×
  • Opinione
  • Opinione

    Sovraniteti kombëtar është mbrojtja e vogël kundër gjahut global për përfitime

    FrontOnline
    14 Maj 2024

    Shkruan: Kenan Malik (The Guardian)

    Kryetari i komitetit të biznesit dhe tregtisë në Parlament, Liam Byrne, të martë e kaluar e pyeti Peter Hebblethwaiten – shefin ekzekutiv të P&O Ferries [kompani detare]: “A mendon se mund të jetosh me 4,87 paundë në orë [5.56 euro]”? “Jo, nuk mundem”, u përgjigj Hebblethwaite. “Pse mendon se stafi yt duhet të jetojë me këtë shumë?” – vazhdoi Byrne. Sepse, u përgjigj Hebblethwaite, “këta janë detarë ndërkombëtarë”.

    Për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve, Komiteti i përzgjedhur merrte dëshmi nga drejtuesit e biznesit, nga studiuesit dhe nga zyrtarët. Dy vjet më parë, Hebblethwaite u përball me një komitet tjetër të përzgjedhur, pasi P&O-ja kishte shkaktuar zemërim kombëtar duke pushuar papritmas pothuajse 800 punëtorë dhe duke i zëvendësuar ata me staf të agjencive me paga të ulëta nga vendet si India, Malajzia dhe Filipinet. Se sa e ulët ishte paga, kjo u ekspozua nga një hetim i Guardian-it dhe ITV-së në mars, ku u zbulua se disa paguheshin me më pak se gjysmën e pagës minimale në Britani. Shumë prej tyre punojnë në ndërrime 12-orëshe, për shtatë ditë në javë e deri në 17 javë pa ndërprerje. Por, sidoqoftë, ata thjesht janë “detarë ndërkombëtarë”.

    Në vitin 2022, pas shkarkimeve masive, sekretari i atëhershëm i Transportit, Grant Shapps, i tha Hebblethwaitet se pozicioni i tij si CEO ishte “i paqëndrueshëm”. Kërcënoi se do t’i rishikonte kontratat qeveritare të P&O-së dhe premtoi të sjell “një pako gjithëpërfshirëse të masave” për të mbrojtur detarët. “Kjo qeveri nuk do të qëndrojë anash, derisa në mënyrë të pacipë po injorohet kërkesa për t’i trajtuar detarët me respektin dhe drejtësinë e duhur”, paralajmëroi ai.

    Nuk duhet të jetë befasi që “qëndrimi anash” është pikërisht ajo që kishte bërë qeveria. Hebblethwaite mbetet CEO, kompania e tij nuk i ka humbur kontratat qeveritare dhe ka pak “respekt dhe drejtësi” për trajtimin e punonjësve të saj nga P&O-ja.

    Në mars, Franca prezantoi një ligj që detyron kompanitë që drejtojnë tragetet që kalojnë La Manshin, që stafit t’ia paguajnë të paktën pagën minimale franceze prej 11,65 euro (9,95 paundë) në orë. Britania ka premtuar ligj të ngjashëm, por ende nuk është miratuar.

    Rasti i P&O-së ekspozon problemet si të globalizimit ashtu edhe të shumë kundërshtimeve ndaj tij. “Globalizimi” është koncept me kuptime të panumërta – dhe me dimensione ekonomike, politike dhe kulturore. Kryesisht, si në rastin e P&O-së, i referohet një mënyre të veçantë të kapitalizmit që mbështetet në ndarjen ndërkombëtare të punës dhe në pakësimin e kontrolleve mbi lëvizjen e kapitalit përtej kufijve – krejt kjo për të ulur kostot dhe për të rritur fitimet.

    Është një formë e globalizimit që nxitet nga “neoliberalizmi” – nga vizioni i ekonomisë së tregut të lirë që është rrënjosur në punën e figurave si Friedrich Hayek dhe Ludwig von Mises – i cili u bë dominues në dekadat pas kolapsit të viteve 1980 të Bashkimi Sovjetik në Lindje dhe të rendit kejnesian [sipas koncepteve të ekonomistit John Maynard Keynes] të pasluftës në Perëndim.

    Në zemër të tij nuk ishte thjesht hapja e tregut, por gjithashtu – sipas fjalëve të historianit Quinn Slobodian – “projektimi i institucioneve … për të imunizuar kapitalizmin kundër kërcënimit të demokracisë” – institucionet që nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, nga strukturat e qeverisjes së Bashkimit Evropian e deri te rregulloret tregtare të mbikëqyrura nga Organizata Botërore e Tregtisë. “Shoqëria demokratike”, i ka thënë Milton Friedmani – ekonomisti dhe frymëzuesi intelektual amerikan i Ronald Reaganit dhe Margaret Thatcherit – një intervistuesi për revistën Forbes në vitin 1988, “e shkatërron ekonominë e lirë”, sepse ajo në mënyrë të pashmangshme çon në kërkesat për rishpërndarjen e pasurisë.

    Pasojat sociale të globalizimit të tillë, nga pabarazia në rritje e deri te erozioni i normave demokratike, në dekadën e fundit kanë çuar në një reagim politik që ilustrohet me ngritjen e populizmit nga e majta dhe me më shumë sukses nga e djathta. Zhgënjimi me globalizimin ka shkaktuar gjithashtu entuziazmin e ri për nacionalizmin dhe shtetin kombëtar.

    Për shumë njerëz, problemi me P&O-në është se pronësia kaloi në “duar të huaja”, meqë kompania britanike u ble në vitin 2006 nga DP World – pjesë e fondit të pasurisë sovrane të Dubait. “Pronësia duhet të kthehet në shtëpi”, kërkojnë kritikët, sepse “kapitalizmit global, që është pa rrënjë, nuk ia ndien për lokalitetin apo vendin”, duke i trajtuar punëtorët “jo si qenie njerëzore, por si njësi shpenzuese”.

