Nga: Samantha de Bendern, The Guardian
Meqë ndodhi një ditë para se mediat botërore të zhyten në pasojat tragjike të shpërthimit të digës Kahovka – në Ukrainën e kontrolluar nga Rusia – sulmi i fundit fyes i Yevgeny Prigozhinit kundër ushtrisë ruse, më 5 qershor, nuk e merr vëmendjen e duhur. Ishte sulmi më shpërthyes i tij deri tash.
I veshur me xhup dhe pantallona ushtarake, mes një pylli në një kamp trajnimi të Wagner-it, Prigozhini, si komandant i një ushtrie të luftëtarëve të paguar të njohur si grupi Wagner, e akuzon ushtrinë ruse se po gënjen për ngjarjet në rajonin e Belgorodit – ku Partizanët anti-Putin rusë kanë kryer bastisje në kalimet kufitare të Ukrainës, që nga fundi i majit – dhe paralajmëroi për rrezikun e luftës civile. Ai bën thirrje që ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, të dalë në gjyq për lehtësimin e “gjenocidit të popullsisë ruse” meqë ishte plotësisht i papërgatitur për luftën në Ukrainë, ndërsa më shumë se një herë sugjeroi se duhet të pushkatohen Shoigu dhe komandat e tjera të larta ushtarake. Prigozhini pohon gjithashtu se banorët e rajonit të Belgorodit i kanë shkruar duke ia sugjeruar zgjidhjen e tipit kilian. “Kili do të thotë Pinochet”, shpjegon Prigozhini. “… Elita ruse në një stadium të rrethuar nga njerëzit e armatosur me automatikë.”
Prigozhini madje luan me kartën bërthamore, duke thënë fillimisht se është kundërproduktive ta përdorësh tash dhe se “butoni është dashur të shtypet më herët … edhe pse do të ishte akt i një psikopati të krisur”. Më vonë në intervistë sugjeron se rusët do të jenë në gjendje ta përdorin armën bërthamore në territorin e vet. Kjo vjen me paralajmërimin ngushëllues se nuk është i sigurt se sa mirë funksionojnë armët bërthamore, nëse ato mirëmbahen keq sa pjesa tjetër e armatimit të Rusisë.
Intervista një orë e gjatë e pason turneun e Prigozhinit në qytetet ruse, gjatë së cilës foli për nevojën e hapjes së një “fronti të dytë” në sferën e informacionit, për t’ia treguar popullatës të vërtetën për atë që po ndodh në vijën e parë të luftës, ndërsa rekomandoi krijimin e një ushtri territoriale për ta mbrojtur në mënyrë të veçantë Rusinë. Edhe pse mohon se ka ambicie politike, këta elementë – marrë së bashku – goxha ngjajnë me një politikan që përgatitet ose për një fushatë elektorale ose për një puç të armatosur.
Pyetja mbetet nëse Prigozhini kontrollohet nga Kremlini, apo nëse është një top i lirë që paraqet kërcënim serioz për regjimin. Meqenëse në Rusi asgjë kurrë nuk është siç duket, pyetja ose-ose ndoshta është shumë e thjeshtë. Megjithatë, disa gjëra duken më të qarta se të tjerat.
Prigozhini nuk do të mund të udhëtonte nëpër Rusi – duke qenë në qendër të vëmendjes – pa mbështetje dhe pa mbrojtje të nivelit më të lartë. Për më tepër, teksa përçmon ata që i quan elita të korruptuara dhe teksa pa u ndëshkuar bën thirrje që ata të ekzekutohen, aktivisti më i famshëm rus kundër korrupsionit, Alexei Navalny, po kalbet në një koloni penale dhe po përballet me dënim të mundshëm prej 30 viteve me burg. Ata që janë me mbrojtje në vendet e duhura, mund të thonë çfarë të duan.
Pasi merr Bahmutin, Prigozhini vendosi t’i tërheq forcat e veta, duke e lënë ushtrinë e rregullt ruse që ta mbajë qytetin. U lejua ta bënte këtë duke e ditur se kontrolli i Rusisë mbi Bahmut ishte i kërcënuar nga forcat e armatosura ukrainase që e rifituan kontrollin ndaj fshatrave përreth? Nëse në javët e ardhshme rusët e humbin qytetin, ushtria e rregullt do të fajësohet dhe fitorja në Bahmut e Prigozhinit do të jetë e paprekur. Kjo sërish flet për mbrojtjen që ka në nivelin më të lartë e që ia lejon ta ruajë fytyrën.
