Komuna e Skënderajt sot feston 21-vjetorin e Çlirimit, raporton Front Online.
Komuna e cila tani udhëhiqet nga Bekim Jashari, djali i heroit Hamëz Jashari, ka përgatitur një varg aktivitetesh për ta shënuar këtë datë të rëndësishme.
Skenderaj ishte çliruar nga forcat serbe më 18 qershor, si fillim në këtë qytet i cili ishte shkatërruar nga lufta, hynë forcat e NATO-s e më pas zbarkuan edhe UÇK-ja të cilët atë ditë bënë homazhe te varrezat e Jasharëve.
Ngjarjet që do të mbahen sot në Skenderaj:
Me rastin e Ditës së Çlirimit të Skenderajt bëhen homazhe te shtatorja e komandantit legjendar Adem Jashari. (Skenderaj, ora 9.00)
Bëhen homazhe te Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz dhe te Kompleksi i Dëshmorëve në Marinë. (Ora 09:15)
Me rastin e Ditës së Çlirimit të Skenderajt përurohet rruga “Malush Ahmeti” në Rezallë të Re. (Ora 10.00)
Kuvendi Komunal i Skenderajt mban seancë solemne. (Kuvendi Komunal, Skenderaj, ora 11.00)
Me rastin e Ditës së Çlirimit të Skenderajt bëhen vizita familjeve të dëshmorëve të Skenderajt. (Ora 13.00). /Front Online