    Ideja se kompanitë britanike do t’i trajtojnë më mirë punëtorët sepse ata kanë “respekt për lokalitetin ose vendin” është po aq e besueshme sa të imagjinosh që Shappsi ishte ndonjëherë serioz në lidhje me kërcënimet e tij ndaj Hebblethwaitet. Dëshmitari i pyetur nga komiteti i përzgjedhur – menjëherë pas Hebblethwaitet – ishte drejtori menaxhues i kompanisë britanike WH Smith, Sean Toal. U ftua për të shpjeguar se pse e kishte paguar stafin nën pagën minimale. Nuk janë vetëm të huajt perfidë të cilët kërkojnë të shfrytëzojnë punëtorët britanikë.

    Ky vit shënon 40-vjetorin e fillimit të grevës së minatorëve. Në dekadat që nga ai konfrontim totemik, qeveritë e njëpasnjëshme kanë shkatërruar të drejtat e sindikatave, kanë zvogëluar të drejtat për të protestuar dhe kanë privatizuar pjesë të mëdha të strukturës sociale dhe të hapësirave publike të Britanisë. Kompanitë, me pronësi britanike dhe të huaja, kanë shfrytëzuar plotësisht mundësitë e reja për të mundësuar kushtet më të vështira të punës. Mosmarrëveshja aktuale mbi zvogëlimin e angazhimeve të Partisë Laburiste ndaj të drejtave të punëtorëve, sugjeron se edhe pas zgjedhjeve gjërat pak mund të ndryshojnë.

    Në librin e tij Kapitalizmi nën presion [Crack-Up Capitalism], Slobodian tregon se si izolimi i tregut nga forcat demokratike, po ndodh brenda shteteve kombëtare dhe përtej tyre. “Brenda kufijve të kombeve”, shkruan ai, “ka hapësira të pazakonta ligjore, territore anormale dhe juridiksione të veçanta”. Këto enklava variojnë nga portet e lira në qytet-shtete, që të gjitha gjeografikisht pjesë e kombit, por me ligje dhe rregullore të ndryshme – qofshin regjime të ndryshme tatimore ose, në ekstrem, mohime të të drejtave të punëtorëve.

    Ironia e zemërimit drejtuar Dubait për pronësinë e tij të P&O-së, është se Dubai është bërë model për shumë politikanë në Britaninë e pas-Breksitit. Në vitin 2016, një deputet pak i njohur me emrin Rishi Sunak, shkroi një raport për Qendrën për Studime të Politikave të Krahut të Djathtë, duke lartësuar virtytet e porteve të lira si “sinjalizim të hapjes së Britanisë ndaj botës” dhe duke e veçuar si model zonën e lirë Xhebel Ali në Dubai.

    Suksesi i Dubait në gjenerimin e pasurisë përrallore është ndërtuar mbi kurrizin e asaj që efektivisht është forcë pune e punëtorëve të kontraktuar kryesisht nga Azia Jugore, dhe e intolerancës brutale të sindikatave dhe të të drejtave të punëtorëve. Është vizioni i globalizuar i P&O-së. Dhe, kjo është ajo që shumëkush në Britani dëshiron të imitojë. Politikanët që kanë ndërtuar karrierë rreth mbrojtjes së sovranitetit kombëtar, janë të lumtur ta japin sovranitetin e tillë për sa kohë që ai u shërben interesave të korporatave.

    Çështja e P&O-së nuk është e kombit, por e klasës. Zgjidhja mund të jetë vetëm në veprimin kolektiv për të mbrojtur punëtorët britanikë dhe “detarët ndërkombëtarë”. Nëse debakli i P&O-së na mëson diçka, është se të drejtat e njërit janë të lidhura pazgjidhshmërisht me të drejtat e tjetrit. /Telegrafi/

    Nga Rubrika
    Opinione22 Nëntor 2024
    GJNP ka nxjerrë urdhër-arreste kundër kryeministrit të Izraelit Netanjahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes Gallant. Çfarë do të thotë kjo dhe çfarë pasojash...
    Opinione21 Nëntor 2024
    Nga Hisen Berisha: Kështu veprojnë tradhtarët e të shiturit tek armiqtë e vendit. Në një shtet të konsoliduar me sistem juridik të...
    Opinione20 Nëntor 2024
    Shkruan: Bekim Çollaku Fitorja e presidentit Donald Trump në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) ka ndezur një debat...
    Të tjera
    Lajme23 Nëntor 2024
    Javën e ardhshme do të vijojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Katër seanca pritet të mbahen nga e...
    Lajme23 Nëntor 2024
    Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës në rrugën Viti-Gërlicë kanë ndaluar për kontroll një automjet, që po drejtohej nga një person...
    Vip23 Nëntor 2024
    Gjesti po mendon se Xheneta ka pëlqim për një tjetër burrë brenda shtëpisë më të madhe në vend. Kështu i tha ai...
    Sport23 Nëntor 2024
    KH Rahoveci ka pësuar humbje në ndeshjen e parë ndaj ekipit rumun CS Minaur Baia Mare në kuadër të EHF European Cup....
    Bota/Rajoni23 Nëntor 2024
    Opozita shqiptare ka njoftuar se do të zhvillojë sërish një protestë me bllokimin e disa akseve rrugore, më 26 nëntor, si një...
    Vip23 Nëntor 2024
    Një përplasje e ashpër ndodhi mes Xhenetës dhe Anisës. Madje kjo e fundit ia kapi fjalët, e me këtë veprim nuk u...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.