Duke sugjeruar krijimin e një mbrojtjeje territoriale dhe duke e hapur atë që ai e quan fronti i dytë i Wagner-it brenda vendit, Prigozhini duket se po pozicionohet për ta luajtur një rol të përzier të policisë, të sigurisë dhe të informacionit e propagandës brenda Rusisë. Kjo është shumë më ndryshe nga të qenit mjet përfaqësues i politikës së jashtme dhe ushtri private që vepron jashtë vendit, sidomos kur dihet se Wagner-i, si shumica e trupave të tjera private ushtarake (përveç atyre të krijuara për ta mbrojtur infrastrukturën kritike), zyrtarisht është ende ilegale. Pa mbështetje të lartë, duket e vështirë të paramendohet se për sa kohë kjo ambicie do të mbetet e pakundërshtueshme.
Një gjë tjetër që po shihet më qartë është kaosi dhe armiqësia brenda Rusisë, nëse jo një konflikti i plotë i armatosur. Javën e fundit, forcat e Wagner-it e arrestuan një oficer të ushtrisë federale ruse, të cilin e akuzuan për dëmet gjatë së tërheqjes së tyre dhe se qëlloi mbi ta kur ishte i dehur; partizanët anti-Putin rusë i kapën forcat e rregullta ruse dhe e ftuan guvernatorin e rajonit të Belgorodit për të negociuar për lirinë e tyre; dhe, një luftëtar i rangut të lartë çeçen e kritikoi hapur Yevgeny Prigozhinin, duke e theksuar rivalitetin mes forcave çeçene dhe grupit Wagner. Pa i llogaritur xhelozitë e tjera midis numrit të ushtrive të shtuara private ruse, kjo që u tha më lartë i përshkruan të paktën katër fraksione të rusëve të armatosur (përfshirë njërin që lufton në anën ukrainase) në konflikt me njëri-tjetrin.
Nëse dikush e pranon se Prigozhini mbrohet nga Kremlini, deri në çfarë mase Kremlini në të vërtetë e nënkupton Putinin? Deri tash Prigozhini është përmbajtur nga sulmet e drejtpërdrejta ndaj presidentit dhe madje ka thënë se e respekton. Megjithatë, duke u tallur me vendimmarrjen dhe aftësitë bërthamore të Rusisë, në fjalimin e tij të fundit, ai duket se po e minon vetë konceptin e sulmit bërthamor të Rusisë. Është e vështirë të mos e shohësh këtë si kritikë ndaj Putinit që është arbitri përfundimtar i përdorimit të armëve bërthamore. Blof i dyfishtë, i trefishtë?
Shpërthimi i fundit i Prigozhinit gjithnjë e më shumë duket si maja e një ajsbergu që shfaq çarjen që po rritet brenda strukturës së lartë të pushtetit të Rusisë. Në një vend që nuk mund të mbrojë as një pjesë të vogël të kufirit të vet nga inkursionet dhe që i lejon dronët të godasin në qendrën e pushtetit, është e vështirë të imagjinohet se një mjeshtër në Kremlin e ka kontrollin absolut, largpamësinë dhe kapacitetin e planifikimit të nevojshëm për ta menaxhuar gjithë këtë kaos, dhe që i tërheq telat e kukullave të Prigozhinit.
Në shkurt të vitit 2022, dy ditë përpara pushtimit të Ukrainës, anëtarët e lartë të këshillit të sigurisë të Rusisë u strukën para Putinit në dukje të gjithëfuqishëm. Teksa lufta vazhdon, po këta burra mund të jenë ata që planifikojnë marrjen e kontrollit nga një president që gjithnjë e më shumë duket i shkëputur nga realitetet e linjës së parë të frontit. Ata do të kenë nevojë për një kok turku për “operacionin special ushtarak” që kaloi në katastrofë. Me grindjet e shpeshta kundër ushtrisë së rregullt, Prigozhini po ua dorëzon në pjatë krerët e forcave të armatosura ruse. Ndoshta gjithashtu premton se do të jetë njeriu i tyre kryesor dhe garantuesi i imunitetit, teksa ndihmon në kaosin që do të vijë. Nëse kjo e përfshin ose jo Putinin, kjo tashmë është e vështirë të dihet. /Telegrafi