×
  • Lajme
  • Lajme

    Syla: Ekziston rreziku për një valë të re të pandemisë

    FrontOnline
    16 Shtator 2020

    Gjatë muajit shtator në Kosovë, është shënuar një rënie e lehtë e të infektuarve me koronavirus, që e shkakton sëmundjen COVID-19.

    Muaji korrik e gusht ka qenë kulmi i të infektuarve ku shifrat ditore kanë qenë kryesisht treshifrore, kurse në ditët e fundit, numri i infektuarve me koronavirus nuk ka kaluar shifrën 76.

    Po ashtu, është shënuar edhe rënie e rasteve të vdekjes si pasojë e koronavirusit. Në shtatë ditët e fundit, 30 persona kanë ndërruar jetë si pasojë e koronavirusit.

    Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se këtë vjeshtë, Evropa duhet të jetë e përgatitur për më shumë vdekje nga COVID-19, kjo pasi ka filluar të rritet numri i të infektuarve në Evropë, e që rrjedhimisht parashihet të ketë më shumë vdekje.

    Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shënuar rekord ditor të rasteve të reja me koronavirus, meqë në gjithë botën janë regjistruar 307,930 persona të prekur nga sëmundja COVID-19, që shkakton ky virus.

    Kjo Organizatë ka thënë më 14 shtator, se përgjatë një dite janë regjistruar edhe 5,500 vdekje, duke e çuar totalin e viktimave në 917,417. Rritja më e madhe e infektimeve është raportuar në Indi, Shtetet e Bashkuara dhe Brazil.

    Udhëheqësi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Bullgari, Skender Syla, në një deklaratë dhënë Radios Evropa e Lirë, tha se derisa virusi është i pranishëm në mesin tonë, ekziston rreziku potencial që të kemi ngritje të numrit të rasteve apo valë të re të pandemisë.

    ‘’Në ditët e fundit në rajonin evropian jemi dëshmitarë të shtimit të numrit të rasteve sidomos në Spanjë, Francë, Itali, Angli por edhe në vende tjera. Kosova në muajt korrik dhe gusht ka pasur një shtim të numrit të rasteve, derisa gjatë shtatorit kemi një stabilizim të numrit të rasteve. Duhet të jemi vigjilent sepse mund të kemi rritje të numrit të rasteve dhe kjo varet ekskluzivisht prej masave të parapara nëse ato respektohen në mënyrë rigoroze, atëherë mund të mbahet situata nën kontroll. Por, assesi nuk bën që të ripërsëritet gjendja kur u bë lirimi i masave gjatë fundit të majit në Kosovë, pa ndonjë kontroll të duhur’’, tha Syla.

    Mikrobiologu Lul Raka nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës, tha se rihapja e shkollave dhe kthimi në hapësira të mbyllura për shkak të ftohjes së motit, pashmangshëm do ta shtojnë qarkullimin e njerëzve. Ai shton se sezoni vjeshtor e rikthen edhe virusin e gripit sezonal.

    ‘’Të gjithë këta faktorë janë elemente për shqetësim në rritjen e rasteve të sëmundjes. Prandaj, kjo edhe më shumë e fuqizon rolin e zbatimit të masave parandaluese nga popullata dhe mbikëqyrjen e tyre nga organet shtetërore. Rezultati përfundimtar do të varet nga vetë qytetarët e Kosovës dhe nga institucionet qeveritare. Numrat e ditëve të fundit, të cilët kanë trend të uljes, na kanë treguar qartë rezultatin pozitiv të një bashkëveprimi të tillë sinkronik’’, tha Raka.

    Ndërkaq, Syla shton se janë disa studime të cilat janë bërë në Singapor dhe një formë e virusit ka treguar se mund të ketë një rënie të lehtë të virulencës, por në përgjithësi, sipas tij, kjo duhet të merret relative, sepse sa më i madh që të jetë numri i të infektuarve në çdo vend të botës, thotë ai , mundësia për fatalitet prapë mbetet e madhe.

