendimi, marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me shumicë është dy eurocentë për litër, kurse marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me pakicë është dymbëdhjetë eurocentë për litër.

    “Llogaritja e marzhës tregtare maksimale e lejuar për shitje me shumicë dhe pakicë  bëhet sipas nenit 4 paragrafi 1.1 dhe 1.2. të U/A Nr. 03/2022 Për Rregullimin e Çmimeve të Produkteve të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtrishme dhe Masat e Tjera Mbrojtëse”, ka njoftuar Ministria.

    Në faqen e Ministrisë thuhet se vendimi është marrë nga ana e Ministres me qëllim mbrojtjen e konsumatorit, konkurrencës  dhe për të mënjanuar çrregullimet në treg.

    Vendimi nuk është publikuar ende në Gazetën Zyrtare, por që do të hyjë në fuqi një ditë pasi të publikohet dhe do të jetë në fuqi për 30 ditë.

    Pas vendimit të Hajdarit, Shoqata e Naftëtarëve thirri dje mbledhje urgjente. Detaje nga diskutimet dhe situata e tensionuar që e shoqëroi këtë mbledhje, ka dhënë  kreu i kësaj shoqate, Fadil Berjani.

    Sipas tij, aty kishte “kërkesa ekstreme”. Thotë se naftëtarët propozuan që të mbyllen pikat e karburantit dhe të protestohet me autobota para Qeverisë, por që në fund u mor një vendim tjetër.

    “Në Kuvendin e Shoqatës, situate ka qenë tepër e tensionuar se kishte kërkesa ekstreme. U kërkua që të mbyllen pikat e karburantit apo të protestohet me autobota para Qeverisë. Po, këto kërkesa nuk u aprovuan, por kërkesa e cila është aprovuar është që t’i drejtohemi Gjykatës. S’ka protestë, s’ka mbyllje të pikave të karburantit dhe s’ka bllokadë para Qeverisë me autobota”, tha Berjani.

    Pakënaqësitë për këtë vendim, Berjani thotë se ia ka shprehur edhe Ministres Hajdari.

    “Në takim me Ministren Rozeta Hajdari, kërkova arsye pse është lëshuar ky vendim. Preteksti i këtij vendimi është se ka disa kompani që kanë abuzuar me çmime. Unë kërkova, se Kosova është treg i lirë dhe i hapur sipas Kushtetutës, Neni 10, se në qoftë se ka ndonjë kompani që abuzon me çmime, duhet të merret Agjencioni i Konkurrencës apo hetuesia dhe organet kompetente, e jo të pësojnë 650 pika karburanti”, ka deklaruar Berjani për express.

    Ndryshe, praktika për caktimin e tavanit të çmimeve ishte aplikuar fillimisht në fund të muajit qershor të vitit të kaluar, pasi çmimi i naftës kishte arritur në gati 2 euro.

    Për çdo ditë, përgjatë një muaji, Ministria dilte me vendim ku përcaktonte çmimin maksimal për shitjen e derivateve.

    Nga Rubrika
    Lajme12 Janar 2025
    Sonte, Hajdar Beqa, kandidati për deputet i PDK-së, përmbylli ditën me një takim të suksesshëm me banorët e Gurit të Kuq në...
    Lajme12 Janar 2025
    Partia Demokratike e Kosovës mbajti një tubim elektoral në Shtabin Zonal Topliqan-Jetë e Re dhe Grackë e Vogël, ku morën pjesë kryetari...
    Lajme12 Janar 2025
    Partia Demokratike e Kosovës – Dega në Lipjan mbajti sot një takim të rëndësishëm elektoral në Shtabin Zonal Zgjedhor Banullë-Qallapek, ku u...
    Të tjera
    Vip12 Janar 2025
    Influencerja Festa Qoqaj sjell vazhdimisht fotografi të bukura për ndjekësit e saj. E kësaj radhe, Festa ka vendosur që fotografitë e saj...
    Lajme12 Janar 2025
    Kandidati për deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hajdar Beqa, ka shprehur entuziazmin dhe optimizmin e tij pas tubimit të zhvilluar...
    Lajme12 Janar 2025
    Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Hajdar Beqa, ka shprehur optimizmin dhe entuziazmin e tij pas një takimi me...
    Bota/Rajoni12 Janar 2025
    Një grup prej pesë skiatorësh u godit nga orteku mbi fshatin Trasquera në rajonin e Piemonte. Dy mbijetuan dhe u dërguan me...
    Lajme12 Janar 2025
    Rinor Qehaja, nga Instituti EdGuard, ka theksuar se licencimi i mësimdhënësve është një mundësi ideale për zhvillimin e vazhdueshëm të mësimdhënësve gjatë...
    Bota/Rajoni12 Janar 2025
    Dyshohet se një 56-vjeçar është vrarë me armë zjarri sonte pranë “Pallatit me Shigjeta” në Tiranë. Abcnews.al raporton se personi që dyshohet...

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.