×
  • Opinione
  • Opinione

    Solidariteti social, “amortizator në këputje”

    Gëzim Tushi
    05 Korrik 2024

    Nga: Gëzim Tushi

    Janë të çuditshme, paradoksalisht të përshpejtuara disa ndryshime sociale që kanë ndodhur në shoqërinë tonë në këto tri dekada e pak. Një përmbysje e thellë konceptuale dhe reale e raporteve të dikurshme njerëzore, tejet komunitare e supersociale të qytetarit me shoqërinë e tij, duke e zëvendësuar brutalisht dhe transformuar radikalisht pothuaj “limfën” e socializimit e natyrshëm të individit me shoqërinë, socialitetin organik të raporteve dhe lidhjeve humane. Individualizmi dhe atomizimi janë bërë “ideologji zëvendësuese, modus viventi që tashmë duket si prirje e natyrshme, sjellje organike e shoqërisë moderne shqiptare.

    Por, edhe pse jemi strukturalisht në strukturën e shoqërisë liberale, thelbësisht individualiste, ende ka te njerëzit dilema, paqartësi, ankime, dëshira utopike e skepticizëm social për nivelet në rënie të “amortizatorëve social”, humanizmit, solidaritetit, ndjenjave të dikurshme komunitare të miqësisë, fqinjësisë së mirë etj. Në të vërtetë, duke analizuar situatën sociale, konceptet e paqarta që ngatërrojnë njerëzit në synimet dhe pritmëritë e tyre, duhet të themi se me gjithë ndryshimet që kanë ndodhur, shoqëria është e kapur akoma, ose më saktë e paçliruar nga paradoksi i “solidaritetit të zgjeruar”, si patologji sociale që në të vërtetë duhet të ishte kapërcyer.

    Nga njëra anë është evidente dëshira, aspirata e përgjithshme për t’u bërë evropianë dhe të europianizuar sipas standardeve të saj në të gjitha drejtimet, në shije, sjellje, mënyrën e jetesës dhe instrumentet që duhen përdorur për të arritur qëllimet e personalizuara. Nga ana tjetër, për fat të keq shumë situata, fenomene të jetës morale, mjaft pritmëri i shikojmë ose me syzet e vjetra ideologjike të solidaritetit të dikurshëm si “parim” i “Shoqërisë së Madhe”, ose të turbulluara nga “syzet kombëtare”. Zemërimi që shfaqin shumë njerëz, krahasimet me të kaluarën, që ishte tërësisht e shëmtuar e antisociale, lidhet me faktin se koha që jetojmë është e vështirë. Ajo e ka ngushtuar shumë hapësirën sociale për të plotësuar qëllime personale dhe suksese, që tashmë nuk mund të arrihen lehtësisht apo me ndihmën dhe mbështetjen e shoqërisë. Kjo është arsyeja pse në shoqërinë e sotme, ka një shtim të njerëzve të mërzitur, të deprimuar moralisht, nga që duke besuar në dorën e “shtetit social” apo solidaritetin e shoqërisë, nuk kanë orientim të saktë, vlerësim dhe vetëbesim te fuqia vetjake dhe energjitë e personalizuara.

    Është e vërtetë e pandryshuar që koha e sotme e ka orientuar shoqërinë, duke e vënë atë përballë nevojës së zhvillimit personal. Sociologët kanë evidentuar si tendencë sociale, faktin që po shfaqet një “sinkronizim i përmbysur” midis qëllimeve të njeriut postmodern dhe zgjerimit të kufijve të epokës dhe shoqërisë me synime sociale gjithnjë e më të kufizuara. Por këto raporte duhen parë me kujdes, sepse përtej të vërtetave, standardeve të shoqërisë moderne, ne kontekstualisht si shoqëri jemi në momente me rëndësi, kur po bëhen të qarta problemet e jetës postmaterialiste, krizave të reja të qytetërimit tonë.

    Qoftë në formën e zbehjes së humanizmit social, dobësimit solidaritetit, humbjes së ekuilibrave të duhur midis individualizmit dhe socialitetit, që kanë bërë që në qytetërimin tonë të zgjerohet në mënyrë galopante shtrati egoist i jetës. Shumë sociologë e sintetizojnë krizën e re të qytetërimit, të lidhur me faktin që jetës së sotme qytetare i mungojnë disa gjëra me rëndësi ekzistencaile dhe funksionale. Sepse sipas filozofit dhe sociologut francez Edgar Morin, “rrënjët dhe horizonti i së ardhmes” janë të bazuara në “krizën historike të koncepsionit dhe misionit të njeriut”. Këto janë probleme thelbësore, që nuk kanë aq shumë lidhje me çështjet e organizimit teknik të shoqërisë.

