Teatri Kombëtar i Kosovës me anë të një njoftimi ka shprehur ngushëllime për vdekjen e regjisores, Burbuqe Berisha, duke shtuar se janë të prekur thellësisht.
“Me pikëllim ju njoftojmë se sot në mesditë në Ministrinë e Kulturës papritmas ka ndërruar jetë regjisorja e filmit dhe teatrit Burbuqe Berisha. Jemi thellësisht të prekur nga kjo ngjarje dhe u shprehim ngushëllime familjes, miqve dhe gjithë komunitetit artistik”.
“Burbuqe Berisha ishte regjisore e një numri të konsiderueshëm të filmave të shkurtër, të gjatë, dokumentarë, serive televizive, shfaqjeve teatrore dhe fituese e disa shpërblimeve në festivale të filmit dhe teatrit me karakter vendor e ndërkombëtar”.
“Berisha në vitin 2019 mori çmimin kombëtar për kinematografi. Ajo ka punuar si menaxhere në Kino ABC në Prishtinë, si producente në Kosova Film, po ashtu ishte drejtoreshë e përgjithshme e Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe anëtare e Këshillit Drejtues të QKK-së, si dhe të Ansamblit “Shota”. Së fundi ishte pjesë e përgatitjes së regjisë për koncertin inaugurues të Operës së Kosovës”, thuhet në njoftim.