×
  • Lajme
  • Lajme

    Spiropali në Konferencën e Kryetarëve në KiE: Kosova të pranohet në KiE

    FrontOnline
    20 Mars 2025

    Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali mori pjesë sot në Konferencën e Kryetarëve të parlamenteve të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, e cila zhvillohet në datat 20-21 mars në Strasburg.

    Gjatë fjalimit të saj Spiropali theksoi rëndësinë e forcimit të demokracisë në Shqipëri dhe përparimin e vendit drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Spiropali u ndal në disa aspekte kyçe të zhvillimeve të Shqipërisë gjatë 30 viteve të fundit.

    “Demokracia nuk dobësohet brenda natës, dhe as nuk mbetet e fortë pa përpjekje. Nëpër Evropë tablotë politike po ndryshojnë, besimi tek institucionet po testohet dhe forcat e jashtme kërkojnë të manipulojnë opinionin publik. Rrallëherë ndodh që këto ndryshime të njoftohen qartësisht; ato shpalosen gradualisht, duke riformatuar normat, duke ndikuar tek qeverisja dhe duke sfiduar themelet ku ne mbështetemi”, tha Spiropali.

    “Shqipëria e ka përjetuar në vetë të parë sa e brishtë dhe njëkohësisht sa e fortë mund të jetë demokracia. 30 vite më parë, kur Shqipëria u pranua anëtare e Këshillit të Evropës, pas një izolimi absolut, demokracia për shqiptarët ishte ende vetëm një ideal, sundimi i ligjit sapo kishte nisur të zëvendësonte partinë-shtet dhe partinë-ligj, dhe të drejtat e njeriut, sidomos ato politike, fetare e të pronës kishin filluar të shndërroheshin në një aspiratë për qytetarët. Shqipëria, 30 vjet pas anëtarësimit në Këshillin e Evropës, ka arritur para portave të Bashkimit Evropian, me arritje thelbësore e të prekshme në tri shtyllat kryesore të organizatës të madhe evropianë”, shtoi Spiropali.

    Kryetarja e Kuvendit theksoi se Shqipëria ka bërë përparime të mëdha në procesin e integrimit me Bashkimin Evropian. Sipas kryeparlamentares, Shqipëria është lider në nxitjen e bashkëpunimit rajonal dhe integrimin evropian të vendeve të rajonit.

    “Vendimi i Asamblesë Parlamentare i prillit 2024 për të nxjerrë Shqipërinë nga procedura e monitorimit të plotë, është një konfirmim i arritjeve tona. Objektivi strategjik kombëtar i Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian brenda vitit 2030 dhe përfundimin e negociatave teknike brenda vitit 2027 ka gjetur një mbështetje të plotë nga Bashkimi Evropian. Vendimi i Parlamentit Evropian për hapjen në Shqipëri të Zyrës Rajonale për Ballkanin Perëndimor është një rikonfirmim i faktit se Shqipëria është jo vetëm vendi kandidat me vizionin më të qartë, shpejtësinë më të lartë dhe vendosmërinë më të madhe drejt familjes evropiane, por është edhe një qendër dhe lider në nxitjen e bashkëpunimit rajonal dhe integrimin evropian të vendeve të rajonit”, tha Spiropali.

    “Progresi i Shqipërisë drejt Bashkimin Evropian është edhe rezultat i bashkëpunimit të ngushtë dhe njohjes nga Këshilli i Evropës të arritjeve tona, sidomos në pavarësinë e degëve të qeverisjes, reformën e thellë dhe gjithëpërfshirëse në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, mbrojtjen e pakicave dhe të të drejtave të njeriut, lirinë e medias etj.”, shtoi kryeparlamentarja.

    Spiropali gjithashtu theksoi rëndësinë e roli të Kuvendit në forcimin e demokracisë dhe mbikëqyrjen e institucioneve.

    “Kuvendi i Shqipërisë mbetet i palëkundur në lidershipin, garantimin e legjitimitetit demokratik dhe gjithëpërfshirjen e procesit të integrimit evropian, në avancimin dhe thellimin e reformave, mbështetjen e institucioneve të drejtësisë dhe të pavarësisë së tyre dhe mbrojtjen e vlerave dhe konsolidimin e institucioneve demokratike”, tha Spiropali.

    “Ajo demokraci që dështon të mbajë balancën institucionale, rrezikon të humbasë aftësinë për ti shërbyer popullit të vet. Kur parlamentet luftojnë për të ushtruar kontrollin, kur kontrollet dhe balancat nisin të dobësohen, qeverisja largohet nga qëllimi i saj thelbësor. Roli i organeve legjislative qëndron shumë përtej miratimit të ligjeve; roli i tyre qëndron tek aftësia e tyre për të bërë pyetje, për të sfiduar dhe për të bërë qeveritë që të jenë llogaridhënëse”, shtoi Spiropali.

