Kryetari i LSDM, Zoran Zaev në cilësinë e mandatarit do të zhvilloj takimin vendimtar me kreun e BDI-së, Ali Ahmeti lidhur me formimin e Qeverisë së re, përcjell INA.
Ky takim është caktuar nga bisedimet e mbajtura mes sekretarëve partiak, Ljupço Nikollovski dhe Artan Grubi. “Ekipet e LSDM dhe BDI intensivisht kanë punuar në arritjen e marrëveshjes së shpejt dhe thelbësore të koalicionit”, theksuan dy partitë.
Dyja palët përmes komunikatave të shkurtëra dhe në sinkron kanë theksuar se janë arritur përparime serioze lidhur me thuajse të gjitha çështjet që lidhen me marrëveshjen për formimin e Qeverisë. Megjithatë nuk dihet çështja e kryeministrit shqiptar dhe se a ka ndonjë marrëveshje midis dy palëve.
Në fillim të bisedimeve përflitej për opsionin 3+1 apo 1+3, që nënkupton 3 vite LSDM të udhëheq me postin e kryeministrit dhe një vit BDI, apo anasjelltas, megjithatë tani nuk ka detaje.
Së fundi disa portale të afërta me partitë kanë lansuar lajmet se palët janë dakorduar për variantin që LSDM të udhëheq me kryeministrin thuajse deri në fund të mandatit, ndërsa 3 muajt e Qeverisë teknike të udhëhiqen nga kryeministri nga radhët e BDI-së. Megjithatë kjo çështje nuk është konfirmuar zyrtarisht nga asnjëra parti.
Sot pritet të jetë finalja mes Ahmetit dhe Zaevit, ndërsa komunikata e djeshme e BDI-së nënvizonte se “duke pasur parasysh urgjencën dhe nevojën për veprimin e shpejt të institucioneve kyçe në vend për zgjidhjen e sfidave shëndetësore dhe ekonomike të lidhura me Kovid-19, do të mbahet takimi kyç mes Ahmetit dhe Zaevit ku pritet të arrihet marrëveshja vendimtare për Qeveri të re, stabile e përkushtuar me mandate katërvjeçar”. (INA)