×
  • Opinione
  • Opinione

    Të shmangësh një luftë të ftohtë të re

    FrontOnline
    30 Qershor 2020

    Shoqëritë perëndimore aktualisht janë të mbërthyera nga ideja se ne po hyjmë në një luftë të re të ftohtë, kësaj here mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.

    Kjo narrativë ka filluar të dominojë për shkak të mosmarrëveshjeve tregtare sino-amerikane dhe është forcuar më tutje nga kriza e COVID-19. Argumenti i shumë personave është që është më e arsyeshme të përgatitemi se sa të injorojmë me naivitet përplasjen për hegjemoni që do të përcaktojë realitetin e përditshëm në të ardhmen e afërt.

    Por këto deklarata, ndërsa supozojnë se janë paralajmëruese, në fakt përbëjnë vetëm një maskë për fatalizëm ndërsa mundësitë që ne kemi për të zgjedhur paraqiten si fakte. Amerika dhe Kina mund të jenë superfuqi rivale, por ato jo domosdoshmërisht janë duke rivënë në skenë Luftën e Ftohtë të parë, atë mes SHBA-së dhe Bashkimin Sovjetik.

    Gjithsesi, sot, edhe dokumentet zyrtare bartin nënkuptime mbi luftën e ftohtë. Përqasja Strategjike e Shteteve të Bashkuara ndaj Republikës Popullore të Kinës, një raport i publikuar nga administrata e Presidentit të SHBA Donald Trump në maj, deklaron se, “Pekini pranon haptazi se po kërkon të transformojë rendin ndërkombëtar për ta përshtatur atë me interesat dhe ideologjinë e Partisë Komuniste të Kinës.”

    Sistemi kinez, shton raporti, “i ka rrënjët në interpretimin e ideologjisë marksiste-leniniste nga Pekini dhe kombinon një diktaturë nacionaliste njëpartiake; një ekonomi të drejtuar nga shteti; përdorimin e shkencës dhe teknologjisë në shërbim të shtetit; dhe nënshtrimin e të drejtave individuale ndaj interesave të Partisë Komuniste.”

    Ky përshkrim çorientues i Kinës dukshëm shkakton reagime të tepruara dhe krahasime të pabaza. Sa për fillim, pavarësisht retorikës socialiste të udhëheqësve të saj, Kina ka përqafuar prej kohësh kapitalizmin – siç ka argumentuar edhe ekonomisti Branko Milanovic.

    Evolucioni i Kinës nuk ka zhdukur dallimet mes modelit më liberal në Perëndim dhe atij më statist të Kinës dhe nuk paralajmëron një konkurrencë mes tyre. Por ndikimi ideologjik ka rrjedhur më shumë nga Perëndimi në drejtim të Kinës se sa anasjelltas, së paku që kur Ten Siaopini nisi politikën e reformimit dhe hapjes më 1978.

    Në krahasim me këtë, ideologjia e Bashkimit Sovjetik ishte shumë më e fortë. Si çdo fuqi e madhe në ngritje, Kina do të kërkojë të përshtatë panoramën globale sipas interesave të saj. Ajo do të kërkojë gjithashtu pëlqimin e disa grupeve të caktuara të popujve përtej kufijve të vet.

    Por ajo nuk do të tentojë të riformatojë vendet e tjera sipas shëmbëlltyrës së vet, siç pati tentuar Bashkimi Sovjetik apo siç vijon të bëjë edhe sot SHBA. Kina mburr veten se është unike dhe e paimitueshme dhe historia e saj e nënshtrimit përballë fuqive të huaja perandorake e ka shtyrë atë të heqë dorë nga ndërhyrjet me forcë në politikat e brendshme të vendeve të tjera.

    Për më shumë, ndërsa disa tipare të sistemit kinez mund të ngjajnë joshëse për mbështetësit e iliberalizmit në Perëndim e vende të tjera, ndikimi kulturor i Kinës në të vërtetë mbetet relativisht i kufizuar.