    Përkundrazi janë dilema konceptuale për qytetërimin tonë, nga të cilat varet organizimi i duhur i shoqërisë moderne dhe qytetërimit të mirë, të cilat kanë në themelin e tyre ekuacionin e ekuilibruar të individualizmit me nevojat e matura, të limituara të solidaritetit social. Në fund të fundit duhet pranuar se individi, shoqëria dhe qytetërimi ynë kanë një problem të madh. “Problemin e vërtetë e përbën pyetja se në ç’mënyrë njeriu përcakton interesat e tij dhe në ç’masë shoqëria mund t’i pranojë ato” (Eric Weil, “Filozofia politike”, f. 243). Në thelb, kjo formulë ndihmon në kuptimin koherent të së vërtetës së kohës, e cila na pëlqen ose jo, vërteton tezën se sot është duke u rindërtuar në Shqipëri lloji universal i qytetërimit modern, në të cilin më shumë se utopitë për solidaritetin është interesi qytetar individual ai që e lëviz shoqërinë.

    Nuk mund të ndërtosh qytetërimin modern, shoqërinë e madhe me solidaritet të plotë, nëse ato i mendon se mund të funksionojnë më vete apo të pavarura nga ngjarjet dhe interesat individuale të qytetarit. Një organizim i tillë tërësor i solidaritetit, sikurse ndodhte në kornizat e shtetit dhe shoqërisë së dikurshme totalitare, në kohën e sotme nuk është dhe aq i mundur. Ne jemi të detyruar të vlerësojmë ontologjinë e qytetërimit aktual, raporteve reale të individualizmit dhe solidaritetit. Në vend të utopive, dëshirave të pamundura për qytetërimin e ngritur mbi bazën e “shoqërisë tërësore”, të mbështetur mbi “solidaritetin e madh” social, është e nevojshme të vlerësojmë ontologjinë e vërtetë të këtyre raporteve të ndryshuara, përmes analizës të vërtetës së qytetërimit tonë, fenomenologjisë së jetës sociale dhe individuale. Dobësimi i tërë strukturës dhe hallkave të solidaritetit social është fakt.

    Por, duke qenë në këto rrethana, është e domosdoshme që të kompensohet me forma të reja të “solidariteteve të vogla”, duke forcuar tek njerëzit tanë besimin, lidhjet e ndërsjella që krijojnë në familje dhe në institucione të tjera të sigurisë morale. Vetëm aty ka shanse, që në vend të solidaritetit të dikurshëm mekanik, ideologjikisht të imponuar të mendojmë për mjete, mënyra e lidhje të natyrshme sociale si mundësi ku mund të ekzistojë dhe krijohet besimi midis anëtarëve të grupit ku bën pjesë qytetari. Nëse nuk është e mundur të kërkohet apo shpresohet për një solidaritet në masë shtabe sociale të mëdha si dikur, duhet ndërkaq të bëhemi të ndërgjegjshëm se në shoqërinë e atomizuar, individualiste, të personalizuar, nëse masa e atomizimit të individit do dimensionohet në përmasa destruktive, atëherë ka shumë gjasa që njeriu të jetë para rrezikut të margjinalizimit dhe vasalitetit social. Në kohën e sotme akoma më shumë është bërë e udhës që të ngrihet më lart larmia, pavarësia e dallimet midis natyrës dhe identitetit të personalizuar të qytetarëve, se sa të shpresosh për mundësinë e ekzistencës së solidaritetit apo interesave të përbashkëta midis tyre.

    Në kohën tonë, qytetarët janë njerëz me natyrë njerëzore të ndryshme, me më pak mundësi për ndërtimin e një lloj qytetërimi që të ketë në bazën e vet solidaritetin mekanik, që nënkupton një “natyrë të përbashkët” qytetare. Shoqëria shqiptare, por jo vetëm, ka tashmë një realitet konceptual dhe real të ndryshuar për solidaritetin dhe komunitarizmin, edhe pse për hir të së vërtetës mund të flitet për shfaqjen e disa dukurive sociale eksentrike, që janë normale apo enorme. Është bërë një dukuri intensive, fakti që në shoqërinë tonë veprimet publike dhe ato me natyrë familjare, po marrin gjithnjë e më shumë karakter personal, forma realizimi të individualizuara, ku çdo njeri ka mënyrën e vet, standardet e komportimit social të ndryshëm nga të tjerët. Duam apo nuk duam kjo është shoqëria postmoderne, ky është njeriu, që është zëri i vërtetë i shoqërisë ku jeton në “sintezë me epokën e vet”.

    Unë besoj se në këtë shoqëri idetë dhe termat e dikurshëm sociologjizantë, të ideologjizuar, që në të kaluarën kanë qenë thelbësore për strukturimin social të shoqërisë, sot në këtë “shoqëri likuide”, të rrëshqitshme nuk kanë vlerë, nuk na ndihmojnë të kuptojmë të vërtetat e saj. Sepse sot është kërkesë e vështirë, e pamundur të normativizosh sjelljen e njeriut, ta përshtatësh atë me kërkesat e dëshirave për solidaritet të zgjeruar social. Jo vetëm në nivelin makro social, por edhe në vlerësimin e realiteteve mikrosociale të strukturave bazë të qytetërimit tonë. Ndërkaq, për shkak të ndryshimit të themeleve të jetës sociale nga jetë kolektiviste e detyruar në jetë e lirë dhe e individualizuar, ka bërë që të dëmtohen fort strukturat e jetës dhe komunikimit social si prishja e miqësisë tradicionale, fqinjësisë, shoqëruar kjo me dobësimin e ndjenjës komunitare. Shume shqetësues është realiteti i organizimeve bazë të jetës dhe institucioneve të saj.