    ‘’Nëse kemi numër më të madh të të infektuarve, edhe nëse bie virulenca, prapë numri i të vdekurve mund të jetë i pranishëm. Përderisa nuk do ta kemi një vaksinë efikase, apo një trajtim efikas, gjendja epidemiologjike në një vend do të varet nga sjellja e njerëzve se sa ju përmbahen masave dhe OBSH-ja rekomandon gjithsesi evitimin e ngjarjeve që mund të përshpejtojnë përhapjen e virusit, sidomos grumbullimin e njerëzve në numër të madh, si dhe mbajtjen e maskës dhe mbajtjen e distancës’’, tha Syla.

    Edhe Raka ka thënë se nëse zbatohen masat parandaluese, atëherë numri i rasteve do të jetë i kontrolluar edhe për institucionet shëndetësore kosovare.

    Por, ai shton se testimi gjithëpërfshirës zbulon shpejt rritjen e rasteve dhe identifikon grupet me rrezik të lartë të sëmundjes. Shpejtësia e gjurmimit të kontakteve është e rëndësishme për të zvogëluar përhapjen e sëmundjes dhe duhet të bëhen përpjekje për të shkurtuar kohën e nevojshme për secilin hap në procesin e testimit, njoftimit për rezultat dhe gjurmimit të kontaktit.

    ‘’Deri atëherë duhet të përgatitemi sa më mirë me teste, staf dhe pajisje mjekësore. Testimi i gjerë, izolimi i shpejtë i rasteve dhe gjurmimi në kohë dhe efektiv i kontakteve dhe karantina e kontakteve të identifikuara mbeten shtyllat kryesore e reagimit të shëndetit publik për të kontrolluar COVID-19’’, tha Raka.

    Sidoqoftë, Raka tha se sipas studimeve të Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) gjatë muajve janar-maj, 40% e rasteve ishin të moshës mbi 60 vjeç, kurse përqindja më e madhe e rasteve u raportua te grupmosha 50-59 vjeç (18.7%).

    Mirëpo, në muajt qershor dhe korrik, personat mbi 60 vjeç u prekën në vetëm 17.3% të rasteve dhe përqindja më e madhe ishte te mosha 20-29 vjeç (19.5%).

    Përqindja e rasteve të diagnostikuara midis fëmijëve dhe të rinjve 20 vjeç gjithashtu u rrit nga 4.2%, në 12.8% në të njëjtën periudhë.

    Deri më sot, numri i përgjithshëm i të infektuarve me koronavirus në Kosovë arrin në 14,839, i viktimave në 604 dhe i të shëruarve në 11,949.

    Raste aktive mbeten edhe 2,286. /REL

    Nga Rubrika
    Lajme30 Maj 2025
    Në gjykimin për vrasjen e A.Zh., në Gllamnik të Podujevës, Gjykata Themelore në Prishtinë mbajti seancë për caktimin e lartësisë dënimit për...
    Lajme30 Maj 2025
    Presidentja Vjosa Osmani ka uruar Kroacinë në Ditën e Shtetësisë. Urimin e para e shtetit të Kosovës, e ka bërë në një...
    Lajme30 Maj 2025
    Mot me diell dhe vranësira do të mbajë këtë fundjavë. Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës njofton se të shtunën parashihet të mbajë mot...
    Të tjera
    Lajme30 Maj 2025
    Drejtori Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka rrëfyer për kërcënimet me jetë që kishte marrë pas debateve që...
    Sport30 Maj 2025
    Futbollisti i njohur shqiptar, Mërgim Berisha, dhe bashkëshortja e tij, Edona Berisha janë bërë prindër për herë të parë të një vajze....
    Lajme30 Maj 2025
    Eugen Cakolli nga KDI ka reaguar rreth rastit të aplikimit të kompanisë së vëllait të Luan Dalipit, këshilltar i Albin Kurtit, për...
    Lajme30 Maj 2025
    Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës për disa mandate, Besa Gaxherri, për FrontOnline ka folur për ngërçin politik që po e mban peng...
    Lajme30 Maj 2025
    Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pasi kompania e vëllait të Luan Dalipit, Shefit të Stafit të Kryeministrit...
    Lajme30 Maj 2025
    Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës për disa mandate, Xhavit Haliti, për FrontOnline ka komentuar situatën e zgjatur të bllokimit të konstituimit të...
    -->

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.