Ministri i Ekonomisë, Blerim Kuçi i ka ikur debatit në emisionin Debat Plus me analistët Vehbi Kajtazi e Imer Mushkolaj.
Kuçi ka lëshuar studion e emisionit rreth 15 minuta para përfundimit, pasi nuk ka pranuar të diskutojë për temat që ndërlidhen me veprimet e tij si ministër. Ka thënë se është i gatshëm të flasë vetëm për çështjen e një tenderi prej 5 milionë eurove që kompania e tij, NPN Hidroterm, e fitoi nga ShSKUK-ja në shtator të këtij viti.
“Duhet të më ftoni një herë tjetër për të biseduar për tema tjera. Sonte kam ardhur të flasë vetëm për çështjen e tenderit”, ka thënë ai.
Po ashtu, Kuçi ka thënë se do ta shqyrtojë pozitën e tij në Qeverinë Hoti nëse vërtetohet gjendja e tij në konflikt interesi, për tenderin që kompania e tij e fitoi nga institucionet e shtetit.
Kuçi ka pohuar se mund të japë dorëheqje nga pozita ministrore në qoftë se Agjencia Kundër Korrupsion vërteton se ai gjendet në konflikt interesi.
“Në qoftë se Agjencia Kundër Korrupsion e vërteton se ekziston konflikti i interesit, unë e shqyrtoj pozitën time si ministër”, ka deklaruar ministri Kuçi.