    Për më shumë, Kina ndryshon gjithashtu në mënyrë rrënjësore nga Bashkimi Sovjetik pasi nuk ka një sferë influence; Koreja e Veriut dhe Pakistani argumentohet se janë aleatët e vetëm të saj aktualisht. E vërtetë, ngritja e Kinës mund të shtyjë vende të tjera të bashkohen me të. Por qeveritë në Azi në përgjithësi janë të shqetësuara nga ngritja e një fqinji të fuqishëm dhe nacionalist dhe nga mosmarrëveshjet e shumta territoriale të këtij fqinji.

    Për rrjedhojë ata kërkojnë të gjejnë një balancë mes Kinës dhe SHBA-së. Për më shumë, nëse shohim rendin ndërkombëtar të sotëm në terma bipolarë, ne dështojmë të marrim parasysh edhe Bashkimin Europian, i cili është një qendër më vete. Megjithëse natyrisht që BE-ja nuk është një vend sovran, dhe ka vuajtur gjatë viteve të fundit nga mosmarrëveshje të konsiderueshme të brendshme, të tilla si BREXIT, projekti europian ka bërë përpara shumë që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë, përfshirë këtu edhe krijimin e tregut të përbashkët.

    Sot, BE-ja është blloku më i madh tregtar në botë dhe partneri më i madh tregtar i 80 shteteve. Dhe pavarësisht defekteve të saj, BE është një superfuqi botërore për të drejtat e njeriut, pronën private, mirëqenien sociale dhe ndërgjegjen mjedisore. Megjithëse eksperti i shkencave politike Andrew Moravcsik duket se ka të drejtë kur e quan BE-në “superfuqia e padukshme,” ndikimi i saj në shumë çështje madhore dhe në shumë pjesë të botës në të vërtetë është shumë i dukshëm.

    BE-ja për rrjedhojë nuk do të dorëzojë veten në rolin e litarit që tërhiqet nga përplasja sino-amerikane dhe do të mbetet e përqendruar në eksplorimin e sinergjive të që të dyja fuqive. Në përgjithësi shpirti i hapjes duhet të udhëheqë botën post-pandemi.

    Mungesa e materialeve të rëndësishme kanë shtyrë shumë vetë të bëjnë thirrje që vendet të bëhen më të vetë-mjaftueshme ekonomikisht. Dhe përshkallëzimi i tensioneve tregtare mes Kinës dhe Amerikës mund ta nxisë këtë proces. Që të jemi të qartë, zinxhiri i vlerës së shtuar në nivel global është shpesh i dobët ose jo reagues mjaftueshëm ndërsa ndërvarësia ekonomike është një faktor që shpesh mund të përdoret si armë.

    Por, siç kanë argumentuar Henry Farrell nga Universiteti George Washington dhe Abraham Newman nga Universiteti Georgetown, do të ishte çmenduri që SHBA dhe Kina të ndërmarrin shkëputje të plotë të ndërveprimit ekonomik. Kurrë më parë dy superfuqi nuk kanë qenë kaq të ndërvarur në mënyrë të ndërsjellët dhe kaq të rrezikuar nga të dëmtuarit të vetes ndërkohë që përpiqen të dëmtojnë kundërshtarin.

    Në një farë mënyre, nocioni i bashkëvarësisë mund të jetë një forcë parandaluese e konfliktit, e cila ishte e pranishme edhe gjatë Luftës së Ftohtë, veçanërisht përmes doktrinës së “shkatërrimit të sigurt të ndërsjellët.” Por Lufta e Ftohtë ishte në fakt e nxehtë në shumë rajone ndërsa logjika e shkatërrimit të ndërsjellët nuk ndaloi disa raste të përplasjes pothuajse fatale.

    Për fat të mirë, lufta bërthamore sot duket se është një mundësi shumë e pagjasë dhe ne nuk jemi në mes të një gare armatimesh sipas stilit të Luftës së Ftohtë. Shpenzimet ushtarake si në SHBA ashtu edhe në Kinë mbeten relativisht të qëndrueshme dhe kapacitetet ushtarake të Kinës – pavarësisht normës më të lartë të rritjes së PBB-së që ka Kina – vijojnë të mbeten të zbehta përballë kapaciteteve ushtarake të Amerikës.