    Kryeparlamentarja nënvizoi më tej se “në Shqipëri janë ndërmarrë hapa për të forcuar mbikëqyrjen parlamentare, duke garantuar që institucionet të punojnë me njëri-tjetrin, dhe jo kundër njëri-tjetrit”.

    Spiropali përmendi edhe ngritjen e dy komisioneve të posaçme.

    “Kuvendi ka ngritur kohët e fundit dy komisione të posaçme: Komisionin për thellimin e luftës kundër korrupsionit dhe përshpejtimin e ritmeve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe Komisionin për mbrojtjen e demokracisë nga dezinformimi dhe ndërhyrjet e huaja në procesin demokratik. Megjithatë, institucionet të vetme nuk mund ta mbështesin demokracinë. Ligjet mund të drejtojnë shoqëritë, por besimi i publikut përcakton legjitimitetin e tyre. Shqipëria është përpjekur që vendimmarrjen ta afrojë tek njerëzit, duke hapur kanale të reja për angazhim dhe duke ushqyer një kulturë politike që nxit pjesëmarrjen përtej cikleve zgjedhore”, tha Spiropali.

    “Një sistem që dëgjon ka shumë më tepër mundësi të zgjasë. Angazhimi publik varet jo vetëm nga aksesi, por nga ndërgjegjësimi. Individët pa aftësinë për ta vlerësuar informacionin në mënyrë kritike bëhen më vulnerabël ndaj manipulimit, dhe debati publik humbet mbështetjen e tij tek diskursi i arsyetuar. Shqipëria ka zgjeruar përpjekjet për edukim të medias, jo si një nismë akademike, por si një përgjigje praktike ndaj një bote ku keqinformimi mund të shtrembërojë realitetin”, tha kryeparlamentarja.

    Gjatë fjalimit të saj, Spiropali u ndal edhe te Kosova, ku nënvizoi se Këshilli i Evropës nuk është i plotë me mungesën e shtetit më të ri të Evropës. Kryetarja e Kuvendit kërkoi që Kosova të pranohet në Këshillin e Evropës.

    “Vështirë të gjendet një shtet tjetër që pas 26 vitesh liri dhe 17 vitesh pavarësi të ketë ndërtuar një demokraci vibrante si Kosova. Prandaj pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, i cili ka mbështetjen e Asamblesë Parlamentare, është kërkesa më e rëndësishme e Kryetares së Parlamentit të Shqipërisë ndaj kësaj konference”, tha Spiropali.

    “Demokracitë në vendet tona nuk mund të lulëzojnë në mënyrë të qëndrueshme ndërkohë që sulmohen liria, sovraniteti dhe integriteti i kombeve. Prandaj mbështetja jonë e palëkundur për Ukrainën kundër agresionit të Rusisë nuk është vetëm një kontribut për paqen e sigurinë, por edhe për mbrojtjen e vlerave dhe sistemin demokratik në vendet tona”, e përmbylli kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali fjalën e saj të mbajtur në Këshillin e Evropës./ATSh

    Nga Rubrika
    Lajme23 Mars 2025
    Policia në Kaçanik ditën e djeshme në rrugën “Doganaj” gjatë kontrollit të një veture të tipit “Golf”, nën ulëset e pasme kanë...
    Lajme23 Mars 2025
    Tetëmbëdhjetë muaj pa një takim të nivelit të lartë – dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka mbetur në vendnumëro. Me të dyja...
    Lajme23 Mars 2025
    Policia e ka arrestuar një person në Prishtinë për vjedhie të rëndë në rrugën “Fehmi Agani”, sot rreth orës 03:00. Në njoftimin...
    Të tjera
    Bota/Rajoni23 Mars 2025
    Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me turoperatorët në Vlorë, ironizoi një premtim të vjetër të Lulzim Bashës për ndërtimin e një...
    Vip23 Mars 2025
    Edhe pak jave kanë mbetur që ‘Big Brother VIP Albania’ të shkoj drejt gjysmë finales, numri i banoreve është duke u pakësuar...
    Lajme23 Mars 2025
    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sipas kalendarit nesër do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të...
    Bota/Rajoni23 Mars 2025
    Një sulm ajror izraelit në qytetin jugor të Khan Younis në Gaza ka vrarë udhëheqësin kryesor politik të Hamasit, Salah al-Bardaweel, ka...
    Lajme23 Mars 2025
    Bernard Nikaj nga PDK ka qenë këtë fundjavë në Sarajevë, ku me ftesë nga Instituti i Demokratëve Evropianë ka marrë pjesë në...
    Lajme23 Mars 2025
    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas paralajmërimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) për rritjen e çmimit të rrymës...
    -->

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.