    Në qytetërimin tonë janë të qarta dukuritë e dobësimit të familjes, prishjes së martesës dhe destruktimi i lidhjeve martesore. Kjo do të thotë se duhet ridimensionuar koncepti për solidaritetin dhe socialitetin, duke vlerësuar format e vogla dhe mënyrat e lidhjeve alternative. Sepse vetëm aty ka shanse të krijohet “solidariteti i vogël” apo “socialiteti i ngushtë” efektiv, si besim që mund të krijohet dhe mund të funksionojë si lidhje organike midis anëtarëve të grupit ku është atashuar apo bën pjesë individi. Sepse ka dukuri që flasin qartë për të vërtetën që në “shoqërinë e atomizuar” pa masën e duhur të socialitetit dhe sociabilitetit, nëse masa e atomizimit të individit bëhet në përmasa destruktive, atëherë ka shumë gjasa që njeriu të jetë para rrezikut të margjinalizimit dhe vasalitetit social. Në këto kushte, të ndodhur përballë gjithë këtyre anomalive në mënyrë të natyrshme mund të pyesim se çfarë duhet bërë në mënyrë që të bindemi se rregullimi i qytetërimit, sidomos i strukturave të organizimit dhe forcimit të lidhjeve sociale, nuk mund të bëhet ndryshe, veçse duke punuar për të formuar qytetarin e lirë, të ndërgjegjshëm, i cili vullnetarisht dhe me vetëdije të plotë duhet të bëhet pjesë integrale e qytetërimit.

    Kjo do të thotë se jeta sociale ka nevojë të orientojë njerëzit të ecin, duke u udhëhequr në jetën personale dhe veprimtarinë sociale nga koncepti normativ i shoqërisë moderne, që ka në themel mbi të gjitha idenë e vetëdijësimit, vetëvendosjes dhe realizimit të vetvetes si qytetar. Epoka postmoderne nuk është epokë e solidariteteve të pamundura për të ekzistuar apo e njeriut të qetë, të fjetur, flegmatik. Njerëz të tillë vorbullat dhe turbulencat e modernitetit me “solidaritet të kufizuar”, i perceptojnë si rrugë pa kthim drejt humnerës. Por sipas shumë sociologëve postmodernë, është e vërtetë që kjo epokë mund të risë përmasat dhe frikat e poshtërimit, rrezikun e njeriut që në jetën e vrullshme postmoderne nuk do ketë asnjë rëndësi apo të atyre që do jetojnë me ndjenjën e pasigurisë për të gjetur “vendin ku do jetojnë” dhe për pasojë do mbeten humbës, të përjashtuar.

    Kemi hyrë në një fazë të re, shumë delikate, kur jeta sociale po përfshihet nga fenomeni i “pasigurisë sociale”. Një fenomen sociologjikisht tipik, sidomos për qytetet e mëdha, ku mundësitë për veprime solidare e komunitare janë në minimumin historik. Sidomos për fazën e sotme të qytetërimit shqiptar, kur parimet e dikurshme udhëheqëse të shoqërisë tradicionale, po zëvendësohen me jetën individualiste të shoqëruar me zbrazëti, anomali sociale dhe pasiguri.

    Nga Rubrika
    Opinione22 Nëntor 2024
    GJNP ka nxjerrë urdhër-arreste kundër kryeministrit të Izraelit Netanjahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes Gallant. Çfarë do të thotë kjo dhe çfarë pasojash...
    Opinione21 Nëntor 2024
    Nga Hisen Berisha: Kështu veprojnë tradhtarët e të shiturit tek armiqtë e vendit. Në një shtet të konsoliduar me sistem juridik të...
    Opinione20 Nëntor 2024
    Shkruan: Bekim Çollaku Fitorja e presidentit Donald Trump në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) ka ndezur një debat...
    Të tjera
    Lajme23 Nëntor 2024
    Kryetari i Forumit Rinor të LDK’së, Paris Guri ka reaguar pas raportimeve se Ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka bërë pezullimin e...
    Lajme23 Nëntor 2024
    Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot u shpreh se anëtarësimi i Kosovës në NATO-s është dëshirë e hershme, pasi një herë...
    Lajme23 Nëntor 2024
    Kandidati për kryeministër i koalicionit AAK, Nisma, Lista Konservatore dhe Forumi Intelektual E-30, Ramush Haradinaj, ka prezantuar kandidatët për deputetë nga Ferizaji....
    Sport23 Nëntor 2024
    Bayer Leverkusen me përmbysje e ka mposhtur Heidenheim, me rezultat 5-2, të shtunën në kuadër të javës së 11-të të Bundesligës gjermane....
    Lajme23 Nëntor 2024
    Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot ka thënë se vendi i tij mbështet heqjen e pjesshme të masave të BE-së ndaj...
    Lajme23 Nëntor 2024
    Ende pa u bërë një javë prej kur në media u raportua për grantin rreth 100 mijë euro që ministria e Bujqësisë,...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.