    Gjithsesi gjërat mund të ndryshojnë, në rast se udhëheqësit politikë dhe opinionistët me ndikim fillojnë të përdorin retorikë të panevojshme konfrontimi. Analogjitë me Luftë të Ftohtë mund të bëhen profeci vetë-realizuese dhe ta shtyjnë botën në një të tatëpjetë të rrëshqitshme.

    Në të vërtetë sakaq ka shenja se në zgjedhjet presidenciale në SHBA këtë nëntor, konfrontimi me Kinën do të jetë një temë e madhe si për demokratët ashtu edhe për republikanët dhe këta të fundit mund të shtyjnë njëri-tjetrin drejt ashpërsimit të pozicioneve të tyre.

    Ndërkohë, megjithëse Kina historikisht ka qenë ngurruese në përdorimin e retorikës së luftës së ftohtë, pesha më e madhe ekonomike e saj në krahasim me Bashkimin Sovjetik mund ta shtyjë atë të mbajë një qëndrim më të ashpër. Për shembull, përqasja e saj ndaj Hong Kongut dhe Detit të Kinës së Jugut nuk është shenjë e mirë.

    Por nuk është ende tepër vonë për të shpëtuar. Ndalimi i konfrontimit padyshim që është interes afatgjatë i të gjitha vendeve dhe mbi të gjitha, i SHBA-së dhe i Kinës. Një mentalitet prej lufte të ftohtë është i papërshtatshëm për trajtimin e sfidave më të mëdha të kohës sonë, të tilla si lufta kundër pandemisë COVID-19, sigurimi i rimëkëmbjes ekonomike dhe pakësimi i ndryshimeve klimaterike.

    Për më shumë, nuk ka asgjë të paracaktuar në evoluimin e marrëdhënieve mes fuqive të mëdha: megjithëse rivaliteti SHBA-Kinë do të vijojë gjatë, kjo nuk përjashton mundësinë e bashkëpunimit mes tyre.

    Një gjë është e qartë si kristali: një “luftë e ftohtë” sino-amerikane do të jetë një luftë e zgjedhur dhe jo e imponuar. Dhe kjo do të jetë një zgjedhje e frikshme.

    (Vështrim nga Javier Solana)

    Nga Rubrika
    Opinione20 Dhjetor 2024
    Nga Hisen Berisha: Mosrespektimi ose shpërfillja e simboleve shtetërore nga një parti politike pjesë e sistemit politik shtetëror, veçanërisht kur bëhet fjalë...
    Opinione19 Dhjetor 2024
    Shkruan: Albert Prenkaj Në dritën e pritjes së zgjedhjeve presidenciale në SHBA dhe zgjedhjeve për Parlamentin Evropian dhe ndryshimeve në pozitat kyçe...
    Opinione18 Dhjetor 2024
    Shkruan Blerim Shala:  Sekush që përpiqet të përcjell me vëmendje zhvillimet politike në Kosovë duke i analizuar ato në një perspektivë disavjeçare...
    Të tjera
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Visar Azemi, kryetari I degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në Ferizaj, e ka përshkruar vitin 2024 si shumë sfidues, por...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Për të hyrë në Kosovë përmes pikës kufitare te Dheu i Bardhë pritjet zgjasin 60-70 minuta, për momentin. E në Jarinje ato...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Pas vendimit që në Shqipëri të mbyllet Tik-Toku, një gjë e tillë po kërkohet edhe në Kosovë. Këtë dëshirë e shprehën prindërit,...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kryetari i Podujevës Shpejtim Bulliqi, ka shprehur pikëllim për vdekjen e Hilmi Ukës, i cili ishte mësimdhënës dhe drejtor shkolle. Ai tha...
    Vip22 Dhjetor 2024
    Ish-konkurrentët e edicionit të tretë të Big Brother VIP Kosova, Arioni dhe Diana janë fotografuar së bashku. Ata krijuan lidhje sa ishin...
    Vip22 Dhjetor 2024
    Leo është bërë nervoz pasi dështoi në sfidën për kapitenin e javës. Madje ai thotë se Fitimit nuk i duhet asgjë avantazhi...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.