Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës dhe njëherësh kandidat për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Besnik Tahiri, është duke zhvilluar një bisedë në emisionin ‘KallxoPernime’. Tahiri foli për administratën e presidentit të ri të SHBA-së, Joe Biden.
“Administrata e Biden është një administratë e cila vjen me njohuri të thella për ndikimin rus në Ballkan. Vjen një administratë, ku vetë Biden e njeh Kosovën, ka qenë lobues i kauzës sonë kombëtare. Më vjen mirë që ka ndodh një triumf i demokracisë. Kamala Harris nuk ka lindur në Amerikë, por tani është zëvendespresidente”, deklaroi Tahiri.
Tutje ai u shpreh se presidenti Biden është një mik i madh i Kosovë, por kjo nuk nënkupton se politika amerikane ndryshon për shkak të miqësisë.
Tahiri shtoi se nuk ndryshon edhe nëse dalin dhe i lusin ta votojnë Biden si Albin Kurti, pasi është papjekuri politike.
“Mendoj që me Biden-in do të ndodh ajo qe e kemi shtyer përpara ne si Aleancë, pasi edhe Haradinaj kërkoi që SHBA të involvohet ne çështjen e dialogut. Këtë e kemi futur në program në Qeverinë Hoti. Më kujtohet një takim që e ka pasur Haradinaj me Biden në vitin 2001 dhe prej atëherë edhe më herët, ka qenë pro kauzës sonë për pavarësi”, u shpreh Tahiri.