Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë̈ e Kosovës, Gazmend Syla, ka reaguar pas deklaratave të mbrëmshme të deputetit Shpejtim Bulliqi për çështjen e demarkacionit.
Syla i është drejtuar Bulliqit duke thënë se meqë ka folur për rolin e Thaçit dhe Mustafës për demarkacionin, është mirë që t’i tregojë opinionit edhe për rolin e Haradinajt në këtë temë, gjë që sipas tij ai e dëshmon më së miri.
“Besoj të kujtohet kur një natë para se të ratifikohej marrëveshja, kur erdhe i mbushur frymë dhe kërkove takim urgjent me kryeministrin Haradinaj. Besoj të kujtohet edhe biseda në korridor, kur i tregoje z.Haradinaj se po duan të ndërhyjnë në tekstin e marrëveshjes, disa grupe parlamentare që ishin duke punuar në kuvend në ato orë të vona të natës”, ka reaguar ai në rrjetin social Facebook.
“Ju e dini se çka i tha z.Haradinaj përfaqësuesit të AAK-së në telefon atë natë (jam i bindur që të kujtohet mirë toni i asaj bisede), Ju e dini edhe përkushtimin e angazhimin e Kryeministrit Haradinaj për Kullën e Çakorrin”, vazhdon Syla.
Tutje, ai vazhdon duke thënë se Bulliqi është në dijeni që në kohën kur ka punuar për raportin, Ramush Haradinaj i ka ofruar tërë mbështetjen e tij, në lidhje me kërkesat e Bulliqit.
“Profesor i nderuar, së paku për hirë të së vërtetës sepse jo gjithçka në jetë është politikë, edhe këto e ke me borxh t’ua tregosh qytetarëve”, përfundoi deputeti Syla.